Kishin grabitur 500 mijë euro në 53 banesa në Itali, kapet banda e 6 shqiptarëve

541
Pas 6 muajsh hetimi intensiv, policia italiane ka vënë në pranga gjashtë shtetas shqiptarë, të cilët dyshohet se janë autorë të 53 vjedhjeve e grabitjeve në katër rajone të Italisë veriore.
Në kuadër të operacionit të policisë së Cremonas me emrin e koduar “Night terror”, është bërë e mundur goditja e gurpit kriminal, që prej kohësh terrorizonte banorët e zonës.
Mësohet se hetimi ka nisur në shtator 2016 dhe ka vijuar deri në mars 2017. Gjatë kësaj periudhe, hetuesit kanë arritur të krijojnë skemën e lëvizjes së bandës, duke bërë të mundur edhe arrestimin e tyre.
Sipas mediave italiane, kapobanda ishte një 43-vjeçar shqiptar, rezident në Bergamo. Hetuesit kanë arritur të gjurmonin të gjitha goditjet në sajë të gjobave dhe faturave të telepass të makinave të vjedhura me të cilat vepronte organizata kriminale.
Operacioni i quajtur “Night terror” ka bërë që karabinierët e Njësisë Investigative të Cremonas nën urdhrat e majorit Claudio De Leporini të arrestonin 6 shqiptarë, të moshës nga 27 në 43 vjeç, dhe janë rezidentë në zonën jugore të Milanos.
Grabitësit gjatë aktivitetit të tyre kishin vjedhur e grabitur banesa në dhjetë provinca: Milano, Bergamo, Brescia, Cremona, Verona, Mantova, Parma, Modena, Bologna e Forli. Duke ndërtuar hartën e veprimtarisë së grupit kriminale, hetuesit kanë shpjeguar se banda vepronte në zona të ndryshme, duke përshkuar deri në 400 kilometra.
Nisur nga mënyra thuajse e njëjtë e veprimit të rastet e grabitjes, rezulton se secili nga anëtarët kishte rolin e tij brenda grupit.
Pas arrestimit, policia italiane arriti t’u sekuestrojë atyre edhe sende të vjedhura, me vlerë 500 mijë euro, të cilat u janë kthyer më pas pronarëve të ligjshëm.


Sigal