Humb jetën nga Covid-19 marinari i parë

309
Sigal

Një marinar i Marinës së Shteteve të Bashkuara vdiq të hënën pasi ishte infektuar me koronavirusin, duke shënuar kështu vdekjen e parë të një anëtari të ekuipazhit të aeroplanmbajtëses “Theodore Roosevelt” që është goditur nga pandemia.

Në fund të muajit të kaluar, kapiteni i aeroplanmbajtëses, nëpërmjet një letre të hapur, i bëri thirrje udhëheqjes së Marinës për masa më të forta për të shpëtuar jetën e marinarëve të tij dhe për të ndaluar përhapjen e koronavirusit në këtë anije të përmasave gjigande.

“Ne nuk jemi në luftë. Detarët nuk kanë nevojë të vdesin. Nëse nuk veprojmë tani, nuk do të arrijmë të kujdesemi siç duhet për pasurinë tonë më të besuar – detarët tanë”, shkruajti kapiteni Brett Crozier.

Deri më tani, rreth 585 marinarë në bordin e aeroplanmbajtëses me energji bërthamore kanë rezultuar pozitivë pasi janë testuar për koronavirusin. Rreth 4,000 marinarë janë zhvendosur nga aeroplanmbajtësja në instalacionet në Guam, ku anija u ankorua pasi numri i rasteve filloi të rritet.

Letra, e cila u mor nga disa media, vuri në lëvizje një seri ngjarjesh që çuan në shkarkimin e kapitenit Crozier, si dhe dorëheqjen javën e kaluar të Sekretarit të Marinës në detyrë, Thomas Modly.

Dorëheqja e zotit Modly erdhi pas një reagimi në rritje të mënyrës se ai e shkarkoi dhe përqeshi kapitenin Crozier./VOA