Kokaina, Ekuador-Shqipëri, në 4 aksione u kapën 317 kg

889
Çfarë ndodhi në 3 vite me transportin e drogave të forta nga Amerika Latine. Pse mungojnë arrestimet e bosëve, porositësve dhe pritësve
Jo vetëm Kolumbia, por edhe Ekuadori, është një tjetër destinacion nga ku grupet kriminale shqiptare blejnë kokainën. “Report TV” ka mundur të sigurojë të gjithë informacionin nga ku mësohet se policia e Ekuadorit ka sekuestruar 4 ngarkesa me kokainë, të cilat kishin si destinacionin final portin e Durrësit. Dy operacione janë zhvilluar gjatë vitit 2014, një në 2015 dhe një tjetër në 2016. Për të katra këto operacione është njoftuar policia shqiptare, por nuk janë identifikuar porositësit dhe pritësit e kokainës. Në këto katër operacione policia e Ekuadorit ka sekuestruar në total 317 kg kokainë të pastër me destinacion Shqipërinë. Sipas informacionit të dhënë nga policia e Ekuadorit, në operacionin e datës 24 Nëntor 2015 i quajtur Roof (Catia) në një kontejner të mbushur me banane u gjetën 82 pako kokaine me peshë 93 kile. Droga ishte e fshehur në tavanin e kontejnerit. Destinacioni final ishte Durrësi. Në vijim të këtij operacioni autoritetet ekuadoriane zbuluan, se cila ishte kompania që kishte të porositur sasisë e bananeve në kontejnerin e të cilës u gjetën 93 kg kokainë. I përkiste “Arbri Garden” dhe për këtë u njoftuan autoritetet shqiptare, të cilat nisën një hetim duke marrë në pyetje pronarin e kompanisë “Arbër Cekaj”. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda çështja u pezullua, pasi nuk ka mbërritur ende nga Ekuadori letër-porosia e dërguar për llogari të hetimeve në Shqipëri. Për herë të parë alarmin, se grupet kriminale shqiptare kishin vendosur kontakte me kartelet e drogës në Ekuador e dha Jay Bergman, drejtor i DEAS për Amerikën Latine i cili deklaroi se “Ekuadori po kthehet në kombet e bashkuara të krimit të organizuar”. Duke u ndalur te grupet kriminale shqiptare, ai tha se ato operonin në qytetin Quito. Tre vite më vonë nga kjo deklaratë e drejtorit të DEA, pikërisht më 9 Nëntor 2014 sekuestrohen në një kontejner 34 kg kokainë me destinacion final portin e Durrësit. Sipas njoftimit të policisë në portin e Guayaquil gjatë një operacioni antidrogë në një kontejner me destinacion Shqipërinë, në mes të paneleve ftohës, u zbuluan 29 pako që mbanin 34 kg kokainë. Për këtë u arrestua shtetasi ekuadorian Daniel. G. S. Më 18 Maj 2014 Policia Nacionale e Ekuadorit do të njoftonte finalizimin e operacionit të koduar ‘Arcano’ ku kapën 89 kile kokainë. Përsëri destinacioni final porti i Durrësit. Një tjetër operacion, ai i datës 24 Prill 2016, në brendësi të portit të Guayaquil u sekuestruan 102 kile kokainë. Droga ishte e fshehur në tavanin e kontejnerit dhe ishte gati për t’u ngarkuar në anije. Edhe ky kontejner me banane kishte destinacionin portin e Durrësit. Pavarësisht këtyre operacioneve një sasi prej 250 kilogramë kokainë e nisur nga Ekuadori mundi t’i shpëtojë kapjes. Në qershor 2014 autoritetet doganore malazeze në një kontejner, në portin jugor të Tivarit zbuluan lëndën narkotike, e cila do të mbërrinte në Shqipërinë. Sasia e lëndës narkotike u gjet e fshehur nën dyshemenë e një prej kontejnerëve dhe ishte e ndarë në 223 pako, ndërsa vlera e lëndës narkotike nëse do të hidhej në treg arrin në 12.5 milionë euro. Dërguesi kontejnerit ishte kompania “Vimtcorp Company” nga Ekuadori, ndërsa pritës figuronte firma “Rrapo Company” nga Republika e Shqipërisë, që sipas të dhënave në QKR ndodhej me seli në qytetin e Fierit dhe me pronarë Dritan dhe Nezike Rrapaj. Këto janë vetëm 5 rastet e identifikuar nga policia e Ekuadorit, ku kokaina kishte si destinacion Shqipërinë që tregojnë se marrëdhëniet e grupeve kriminale shqiptare me këtë vend janë të konsoliduara. Megjithëse është zbuluar si destinacion final Shqiëria, asnjë shtetas shqiptarë nuk është arrestuar deri më tani. Kapja e sasisë rekord prej 613 kg në magazinën e kompanisë “Arbri Garden” është vetëm maja e Ajsbergut e trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt Shqipërisë.
Sigal