Kontrabandë ndërkombëtare cigaresh në kohë koronavirusi, arrestohet një shqiptar

111

Autoritetet italiane kanë shkatërruar një kontrabandë ndërkombëtare cigaresh me vlerë 7.5 milionë euro dhe me një dëm ekonomik prej 6.5 milionë eurosh.

RTV Ora News ka zbardhur se në mega operacionin e ekzekutuar nga Guardia di Finanza Italiane e Trentos, është arrestuar dhe një shtetas shqiptar me rol referues në kontrabandimin e cigareve që vinin nga Moldavia në Itali.

Shqiptari me inicialet M.R 43 vjec banonte në komunën Martina Franca në provincën e Tarantos në Puglia. Nën urdhër arresti është vënë dhe një tjetër shqiptar me një rol dytësor në këtë aktivitet kriminal e që jetonte në rajonin e Lobmardisë.

Pas 4 vitesh hetimi autoritetet italiane të Guardia di Finanza kanë ekzekutuar operacionin e koduar “Vinculum”, duke shkatërruar 4 organizata kriminale me aktivitet në kontrabandë cigaresh nga vendet e Europës Lindore në Itali.

Në urdhër arresti janë vënë 3 persona (mes të cilëve 2 shqiptarë) dhe janë denoncuar 48 të tjerë me akuzën e krimit ndërkombëtar për kontrabandë të paligjshëm duhani të rreth 20 tonë cigareve e të tentativës për kontrabandim të 12 tonëve të tjera.

Organizatat kriminale përbëheshin nga shtetas italianë të lidhur me kriminalitetin puliezë e në aferë me kontrabandistë napoletanë dhe që falë bashkëpunimit me shtetas shqiptarë, rumenë, grekë e maqedonas furnizoheshin me cigare kontrabandë nga Greqia, Sllovenia, Kroacia dhe Moldavia.

Burimet e RTV Ora News kanë zbardhur se ndër të arrestuarit është shqiptari me inicialet M.R 43 vjeç, anëtar i organizatës kirminale pulieze dhe me rol referues për kontrabandimin e cigareve përmes rrugës tokësore nga Moldavia në Puglia. Cigaret kontrabandë në rrugë tokësore trafikoheshin përmes kufirit të Brennero që lidh Italinë me Austrinë, ndërsa përmes detit vinin nga Greqia dhe Malajzia. Katër organizatat kriminale vepronin në territoret e provincave të Milanos, Monza Brianza, Napoli, Salerno, Brindisi e Bari.

Gjatë hetimeve katër vjeçare të Guardia di Fincna janë sekuestruar 20 tonë cigare të markave “MARLBORO”, “REGINA”, “@MAIL”, “RICHMAN”, “D&B”, “GOLD MOUNT”, “REGAL”, “COMPLIMENT”, “ËINSTON”, “L&M” e “MINSK SUPER” me vlerë 4 milionë e 600 mijë euro dhe me një dëm fiskal që arrin në 3 milionë e 800 mijë euro. Gjithashtu u zbardh tentativa për trafikimin e 12 tonë cigareve me vlerë 2 milionë e 400 mijë euro.

Vlera e përgjithshme e këtij aktiviteti kriminal është 7.5 milionë euro me një dëm ekonomik me vlerë 6.5 milion euro. Gjatë hetimeve janë sekuestruar dhe 3550 kg cigare të fabrikuara pa norma e mjaft të dëmshme për shëndetin me një nivel të lartë monoksidi karboni.

Operacioni “Vinculum” ka çuar në sekuestrimin dhe të 10 automjeteve, 3 prej të cilave janë maune, si dhe të një kontenjeri me vlerë 84 mijë euro.

Trafiku ilegal i duhanit i shkakton shtetin italian një dëm ekonomik prej 700 milionë eurosh në vit.