KLSH kallëzon në Prokurori 2 ish-zyrtarë të degës së Doganës Tiranë

404
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditivit, ka kryer auditimin në Degën e Doganës, Tiranë, për periudhën e ushtrimit të veprimtarisë së kësaj dege për vitin 2014, në përfundim të të cilit Kryetari i KLSH-së, me Vendimin nr. 112, datë 08.09.2015, ka miratuar Raportin Përfundimtar të Auditimit dhe masat përkatëse të rekomanduara për përmirësimin e gjendjes. Nga auditimi u konstatuan disa të meta e mangësi në drejtim të zbatimit të legjislacionit doganor, procedurave të zhdoganimit, administrimit të akcizës, mbikëqyrjes së regjimeve ekonomike, nxjerrjes së vendimeve administrative, si dhe administrimit dhe rikuperimit të borxhit doganor, të cilat kanë sjellë si pasojë një efekt financiar negativ në të ardhurat e buxhetit të shtetit në shumën 130,438 mijë lekë, (rreth 931,000 euro), mbi bazën e të cilave KLSH me shkresën nr. 409/15, datë 08.09.2015 ka depozituar pranë organit të Prokurorisë kallëzimin penal për ish-Kryetarin e Degës së Doganës Tiranë dhe ish-Juristin e kësaj dege, me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Nga auditimi u konstatua se gjendja e borxhit doganor në fillim të vitit 2014 ka qenë 1,807,618 mijë lekë, kurse në fund të vitit 2014 ajo ka arritur në vlerë 3,400,073 mijë lekë. Gjendja në fund të periudhës paraqitet me shtesë në 520 raste për 355 subjekte debitorë, në vlerë 1,592,455 mijë lekë rritje të nivelit të borxhit doganor. Shifrat e mësipërme tregojnë për punën e pa organizuar që ka bërë Dega e Doganës Tiranë në drejtim të rikuperimit të borxhit doganor, veprime që bien ndesh me kërkesat e ligjit nr. 8449, datë 27.01.1999 “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, neni 245, VKM nr. 205, datë 13.04.1999 “Për Dispozitat Zbatuese të Kodit Doganor” të konkretizuara në udhëzimin nr. 6, datë 23.07.2013 “Për zbatimin praktik të procedurës së evidentimit, kontabilizimit dhe vjeljes së borxhit doganor dhe akcizës”.
Sigal