Era stimulon zjarret në pyjet e Elbasanit dhe Dibrës, vazhdon lufta me flakët

472
Temperaturat ranë, por zjarret po vazhdojnë të shkretojnë pyje e kullota të nxitur nga erërat. Në pyjet e Elbasanit dhe Dibrës është luftuar me flakët pa pushim gjatë natës dhe zjarri nuk është shuar as sot. Në rrethinat e Tiranë janë djegur 15 ha me shkurre dhe ullinj vetëm gjatë 24 orëve të fundit.
Në total, 10 vatra zjarri ende aktive në ven.

QARKU ELBASAN
Zjarri i rënë disa ditë më parë në pyllin me pisha në fshatin Poroçan, Gramsh, vijon të jetë aktiv. Forcat e pyjores kanë punuar, por nuk kanë mundur që të izolojnë vatrat për shkak të sipërfaqes së madhe të zjarrit dhe terrenit të thyer malor. Operacioni po vazhdon edhe ditën e sotme për të izoluar vatrat e zjarrit.

QARKU DIBËR
Zjarri në Malin e Theknit në Martanesh u riaktivizua ditën e djeshme. Zjarrfikëset dhe punonjës të Njësisë Administrative kanë punuar deri në mbrëmje për të izoluar zjarrin. Si pasojë është djegur një sipërfaqe prej rreth 5 ha me shkurre dhe pisha. Forcat operacionale po punojnë edhe ditën e sotme për të izoluar vatrat e zjarrit.
Në fshatin Mazhicë, Bulqizë ka rënë zjarr. Për të izoluar flakët kanë punuar forca vullnetare të fshatit, të cilat kanë mundur të izolojnë vetëm zjarrin nga krahu i banesave. Vatrat e tjera janë aktive por nuk paraqesin rrezik për zonën e banuar. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe prej rreth 3 ha me shkurre dhe dushqe. Ditën e sotme po punohet për të izoluar vatrat e mbetura të zjarrit.

QARKU TIRANË
Një zjarr ka përfshirë një sipërfaqe me ullishte në kodrat e fshatit Tilaj, Kavajë. Shërbimi zjarrfikës ka punuar deri në orët e mbrëmjes duke arritur të shuajë vatrat e zjarrit. Si pasojë u dogjën rreth 15 ha me shkurre dhe 20 rrënjë ullinj.

QARKU SHKODËR
Vijon operacioni për shuarjen e vatrave të zjarrit në Malin e Taraboshit në Shkodër. Zjarrfikëset të mbështetur nga forcat e ushtrisë dhe punonjës të bashkisë kanë punuar gjatë gjithë ditës së djeshme për të izoluar flakët duke mos i lejuar ato t’i afrohen banesave dhe bizneseve. Terreni i thyer malor dhe era e fortë kanë favorizuar përhapjen e flakëve duke vështirësuar punën e forcave dhe mjeteve.
Zjarri në Malin e Munellës është izoluar ditën e djeshme nga punonjësit e Njësisë Administrative, të cilët kanë punuar për disa orë me mjete rrethanore. Gjatë ditës së sotme këto forca do të punojnë për të shuar vatrat e fshehura të zjarrit. Si pasojë është djegur një sipërfaqe prej rreth 5 ha me shkurre dhe pisha.

QARKU LEZHË
Në Malin e Rencit, Lezhë, vatra e zjarrit është riaktivizuar ditën e djeshme. Për të izoluar zjarrin kanë ndërhyrë zjarrfikëset, punonjësit e bashkisë, shërbimi pyjor dhe forca ushtarake. Pas disa orë punë është bërë e mundur që zjarri të shuhet. Si pasojë u dogj rreth 6 ha me ferra dhe dushqe.
Vatra e zjarrit në fshatin Berzanë të Lezhës u riaktivizua përsëri. Për shkak të situatës së vështirë është kërkuar edhe ndihma e forcave ushtarake. Pas disa orë punë është bërë e mundur që zjarri të fiket duke mos lejuar që flakët të përhapen në drejtim të zonave të banuara. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 1 ha me ferra dhe dushqe.
Në fshatin Lajthizë, Mirditë ka pasur një vatër zjarri në një zonë malore me shkurre dhe pisha. Zjarrfikëset kanë punuar gjatë gjithë natës për të mos lejuar që zjarri të përparojë në drejtim të banesave. Mëngjesin e sotëm në ndihmë të zjarrfikësve kanë shkuar edhe forca ushtarake të pajisura me pompa shpine për të shuar flakët.
Vatra e zjarrit në fshatin Skuraj të Kurbinit vijon të jetë aktive. Forcat dhe mjetet e zjarrfikësve nuk kanë mundur të ndërhyjnë për shkak të terrenit të thyer.
Sigal