Autori i dyshuar i vrasjes së 50-vjeçarit, Alfred Dedja në Ndroq, Julian Gjoshi kunati i kapobandës së Shijakut, Altin Hajri, dyshohet ta ketë qëlluar 2 herë me armë zjarri Dedjan.
Burime bëjnë me dije se viktima ka qenë ulur në një tavolinë dhe autori Julian Gjoshi ka hyrë brenda ambienteve të lokalit dhe është ulur në një tavolinë përballë.
Për shkak të njohjeve që kishin me njëri tjetrin, viktima i është afruar ku dhe kanë debatuar. Pas debatit, Gjoshi e ka qëlluar me dy plumba, dhe për pasojë 50-vjeçari ka gjetur vdekjen.
Pas të shtënave autori i dyshuar është larguar nga vendngjarja, ndërsa policia është vënë në ndjekje të tij. Paraprakisht dyshohet se shkak i këtij konflikti janë bërë prishja e pazareve të drogës mes autorit dhe viktimës.
Julian Gjoshi është arrestuar më herët për armëmbajtje pa leje, ndërsa është kunati i Altin Hajrit, teksa ky i fundit njihet edhe si kreu i organizatës kriminale që drejton trafikun e lëndëve narkotike.
Altin Hajri njihet edhe për lidhjet e tij me politikën, pasi hetimet për ish-deputetin e Ramës, Jurgis Çyrbja, nxori që ky i fundit strehonte Hajrin në këmbim të futjes së ish deputetit e deputetëve të tjerë në listën e sigurtë të Durrësit për llogari të PS.