Italianët kapin 1 ton e 40 kg drogë Lazarati, vlera 10 mln euro

437
Sigal

OTRANTO-Teksa Policia Shqiptare rendit “sukseset” në luftë kundër krimit e trafikut ndërkombëtar të drogës, një ditë më parë, policia italiane bllokon sasinë më të madhe të drogës shqiptare, përkatësisht, marijuanë nga Lazarati. Burimet zyrtare italiane konfirmojnë se janë kapur e bllokuar në një mjet ujor 1 ton e 40 kg drogë, me një vlerë 10 milionë euro. Nga të njëjtat burime mësohet se, bashkë me drogën dhe peshkarexhën që vinte nga brigjet shqiptare, në Otranto, janë ndaluar dhe tre pjesëtarët e peshkarexhës “Mastral”, me shtetësi italiane.

Ndonëse lajmi u dha që në orët e para të ditës së djeshme nga policia italiane, në Shqipëri nuk ka ndonjë person të arrestuar për sasinë e drogës, e cila me vlerë tregu përllogaritet në 10 milionë euro.
“Gjatë operacionit të Guardia di Finanzës, është sekuestruar 1 ton hashash shqiptar, në kanalin e Otrantos. Një helikopter tre mjete lundruese të policisë italiane si dhe dy skuadra të Guardia di Finanzias kanë ndaluar peshkarexhën ku ishin fshehur 1 ton e 40 kilogram drogë. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se droga vjen nga Lazarati, ndërsa dyshohet se peshkarexha ka mundur të marrë ngarkesën në brigjet e Karaburunit, por nuk ka mundur të ndalet nga policia shqiptare, duke mos pasur asnjë person përgjegjës”,-shtojnë burimet italiane.