Kalon vettingun, konfirmohet në detyrë prokurorja e Beratit

427
Sigal

Komisioni i Pavarur i Kualifikimi i ka dhënë “OK” një tjetër prokuroreje e cila ka kaluar sitën e vettingut. Mësohet se KPK vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit Eloida Goxhi prokurore dhe drejtuese në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat.

Po kështu me shumicë votash u vendos transferimi i çështjes nr 420 dt. 20. 05. 2013 pranë organit kompetent për inspektim, për shkaqe që mund të përbëjnë shkelje disiplinore sipas pikës 4 te nenit 59 te ligjit nr. 84/2016.

Kjo pas tre denoncimeve nga qytetarët për drejtuesen e Prokurorisë së Beratit. Verifikimi i pasurisë dhe i pastërtisë së figurës rezultuan pa probleme për Goxhin por asaj i është dashur të përballet me ankesat e qytetarëve.

Lidhur me deklarimin e pasurisë, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, ka depozituar një raport pozitiv për subjektin. Komisioni e ka bazuar hetimin në gjithë deklarimet e pasurisë së Goxhit, prej nga është konstatuar se ajo kishte kryer investim në bono thesari në vlerën e 2.2 milionë lekëve.

Deklarimi i prokurores se burimi i investimit në bono thesari ishte paga e saj, ka rezultuar të jetë i vërtetë. Sipas KPK-së, gjithë kursimet e Goxhit ndër vite kapin vlerën e 2.7 milionë lekëve dhe kanë si burim pagën e saj si prokurore e së fundmi si drejtuese e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat.

Ndërkohë, ka rezultuar i vërtetë edhe deklarimi tjetër se ajo jeton me prindërit në një apartament në Tiranë me sipërfaqe 96 m2, i fituar nga privatizimi në vitin 1993 po nga prindërit e saj. KPK ka konstatuar në fund se pasuria e prokurores Eloida Goxhi kishte burime të ligjshme dhe justifikohej me të ardhurat e saj si prokurore.

Lidhur me pastërtinë e figurës, relatorja Suela Zhegu u shpreh se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar e ka vlerësuar prokuroren Eloida Goxhi të përshtatshme për të vazhduar detyrën, pasi nuk ka rezultuar që të ketë pasur kontakte me persona me lidhje me krimin e organizuar.
KPK ka kryer një verifikim të hollësishëm për aftësitë profesionale të Goxhit, ku veç raportit të Prokurorisë së Përgjithshme dhe verifikimit të tetë dosjeve, janë marrë në shqyrtim edhe tre denoncime të kryera pranë Komisionit nga qytetarët.