Tre persona, që ishin shpallur në kërkim për kultivim të lëndëve narkotike, kanë rënë sot në pranga në Skrapar. Burime zyrtare bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasit; Esmerald Kaposhi, 31 vjeç dhe Selfo Kaposhi, 39 vjeç, vëllezër, dhe të shtetasit Zylyftar Zhurda, 53 vjeç.
Policia bën me dije se të tre janë të dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Këta 3 shtetas, në bashkëpunim me të tjerë, të organizuar si grup kriminal, gjatë periudhës 2020-2021, kultivuan në 3 parcela, në njësinë administrative Tërpan, bimë narkotike kanabisi. Kjo veprimtari kriminale u godit nga Policia, në kuadër të megaoperacionit anticannabis të koduar “Gjergjova”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme.



















