Itali/ Arrestohet 31-vjeçari shqiptar, kapet me 1.1 kg kokainë me vlerë 300 mijë euro

456
Policia italiane ka arrestuar një 31-vjeçar shqiptar, me akuzën e mbajtjes e trafikimit të lëndës narkotike. Shqiptarit, me profesion mekanik, në makinën e tij iu gjet e fshehur rreth 1.1 kilogram e gjysmë kokainë e cilësisë mjaft të pastër. Sipas medieve italiane, lënda narkotike ishte blerë rreth 40-50 mijë euro e pasi të ndahej në doza do të vlente në tregun lokal rreth 300 mijë euro. Policia italiane ka bërë të ditur se, arrestimi i shqiptarit u bë pas një kontrolli rutinë të policisë rrugore në komunën Berno në provincën e Breshës.
31-vjeçari, u ndalua teksa po udhëtonte në bordin e automjetit të tij tip “Peugeot 206”. Gjatë kontrollit të parë gjithçka rezultoi e rregullt, veçse nervozizmi i shqiptarit nuk i bindi agjentët e policisë të cilët sekuestruan makinën për një kontroll më të imët në kazermën e tyre. Sipas policisë italiane, u është dashur një orë e gjysmë punë për të zbuluar se ku ishte e fshehur sasia e drogës. Brenda vendit sekret qe fshehur 1,1 kg kokainë shumë e pastër. Lënda narkotike ishte konfeksionuar në mënyrë të atillë që t’i shpëtonte nuhatjes së qenve antidrogë. Ndaj shqiptarit, u mor masa e arrestit në pritje të nisjes se procesit gjyqësor. Deri më tani 31-vjeçari, nuk njihej nga policia italiane si përdorues apo trafikant i vogël droge
Sigal