Korrupsioni në Universitetin e Elbasanit, caktohet data e seancës për vleftësimin e masës së sigurisë për 7 pedagogët dhe sekserin

40
Sigal

Gjykata e Elbasanit, ka njoftuar datën e zhvillimit të seancës për vleftësimin e masës së sigurisë për pedagogët dhe sekserin e arrestuar për korrupsion në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”.

Në një njoftim për mediat, gjykata bën me dije se seanca do të zhvillohet më datë 05.11.2024 ora 09:30.

NOA

“Përshëndetje ju informojmë se,

Në lidhje me ngjarjen e datës 01.11.2024 të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, u regjistrua procedimin penal 1362/2024 për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 259/1 dhe 25 i Kodit Penal, “Shpërdorim i detyrës” , e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan caktoi seancën për “Vleftësim arresti dhe caktim mase sigurie” më datë 05.11.2024 ora 09:30”, thuhet në njoftim.

Pedagogët e Universitetit të Elbasanit akuzohen se kanë marrë para për të kaluar në provime një studente.

Të arrestuarit:

Ornela Bilali, Lënda: Arti dhe krijimtaria në fëmijërinë e hershme.
Zyhra Gripshi, Lënda: Puna me familjen dhe komunitetin.
Adrian Shingjergji, Lënda: Edukimi motorrik dhe lojërat lëvizore.
Beatriçe Gani, Lënda: Të mësuarit nëpërmjet lojës.
Florinda Tarusha, Lënda: Filozofi e edukimit.
Monika Hodaj, Lënda: Edukim gjinor ne fëmijërinë e hershme.
G.H., sekseri
Ndërsa është shpallur në kërkim Edlira Gugu, pedagoge në lëndën: Letërsi për fëmijë.

Pedagogët akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën duke kaluar në mënyrë të parregullt në provime një studente 31 vjeçare, me qëllim për të përfituar shuma parash të cilat i ka marrë sekseri me iniciale G. H..

Gjatë kontrollve raportohet se u gjetën dhe u sekuestruan tezat e provimeve të studentes.