Eksploziv me telekomandë makinës, rëndë emigranti, shpëtojnë familjarët

482
Sigal

NISIN HETIMET/ Atentat mafioz 40-vjeçarit Petrit Marku. Policia hedh dyshimet e para për hakmarrje

Një automjet ka shpërthyer me eksploziv në dalje të Laprakës pasditen e së dielës, ku i plagosur ka mbetur drejtuesi, ndërsa fatmirësisht kanë shpëtuar bashkëshortja, motra dhe djali i kësaj të fundit, vetëm 2 vjeç. Sipas policisë, e cila shkoi menjëherë në vendngjarje bëhet e ditur se një automjet tip, ‘Benz’ me targa AA787DK, në pronësi të shtetasit Petrit Marku, 40 vjeç me origjinë nga Mirdita është hedhur në erë me eksploziv të vendosur në pjesën e përparme rreth orës 18:35 minuta të së dielës. Në momentin e shpërthimit të automjetit udhëtonin në ‘të 3 persona, bashkëshortja e tij me shtetësi të huaj dhe fëmija i mitur, 2 vjeç.

Shpërthimi

Në dalje të Laprakës makina ka shpërthyer me forcë duke u spostuar rreth 300 metra. Lëvizjet e pakontrolluara të mjetit për pak kanë shkaktuar një tragjedi në rrugë, ku udhëtonin edhe automjete të tjera. Shpërthimi i parë nisi në rrethrrotullimin e doganës dhe ka përfunduar në dalje të rrugës së Laprakës. Sipas burimeve mësohet se, Petrit Marku 40 vjeç, emigrant prej vitesh në Belgjikë është nxjerrë i plagosur rëndë nga automjeti. Emigranti, i ardhur vetëm prej pak kohësh në vend ka humbur një prej gjymtyrëve dhe mjekët e Spitalit Ushtarak kanë dhënë pak shpresa për jetën e tij. Me plagë të lehta në fytyrë ka shpëtuar e shoqja kurse fëmija i çiftit ka shpëtuar për mrekulli pa asnjë dëmtim.

Dyshimet për hakmarrje

Nga hetimet paraprake dyshohet për një atentat pasi eksplovizi është telekomanduar në distancë. Për të zbardhur ngjarjen, policia po heton mbi të kaluarën e emigrantit Marku që prej pak ditësh ishte kthyer në atdhe për pushime me familjen. Kështu shpërthimi që për pak i mori jetën 3 personave të një familjeje dyshohet se, ka lidhje me të kaluarën e kryefamiljarit, emigrant në Belgjikë. Petrit Marku, 40 vjeç rezulton se ka kryer një vrasje në vitin 1998 dhe për këtë ka marrë dënimin me 25 vite burg nga Gjykata e Tiranës. Marku u dënua për vrasjen e Manil Likës, krim i kryer në rrugën “Mine Peza” në kryeqytet. Për krimin, 40-vjeçari u arrestua në Belgjikë shtet nga ku është kryer dhe një ekstradim në vitin 2004. Petrit Marku ka vuajtur dënimin në burgun e Shën Kollit, ku dhe është liruar para një viti.