Hajdutët shkëmbejnë zjarr me policinë në Fier, një vdes, tjetri plagoset

575
Një tentativë grabitje në Fier ka rezultuar fatale për një nga autorët, pasi gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, ka humbur jetën.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 03:00 në lagjen “29 Nëntori” në Fier. Burime zyrtare bënë me dije se 4 persona të maskuar edhe të armatosur (me pistoleta) kanë tentuar të hyjnë në banesën e shtetasit me inicialet M.M, duke thyer drynin e derës. Por pas sinjalizimit të policisë, hajdutët janë përballur me forcat e rendit dhe kanë hapur zjarr ndaj këtyre të fundit.
Për pasojë gjatë shkëmbimit të zjarrit njëri nga autorët është plagosur dhe një tjetër ka gjetur vdekjen. Ndërkohë, autorët e tjerë, që dyshohet se janë edhe dy, duke qëlluar në drejtim të punonjësve të policisë janë larguar duke përfituar nga errësira dhe kushtet e motit, me një mjet ende të paidentifikuar. Deri më tani nuk dihen identiteti i personit të vrarë dhe atij të plagosur, ndërsa priten të dalin në dritë detaje të tjera.
Informacion paraprak
Në datën 23.03.2018, rreth orës 03:00, policia lokale u njoftua nga një telefonatë se në lagjen “29 Nëntori” Fier, pranë banesës së shtetasit M.M, disa persona kanë tentuar të hyjnë brenda shtepisë duke thyer drynin e derës.
Pas marrjes së njoftimit mbërritën në vendngjarje shërbimet e policisë, të cilët janë përballur me disa persona të maskuar e të armatosur me pistoleta e automatikë, të cilët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të punonjësve të policisë. Në kushtet e reagimit propocional, nga shkëmbimi i zjarrit, njëri nga autorët është plagosur dhe një tjetër ka gjetur vdekjen.
Të dy ata ishin të maskuar e të armatosur me pistoleta, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Autorët e tjerë, që dyshohet se janë edhe dy, duke qëlluar në drejtim të punonjësve të policisë janë larguar duke përfituar nga errësira dhe kushtet e motit, me një mjet ende të paidentifikuar.
Nga rradhët e Policisë së Shtetit nuk ka të lënduar. Menjëherë janë ngritur pika të shumta kontrolli në të gjitha hyrje-daljet e qytetit dhe po vijon puna për kapjen e autorëve të tjerë. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një numër i konsiderueshëm provash materiale. Nën drejtimin e një grupi të posacëm të Prokurorisë, i cili gjendet në vendngjarje, po vazhdon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje.
Sigal