Fermerët nuk kanë treg dhe prodhimet kalben në fushë e sera, sepse shteti nuk interesohet t’i mbështetë

524
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Qeveria ka braktisur bujqësinë, në treg shiten produkte të importuara me çmime të larta

Shqipëria është një nga vendet mesdhetare, që ka të bollshme ditët me diell, reshje të shumta gjatë vitit, toka pjellore, është një vend strategjik midis Ballkanit dhe Evropës dhe të gjitha këto mund të ishin faktorë të rëndësishëm, që të kishim një bujqësi të përparuar dhe prodhimet tona bujqësore të konkurronin me sukses edhe në tregjet evropiane. Mirëpo, fatkeqësisht, ndodh e kundërta…

Fermerët hedhin poshtë prodhimin, ndërkohë që në treg ka mungesa

Një fermer nga Struma e Fierit, i cili merret me kultivimin e kastravecit ka hedhur të gjithë prodhimin e këtij viti. Shkak është bërë mungesa e tregut dhe mbetja e prodhimit stok. Këtë vit familja e Agron Rukos ka mbjellë 7 dynym me domate dhe 3 me kastravecë, duke bërë që kostoja e shpenzimit të shkojë mbi 4 milion lekë. Ky është i vetmi fermer që kultivon kastravecë në këtë fshat dhe, megjithëkëtë ai thotë se prodhimi është duke u prishur, ndërsa kërkon ndihmë nga shteti. Kujtojmë se pjesa më e madhe e banorëve në këtë zonë merret me kultivimin e prodhimeve bujqësore në sera. Në tregun tonë, tregtohet kastravec i importuar dhe kudo çmimi i tij është i lartë, edhe pse prodhimi vendas është me shumicë dhe nuk ka treg shitjeje. Kjo ndodh, sepse magazinimi, tregtimi i produkteve bujqësore është monopolizuar në pak duar dhe ata vendosin çmim monopol kudo. Është absurd që në treg tani në gusht domatja të shitet 2 herë më e shtrenjtë sesa në Greqi, bostani shitet 25 lekë/kg, po kështu edhe perimet dhe frutat e tjera. Dhe më e keqja është se shumica e perimeve dhe frutave që tregtohen tani, nuk janë prodhim vendi, por të importuara. Qeveria shumë pak bën që fermerët t’i inkurajojë dhe ndihmojë me subvencione, të përmirësojë infrastrukturën, të stimulojë edhe bashkimin e fermerëve në kooperativa, të ndihmojë në lehtësira për marrjen e kredive, etj. Fermerët përherë ankohen, sepse derdhin patatet, qepët, domatet, shalqi, fruta, sepse nuk kanë treg shitjeje.