Kokaina 180 milionë euro, prangoset Arbër Çekaj në Dyseldorf. SHBA falënderon Berlinin dhe Tiranën

432
Kokaina 180 milionë euro, prangoset Arbër Çekaj 

Arbër Çekaj, personi të cilit iu kap sasia më e madhe e kokainës e sekuestruar ndonjëherë në Shqipëri, u arrestua dje në Gjermani, në një zonë pranë Dyseldorfit në Gjermaninë perëndimore, pasi policia shqiptare e kishte shpallur në kërkim dy muaj më parë si përgjegjës për importimin në Shqipëri të një sasie rekord prej 613 kilogramësh kokainë, me vlerë 180 milionë euro, sipas vlerësimeve të policisë shqiptare. Në një njoftim për shtyp, policia tha se lokalizimi i vendndodhjes dhe arrestimi i tij u mundësua nga bashkëpunimi me agjencitë ligjzbatuese gjermane. “U shkëmbye informacion në kohë rekord midis Policisë së Shtetit dhe agjencive të tjera si dhe me Prokurorinë e Krimeve të Rënda,” njoftoi policia. Emri i Çekajt u bë i njohur për publikun pasi një kontejner me banane i nisur nga Kolumbia mbërriti, më 19 shkurt 2018 ,në Shqipëri dhe u mbajt nën vrojtim nga policia shqiptare deri sa kompania porositëse kreu procedurat doganore dhe e tërhoqi atë për në magazinat e kompanisë. Policia e mbajti nën vrojtim kamionin që transportoi kontejnerin dhe bëri bllokimin e magazinës së kompanisë pranë autostradës Tiranë-Durrës ku u arrestuan dy vetë dhe u sekuestrua kokaina. Vetë pronari i firmës ishte larguar nga Shqipëria pak ditë para operacionit dhe qëndroi i fshehur në Gjermani deri sa dje u arrestua. Policia shqiptare dhe kryeministri Edi Rama u mburrën me kapjen e kësaj sasie rekord droge, ndërsa opozita ngriti pikëpyetje, nëse policia kishte gjetur porositësit e vërtetë të kësaj sasie të stërmadhe. Ambasada e SHBA dhe Delegacioni i BE-së në Shqipëri e lavdëruan policinë për operacionin, ndërsa SHBA theksoi shqetësimin, se kapja e një sasie kaq të madhe kokaine tregon edhe përmasat e stërmëdha të këtij aktiviteti ilegal në Shqipëri. Policia dhe prokuroria shqiptare nuk ka bërë të ditur, nëse ka zbuluar bashkëpunëtorë të tjerë përveç shoferit dhe punonjësit të arrestuar si dhe pronarit të kompanisë. Kultivimi dhe trafiku i drogës nga Shqipëria si dhe nga grupet kriminale shqiptare apo me baza në Shqipëri është bërë një shqetësim në rritje i agjencive lizgjatuese të vendeve evropiane. Kriminelët shqiptarë janë arrestuar në një larmishmëri vendesh, nga Greqia e Italia në Spanjë, Holandë e Gjermani pasi janë gjetur të përfshirë në trafiqe të përmasave të mëdha si të marijuanës të prodhuar në Shqipëri ashtu edhe të heroinës e kokainës. Qeveritë shqiptare janë kritikuar vazhdimisht gjatë dekadës së fundit për një lloj tolerance ndaj aktiviteteve kriminale dhe raporte të ndryshme, përfshirë Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, kanë bërë thirrje për sekuestrimin dhe konfiskimin e pronave të vëna me fitimet e aktiviteteve kriminale. Shqipëria ka konfiskuar disa prona të tilla gjatë viteve të fundit, por Komisioni Evropian nuk shprehet i bindur se Shqipëria ka krijuar një histori të mirëfilltë të sekuestrimit të këtyre pronave.
SHBA: Bravo Germany! Bravo Albania!
Ambasada amerikane në Tiranë zgjodhi një mënyrë të veçantë për të vlerësuar arrestimin në Gjermani të Arbër Çekajt. Nëpërmjet një montazhi fotografik, që pasqyron që gjysmëpeshk dhe gjysmëbanane të peshkuar, ambasada vlerëson Gjermaninë dhe Shqipërinë. Vetëm pak orë përpara njoftimit të arrestimit të Çekajt, ambasadori Lu kishte kërkuar prangosjen e tij, ndërsa përmendi edhe disa nga politikanët, që sipas tij, janë të lidhur me krimin. 
Sigal