Fluksi në rritje i bandave dhe hajdutëve tmerron Elbasanin

470
Ka disa muaj që Elbasani dhe banorët e tij, gjenden nën pushtetin e bandave të vjedhësve dhe grabitësve, të banesave, bizneseve, makinave, personave dhe gjithçkaje që përbën vlerë monetare e materiale. Pothuajse çdo natë, por edhe gjatë ditës ndodhin vjedhje banesash, vjedhje makinash, grabitje në biznese, apo edhe grabitje personash, duke regjistruar kështu një rekord veprash kriminale për të paktën 3 muajt e fundit. Duket se edhe policia nuk ka forcën dhe aftësinë profesionale të ndalë valën e krimeve që ka mbërthyer qytetin, pas valës së krimeve që ka përfshirë pothuajse gjithë vendin. Burimet policore i thanë “Telegraf” se “kemi çdo 2 orë telefonata dhe informacione për ngjarje kriminale, kryesisht grabitje nga banda adoleshentësh, nga të rinj që pasi drogohen nuk pyesin çfarë bëjnë, e kemi mjaft të vështirë përballjen me kaq shumë ngjarje kriminale, mjete nuk kemi, pajisje nuk kemi, pasi ka sot edhe punonjës policie që detyrën e kryejnë me celularë dhe jo me radiot tona me të cilat japim dhe marrim inofrmacionet tona sekrete të koduara”. 

Katëfishohen grabitjet

Të paktën në tre muajt e fundit vjedhjet, grabitjet dhe veprat e tjera kriminale janë 3 dhe 4 fishuar, ndërkohë që banorët e Elbasanit shprehen se “ndjehemi të pasigurtë për jetën, pronën, banesat tona, fëmijët tanë, policia është e paaftë, madje ka prej tyre të lidhur me grabitësit, para një jave në lagjen Hekurudha u grabit një banesë, u dhunuan edhe dy persona, ndërkohë që edhe kur telefonuam 129 policia ka ardhur pas afro 25 minutave, kur gjithçka kishte mbaruar, dhe personat ishin dërguar në spital pasi kishin marrë plagë nga tentativa për të ndaluar grabitësit”. Por frika e qytetarëve duket edhe në faktin sepse edhe kur telefonojnë, nga salla operative u kërkohet emri dhe numri celularit, madje ka raste kur edhe përgjigjet e policëve janë aspak etike dhe profesionale. Grabitjet dhe vjedhjet ndodhin edhe në qendër të qytetit. Banorët e lagjes Kala, deklaruan për “Telegraf” se “çdo natë rrugicat e lagjes tonë janë nën pushtetin e bandave të vjedhësve dhe grabitësve të droguar, të cilët kanë kohë që po na terrorizojnë, nuk dalim jashtë kur shkon ora 19.00 dhe mbyllemi brënda sepse veç mungesës së ndriçimit në rrugica, tek ne nuk vjen edhe policia kur njoftohet, sepse na thotë se “nuk futen makinat tona në lagjen tuaj”. Situatë dramatike paraqitet edhe në lagjen “V. Xhuvani”, lagjen 5 Maj, në Fushë-Mbret, ku njerëzit kanë frikë të dalin sapo bie errësira, edhe pse kanë probleme familjare e shëndetsore. Edhe në ato lagje banorët shprehen me shqetësim për rritjen e frikshme të veprave kriminale si vjedhjet, grabitjet dhe presionet e bandave të cilat po sfidojnë hapur edhe policinë. Kjo e fundit duket sikur u ka lënë rrugën e hapur këtyre bandave, që së fundi kanë nisur tu vënë gjoba edhe tregetarëve në lagjet e qytetit, krahas vjedhjeve dhe grabitjeve. 

Bandat marrin kontrollin e qytetit

Muajin e kaluar, edhe pse policia ndaloi dhe pastaj arrestoi disa prej vjedhësve dhe grabitësve pjestarë të këtyre bandave, duket se gjithçka është mbyllur, pasi ka qenë gjykata ajo që i ka liruar nga salla pasi “kishte pamjaftueshmëri provash”. Sapo bie nata patrullat e policisë futen skutave dhe presin me padurim mbarimin e orarit të shërbimit. E frikshme paraqitet situata edhe në zonat e banuara të Krastës, kur edhe pse çdo ditë atje ka përqëndrim të patrullës policore, sërish banorët ndjehen të frikësuar nga grabitësit, kryesisht edhe dashamirësit e sporteve. Të frikësuar ndjehen edhe qytetarët e tjerë që çdo ditë ngjisin kodrën e Krastës për ushtrime fizike, pasi shprehen se “kemi parë adoleshentë që lëvizin me makina me shpejtësi gjatë gjithë kohës, në ngjitje dhe zbritje, në prani edhe të patrullës policore, duke presionuar dhe tentuar grabitjen e ndonjë personi që e konsiderojnë se ka me vehte sende me vlerë, kjo ka ndodhur edhe një javë më parë kur një çifti që vraponte ju grabitën të gjitha sendet me vlerë që kishin me vehte, kurse policia kishte parkuar makinën dhe pinte Redbull poshtë tek lokalet”. Situata dramatike në të cilën është katandisur vendi dhe qytetet tona nga mungesa e rendit, qetësisë dhe sigurisë, nga mungesa e ndihmës policore, i ka kthyer qytetarët tek frika dhe ankthi që ata përjetuan nga bandat e grabitësve gjatë në vitin e zi të 1997. Ndaj qytetarët e Elbasanit kërkojnë jo premtime boshe por vepra të realizueshme, jo fjalime, përbetime dhe deklarata mediatike pas çdo vepre kriminale, por ndryshimin e situatës, garantimin dhe rikthimin e rendit dhe qetësisë për jetën dhe pronën e tyre, dhe ndëshkimin e ashpër ligjor për elementët kriminalë. 
Sigal