Dyshohet se publikonte foto të qytetarëve me shprehje denigruese dhe për fshirjen e tyre kërkonte para, prangoset 22-vjeçari

17
Sigal

Policia e Tiranës ka arrestuar një 22-vjeçar me iniciale E.Xh., i cili dyshohet se merrte fotografi dhe video të personave të ndryshëm në rrjete sociale, të cilat i publikonte në profile false, me shprehje fyese dhe denigruese.

Për fshirjen e këtyre postimeve, 22-vjeçari, kërkonte në këmbim shuma parash, që shkonin deri në 1000 euro.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, operacioni policor i koduar “R-13”. Zbulohet një ngjarje e vjetër.

Merrte fotografi dhe video të ndryshme në rrjete sociale, të cilat i publikonte në profile false, me shprehje fyese dhe denigruese, dhe për fshirjen e tyre kërkonte shuma parash, vihet në pranga 22-vjeçari.

Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e krimeve kibernetike dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve që i kryejnë ato, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “R-13”. Si rezultat i këtij operacioni u ndalua shtetasi E. Xh., 22 vjeç, banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ky shtetas merrte fotografi dhe video të personave të ndryshëm në rrjete sociale, të cilat i publikonte në profile false, me shprehje fyese dhe denigruese. Për fshirjen e këtyre postimeve, 22-vjeçari, kërkonte në këmbim shuma parash, që shkonin deri në 1000 €.

Po nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, është autor i disa ngjarjeve të kësaj natyre kriminale, me të dëmtuar që jetojnë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Gjatë hetimeve është dokumentuar edhe një ngjarje e vjetër nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë falënderon emisionin investigativ “Piranjat”, për bashkëpunimin në këtë rast, dhe i bën thirrje të gjithë përdoruesve të rrjeteve sociale, kryesisht grave dhe vajzave, që në çdo moment që do të konstatojnë profile me të dhënat ose fotot e tyre, që do të ndiejnë pasiguri ose frikë, të paraqiten pranë zyrave tona në DVP Tiranë, për të depozituar kallëzim.