Grabitet nga persona të armatosur e të maskuar biznesi i skrapit

433
Sigal

TIRANË-Një pikë skrapi në afërsi të Vorës në Tiranë është grabitur dje me armë. Sipas burimeve paraprake, grabitja me armë është regjistruar rreth orës 12:30 të ditës së mërkurë nga persona ende të paidentifikuar. Të njëjtat burime shtojnë se krimi i rëndë ka ndodhur në rrugën dytësore Marikaj-Vorë, ku persona të maskuar dhe të armatosur kanë hyrë në pikën e karburantit dhe nën kërcënimin me jetë, të punonjësve kanë grabitur të gjitha paratë që ndodheshin në këtë biznes në atë moment. Mësohet se, shuma e grabitur nga personat e armatosur e të maskuar është 300 mijë lekë të reja. Pasi kanë grabitur paratë, personat e armatosur janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes me një automjet. Punonjësit e terrorizuar, pasi janë larguar grabitësit kanë njoftuar policinë. Policia, pasi ka shkuar në vendin e ngjarjes, ku ka administruar provat, është vënë në kërkim të personave që kryen grabitjen. Njëkohësisht, nga policia janë ngritur postblloqe për kapjen e grabitësve. Në kërkim të autorëve janë angazhuar edhe 6 grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Po ashtu, vazhdojnë kërkimet dhe për gjetjen e automjetit me të cilin kanë lëvizur grabitësit, i cili dyshohet që të jetë djegur prej tyre. Mësohet se, është hera e dytë që ky biznes grabitet nga persona të armatosura. Pikërisht në 3 qershor të këtij viti, kanë qenë dy persona të maskuar dhe me armë që kanë grabitur 12 milionë lekë të reja që ndodheshin në arkën e këtij biznesi. Ajo vjedhje ka mbetur pa autor.