Detajet/ Ja si u vra ish-polici në mes të ish-Bllokut

460
Sigal

Ish-polici Ajet Zeqaj u ekzekutua me silenciator mbrëmjen e djeshme në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Ai kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Franca, ku ishte larguar prej vitit 2007 kur hoqi dorë nga policia. Burime nga Policia e Tiranës bënë me dije, se 35-vjeçari është qëlluar me 6 plumba ndërsa pas krimit autori, i veshur me të zeza dhe me kapele në kokë, ka lënë në vendngjarje edhe armën me të cilën i mori jetën ish-efektivit të sapo kthyer në atdhe.

Ndërkohë arma është duke u ekzaminuar nëse në të ka gjurmë gishtërinjsh. Ndërsa blutë e kryeqytetit ende nuk kanë zbardhur shkaqet e këtij ekzekutimi, burime nga policia thanë për Report TV se një tjetër pistë hetimore është edhe ajo e ndonjë konflikti të mundshëm nga të afërmit e ish-bashkëshortes së Ajet Zeqajt. Ai ishte divorcuar para se të ikte nga vendi ku ka lidhur marrëdhënie dashurie me një punonjëse të ambasadës franceze në Tiranë, me të cilën është larguar më tej në Francë, në qytetin Lilë ku dhe jetonte prej 8 vitesh.

Nga rrethanat si u zhvillua ngjarja duket se atentati ishte i mirëmenduar dhe vrasësi ishte profesionist i mirëfilltë.

Si ndodhi vrasja

Burime nga policia saktësuan për Report TV se ish-polici Zeqaj ka qenë në një loto sport me kushëririn e tij duke parë ndeshje të Chamions League, ku luanin Barcelona-Arsenal dhe Juventus-Bayern.

Pak pa mbaruar ndeshja e fundit, Zeqaj ka dalë nga ambienti i basteve së bashku me kushëririn e tij, me të cilin është ndarë për të vijuar rrugën drejt shtëpisë së motrës ku ai jetonte këto ditë që ishte kthyer nga Franca, pranë sheshit Ëilson në rrugën ‘Nikolla Tupe’.

Vetëm 5 metra larg lotosportit, autori i ka bërë pritë në rrugicën e pandriçuar për të qëlluar në drejtim të tij e më tej të largohet pa lënë gjurmë.

Banesa e motrës së tij është në katin e tretë të një pallati pranë vendit të krimit.

Burimet thanë se autori është larguar menjëherë përmes një tuneli për në rrugën “Sami Frashëri”, ndërsa deri më tani i shoqëruari kryesor që mund të hedhe dritë mbi ngjarjen, është kushëriri me të cilin Ajet Zeqaj ishte për herë të fundit para se të ekzekutohej.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje të cilët kanë qenë të shumtë në atë zonë mjaft të frekuentuar të kryeqytetit, trupi i viktimës pas vrasjes ka mbetur në rrugë në pritje të ardhjes së policisë e cila është njoftuar nga qytetarët.

Kush ishte Ajet Zeqaj

Ajet Zeqaj ishte nga Qerati i Tepelenës dhe jetonte prej disa vitesh në qytetin Lilë të Francës. Ai ishte 35 vjeç dhe më parë në Shqipëri kishte mbuluar disa detyra në Policinë e Shtetit. Zeqaj i cili kishte vetëm 20 ditë që kishte ardhur nga Franca, e ka nisur fillimisht karrierën si ushtarak i forcave speciale ne Ministrinë e Mbrojtjes, ku nga viti 1996 deri në vitin 1998 ka qenë pjesë e forcave të armatosura të Shqipërisë. Nga viti 1999 deri në vitin 2001 Zeqaj ka punuar si polic i antikrimit.