Dëmtimi i mjedisit, procedohen penalisht disa persona në Vlorë

18
Sigal

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, ka ndaluar dhe proceduar penalisht disa personave të përfshirë në krime mjedisore dhe dëmtim të pronës publike.

Në një komunikim nga Dhërmiu, Vlorë, Drejtori i Policisë Ermal Muçaj tha se “Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, falë edhe mbështetjes së qytetarëve, ditët e fundit ka nisur një aksion të kontrollit të vijës bregdetare të qarkut Vlorë me qëllim parandalimin e krimeve mjedisore dhe kryesisht ndotjes së mjedisit”.

Sipas tij, gjatë përgatitjeve për sezonin turistik, banorë apo subjekte të tur operatorëve kanë hedhur në mënyrë të pakontrolluar mbeturina inerte në zona jo të caktuar, për këtë qëllim. “Për shkeljet e evidentuara në këtë drejtim, policia ka proceduar penalisht disa persona”, tha ai.

Muçaj i bëri thirrje qytetarëve dhe subjekteve që kryejnë punime për sezonin turistik të bëjnë kujdes me hedhjen e mbetjeve inerte për ti depozituar ato në vendet e caktuara dhe të mos dëmtojnë mjedisin pasi një gjë e tillë është vepër penale.

“Çdo qytetar që evidenton shkelje të tilla duhet të paraqesë ankesë në polici dhe ne jemi në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo rast. Jemi në prag të sezonit turistik dhe është prioritet i qeverisë dhe punës tonë për garantimin e sigurisë së pushuesve dhe mbrojtjen e një mjedisi të pastër dhe të sigurt për gjatë gjithë sezonit turistik”, u shpreh Muçaj.