Dëshmia e nënës ruse: Si më vdiq vajza në Ksamil. Pashë 2 varka dhe time bijë që ngriti dorën lart

347
Prokuroria e Sarandës kërkon caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” me afat 45 ditë, me qëllim pritjen e aktit të ekspertimit, për shtetasin Ermal Fataj, i dyshuar se mund të jetë personi që ka goditur për vdekje me mjetin lundrues skaf shtetasen ruse 16 vjeçe, pak ditë më parë në Ksamil. Ndërsa, pritet që kërkesa e prokurorisë të shqyrtohet ditën e sotme.

Ngjarja në fjalë u shënua të premten, ku vajza teksa ishte duke u larë me mamanë e saj në det ka ikur me not në hapësirën ku rrinë mjetet lundruese. Pas ngjarjes, u konstatua se 16-vjeçarja kishte marrë gërvishtje të thella në kokë e në trup. Nga verifikimet rezultoi se vajza ishte goditur nga një mjet lundrues, dhe për këtë rast u arrestua i dyshuari Ermal Fataj. Në mjetin e këtij të fundit u gjendën disa fije floku të ngjashme me ato të viktimës, ndërsa pritet që të dalë edhe përgjigjja përfundimtare e ekspertizës, që do e përforcojë edhe më shumë dyshimin e hetuesve.

DËSHMIA E NËNËS SË VIKTIMËS
Në datën 21.07.2017, rreth orës 10:00, dy shtetase ruse, nënë e bijë, kanë shkuar në një plazh në afërsi të pikës së parkimit të mjeteve lundruese, dhe konkretisht në plazhin që administrohet nga shtetasi A. P., i cili gjendet përballë tre ishujve të Ksamilit. Pasi kanë qëndruar rreth 30 minuta në rërën e plazhit, pas orës 10:30 shtetaset ruse Kseniia Roik dhe Tatiana Kulagina janë nisur me not për në drejtim të “Tre ishujve”, ku përpara ka qenë Kseniia dhe nga mbrapa ka qenë nëna e saj Tatiana Kulagina. Pasi kanë përshkuar së bashku me not një pjesë të distancës, Kseniia është larguar akoma më përpara dhe Tatiana nuk po e shihte më. Teksa po notonte pas vajzës në drejtimin nga ajo kishte notuar dhe nuk po e shihte më, kur është ndodhur më në afërsi të ishullit, në distancë 30-50 m, ka parë një njeri që nuk mundi ta përcaktonte me siguri nëse ishte vajza e saj, që në një moment ngriti krahët lart. Ndërkaq, në atë moment, po në atë vend ku ndodhej njeriu që çoi krahët lart, Tatiana ka parë edhe një varkë të verdhë, si dhe pak më tutje, më në anë, një varkë të bardhë që ishte më e vogël se e verdha. Pas këtij momenti, ka parë se varka e bardhë qëndroi në atë vend, kurse e verdha u largua. Nuk ka fiksuar se sa njerëz ndodheshin në këto dy varka, por ajo sqaron ato ishin të tilla që kryenin transport pasagjerësh/turistësh, pasi kishte parë shpesh të tilla në Ksamil…
Sigal