Gjermania: Hetimi për Hysenin e Ebeling zbuloi rrjetin e drogës

443
Sigal

TIRANE – Fakte të reja dalin nga aksioni i zbulimit dhe shkatërrimit të laboratorit të kokainës në Xibrakë të Elbasanit. Këtë radhë është Prokuroria e Hanoverit e cila zbulon se sinjalizimi për laboratorin dhe trafikun e kokainës në Shqipëri ishte dhënë që në mars të vitit 2014, kohë edhe kur kishin nisur hetimet.

Sipas Prokurorisë së Hanoverit që në atë kohë ishte dyshuar për në rrjet ndërkombëtar të trafikut të lëndëve narkotike i cili dyshohej se trafikonte sasi të mëdha kokaine nga Amerika e Jugut për në Evropë. Siç theksohet në Komunikatën e Prokurorisë së Hanoverit, hetimet fillimisht nisën ndaj një 46-vjeçari shqiptar, i cili banonte përkohësisht në Hameln, duke iu referuar Ilir Hysenit, si edhe një 47-vjeçareje nga Bodenverderi (Bodenëerder), e dyshuar si bashkëpunëtore e tij, që ka të bëjë me bashkëjetuesen e tij Pranvera Ebeling.

Dyshimet e autoriteteve gjermane u shtuan edhe më tepër në vjeshtën e vitit 2014, dhe pas zbulimit se baza e rrjetit të trafikut ishte në Shqipëri, iu dërgua shkresë zyrtare autoriteteve shqiptare, duke i kërkuar mbështetje dhe informacione të mëtejshme. Pas hetimeve të përbashkëta që çuan në zbulimin e rrjetit të trafikut të kokainës, u krye edhe operacioni policor, ku sipas Prokurorisë së Hanoverit, laboratori i kokainës në Xibrakë të Elbasanit, ruhej nën masa të larta sigurie.

Gjithashtu organi i akuzës së Hanoverit shprehet se në operacionin policor janë sekuestruar 20 kg kokainë, armë zjarri, një shumë prej 400 mijë eurosh.

“Fillimisht hetimet nisën në ngarkim të një shtetasi shqiptar 46-vjeçar, i cili banonte përkohësisht në Hameln, si edhe një 47-vjeçareje nga Bodenverderi (Bodenëerder), e dyshuar si bashkëpunëtore e tij. Pasi në vjeshtën e vitit 2014 u shtuan dyshimet që baza e kokainës ndodhej në Shqipëri, autoriteteve të atjeshme iu dërgua një kërkesë për mbështetje, duke u përcjellë edhe informacionet e nevojshme. Hetimet në Shqipëri çuan në zbulimin e një laboratori të madh kokaine në një kompleks ndërtesash të veçuara dhe të ruajtura me masa shumë të larta sigurie në afërsi të qytetit të Elbasanit. Në datën 14.01.2015 njësitë speciale të Policisë së Shtetit Shqiptar kryen kontrolle ndër të tjera edhe në këtë objekt. Gjatë kontrolleve të kryera u arrit të sekuestroheshin në një automjet rreth 20 kg kokainë e pastër. Më tej, autoritetet shqiptare sekuestruan edhe disa armë, midis të cilave një armë automatike, para’ në monedha të ndryshme me një vlerë totale prej mbi 400.000 eurosh si edhe disa automjete dhe sasi të mëdha kimikatesh.”thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Hanoverit

Nga ana e tyre policia gjermane ka kontrolluar banesën e Ilir Hyseni dhe bashkëpunëtores së tij Pranvera Ebeling, por pa dhënë detaje. Ndërkohë nënvizohet fakti se në mesin e të arrestuarve është edhe Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, si dhe dy shtetas kolumbianë.

Droga sipas autoriteteve gjermane dyshohet se vinte nga Amerika Latine e përzier me substanca të parrezikshme dhe me ardhjen e lëndës narkotike në Shqipëri, përpunohej për t’u traikfuar pastaj drejt Europës.

“Nga hetimet paraprake dyshohet që kokaina është përzier në Amerikën e Jugut me substanca të parrezikshme dhe pas mbërritjes përftohej sërish në Shqipëri. Dyshohet që laboratori i kokainës ka funksionuar prej disa muajsh. Ende vazhdojnë hetimet për të zbuluar se sa drogë mund të jetë prodhuar gjithsej në laborator. Në Shqipëri u arrestuan 11 shtetas. Ndër të arrestuarit janë edhe dy kolumbianë si edhe 46-vjeçari nga Hamelni. Përveç tyre u arrestua edhe njëri nga nipërit e ish-diktatorit shqiptar Enver Hoxha. Me sa është bërë e ditur, pjesa më e madhe e të akzuarve në Shqipëri ka marrë masën e sigurisë arrest me burg. Hetimet e autoriteteve shqiptare i mbështetën atje edhe një prokuror i Prokurorisë së Hanoverit, oficerë krimesh të Inspektoratit të Gëtingenit dhe Policisë Federale Kriminale si edhe ekspertë të Zyrës Kriminale të Landit Nidersaksen. Të mërkurën në Hameln dhe Bodenverder u kontrolluan banesat e 46-vjeçarit dhe 47-vjeçares së dyshuar si bashkëpunëtore e tij.” thekson organi i akuzës së Hanoverit

Laboratori i kokainës u zbulua dhe u shkatërrua në një aksion ndërkombëtar të Policisë së Shtetit, EUROPOL dhe INTERPOL, ku në pranga ranë 9 persona, të cilët ndodhen në qelitë e burgut, të paktën deri në përfundim të hetimeve.