Prej më shumë se 30 orësh, një zjarr masiv vijon të përfshijë zonën me shkurre dhe pemë të fshatit Pilur, në Bashkinë e Himarës. Pavarësisht përpjekjeve intensive nga toka dhe ajri, flakët nuk janë izoluar plotësisht dhe situata mbetet shqetësuese.
Deri në mesditën e ditës së djeshme, një helikopter ka kryer ndërhyrje të herëpashershme me ujë për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit. Megjithatë, era e fortë ka favorizuar përhapjen e flakëve, duke e bërë më të vështirë vënien nën kontroll të vatrave.
Ekipet e zjarrfikësve dhe punonjësit e bashkisë kanë punuar pa ndërprerje për të mbajtur flakët larg zonave të banuara. Në orët e para të mëngjesit të sotëm, drejtimi i zjarrit ka ndryshuar dhe po përparon në drejtim të Porto Palermos, duke rritur më tej rrezikun për përhapje të mëtejshme.
Në ndihmë kanë mbërritur edhe forcat e armatosura, ndërsa autoritetet konfirmojnë se helikopteri do të angazhohet sërish gjatë ditës së sotme për të ndihmuar në përpjekjet e shuarjes.