Fshehje pasurie e korrupsion, gjyqtari humb ‘betejën’ me vettingun

473
Sigal

Një tjetër gjyqtar ka ngecur në sitën e vettingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar sot nga detyra gjyqtarin e Apelit të Shkodrës Luan Dervishi, i cili ishte dhe kandidat për KLGJ. Sipas KPK, Dervishi ka fshehur pasurinë dhe është përfshirë në afera korruptive.

Seanca dëgjimore me gjyqtarin e Apelit të Shkodrës u zhvillua mesditën e së premtes, ndërkohë që trupi gjykues përfaqësohet nga Etleda Çiftja, Firdes Shuli dhe Pamela Qirko.

Komisioni duke iu referuar të dhënave të deklaruar nga vetë gjyqtari në ILDKPI, theksoi se gjyqtari i Gjykatës së Apelit në Shkodër ka bërë deklarim të pasaktë të pasurisë, ndërsa nga të dhënat e tjera të siguruara nga DSIK-ja theksohet se ai rezulton të jetë i përfshirë në afera korruptive.

Sipas KPK-së, gjyqtari Dervishi ka patur kontakte me persona të përfshirë në krim, gjithashtu disponon një truall 365 m² në bashkë-pronësi me persona të tjerë në zonën e Selitës në Tiranë.

Pas verifikimeve mbi aktivitetin e gjyqtarit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nënvizon faktin se ka mospërputhje me mënyrën se si e fitoi truallin, pasi gjyqtari nuk ka paraqitur dokumente që të justifikojë pronën.

Në shtator të këtij viti Luan Derivishi ka kandiduar për KLGJ pas vakancës shpallur për një pozicion nga Gjykatat e Apelit jashtë Tiranës. Ai e ka mbaruar fakultetin e Drejtësisë në vitin 1985 dhe para se të emërohej gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Shkodrës ka punuar si inspektor pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë.