Filmimet zbardhin skenën e atentatit në Sukth, 2 viktimat u qëlluan nga një BMW X5 dhe një Audi A3

471
Dy ditë pas atentatit mafioz të ndodhur në afërsi të “Mbikalimit të Sukthit”, ku mbetën të vrarë ish-efektivi i policisë, Ervin Dalipaj dhe mikut i tij Juxhin Dauti, janë zbardhur detaje të reja. Burime zyrtare nga prokuroria e Durrësit bëjnë me dije se ekzekutimi i dy viktimave ka ndodhur për 60 sekonda. Sipas hetuesve të çështjes, makina tip “Audi S8” me targa AA 111 OI u qëllua me 32 plumba kallashnikovi. Mësohet se në atentatin ndaj Dalipajt e Dautit kanë marrë pjesë dy automjete, një “Audi A3” dhe një “BMW X5” me ngjyrë të zezë. Fakti që autorët e krimit kanë qenë me dy makina është zbuluar pas këqyrjes së pamjeve filmike të kamerave të sigurisë, që iu sekuestruan bizneseve që ndodhen në autostradën Durrës-Tiranë (afër vendit të ngjarjes).
SKEMA E KRIMIT
Policia dhe prokuroria kanë mundur të zbardhin skemën e krimit. Sipas burimeve nga organi i akuzës, dy viktimat fillimisht kanë qëndruar në autoservisin, i cili është jo më shumë se 300 m larg prej vendit të atentatit, me një fushëpamje absolute. Në autoservis, 38-vjeçari Ervin Dalipaj dhe 27-vjeçari Juxhin Dautaj janë takuar me dy vajza, të cilat kishin mbërritur aty me një automjet “Smart”. Më pas, sapo kanë dalë nga dera e autoservisit, i cili mbikëqyret me 4 kamera filmike e rezolucion të lartë, dy viktimat janë ndeshur me një makinë “BMW X5”, jo më shumë se 15 m distancë në anë të rrugës. Këtu rruga ka fushëpamje absolute edhe nga pjesa e kodrës ku gjenden shtëpitë e banorëve të zonës. Dyshohet që rreth 30 m distancë, për nga kthesa në drejtim të Shijakut, makinën e viktimave e priste një automjet tip “Audi A3” ngjyrë gri.
Sigal