FOTO/ U kap me mina me telekomandë, ja kush është 45-vjeçari. Minat do shiteshin 700 euro copa

24
Sigal

Policia arrestoi 45-vjeçarin Arili Kalija nga Thumana e Krujës, pasi u kap duke transportuar mina me telekomandë nga Lura e Dibrës në drejtim të Rrëshenit.

Ai u kap në hyrje të Rrëshenit, ndërsa iu gjetën:

4 mina me telekomandë te lidhura me aparat celular me lëndë të dyshuara eksplozive;

3 kallëpe lënde të dyshuar eksplozive me kapsollë dhe fitil;

3 kapsolla të lidhura me fitil;

2 kallepë të tjera lënde të dyshuar eksplozive

Sipas raportimeve, që i referohen burimeve nga grupi i hetimit, dyshohet se minat do të shiteshin me 700 euro copa, ndërsa po hetohet se kush ishte porositësi dhe në cilat ngjarje kriminale mund të përdoreshin.

Sipas Policisë së Mirditës, lënda plasëse vinte nga zona e Lurës në Dibër aty ku dhe banonte 45-vjeçari. Sipas raportimeve, policia ka pasur informacione lidhur me lëvizjen e 45-vjeçarit, që duket se nuk është ndaluar rastësisht apo nga ndonjë kontroll rutinë.

Image

Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesën e vjetër të babait të45-vjeçarit të arrestuar, në Lurë, Dibër, u gjetën dy armë zjarri, lëndë eksplozive si ajo që ishte montuar në minat me telekomandë, 10 ndezësa granatash ofensive/defensive, 10 kapsolla detonatore, dhjetëra metra fitil zjarrpërcjellës, si dhe qindra fishekë luftarak.

Policia bën me dije se ky operacion është në vijim të operacionit të regjistruar në muajin Janar, ku në hyrje të qytetit të Rrëshenit u kap 28-vjeçari Marian Gjoka, të cilit në çantën e shpinës iu gjetën dy mina me telekomandë me lëndë plasëse C4” dhe një kallashnikov.

Policia raportoi se strukturat hetimore të Komisariatit të Mirditës, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.