Dan Hutra i vetëm në qeli, është agresiv

101
Sigal

41-vjeçari Dan Hutra, i arrestuar për vrasjen e 3 grave dhe plagosjen e 3 të tjerave në datën 1 Mars në kryeqytet, është duke u trajtuar me program individual rehabilitimi në ambientet e paraburgimit.

Mësohet se Hutra është duke qëndruar në ambientet Paraburgimit 313, ku Drejtoria e Burgjeve, për shkak të sjelljes së tij të pazakontë dhe agresive, është duke e trajtuar atë individualisht.

Psikologët dhe punonjësit e tjerë socialë, të cilët kanë për detyrë të kryerjen e seancave me grupe të burgosurish dhe paraburgosurish, në rastin e Hutrës po i kryejnë ato në mënyre individuale, për të mësuar më shumë për sjelljen e tij.

Ai u mbyll në qeli pa afat nga Gjykata e Tiranës me argumentet e rrezikshmërisë dhe veprave penale të ngritura ndaj tij, më e rënda ajo e vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare në 4 raste, dy prej të cilave në tentativë.

Në gjykatë Hutra u shfaq i qetë dhe nuk shprehu pendesë për asnjë nga krimet, duke u justifikuar se për secilën prej tyre kishte motiv padrejtësitë që i kishin shkaktuar në jetë.

Ky program është përgatitur pasi 41-vjeçari ka qenë në burg prej moshës 25-vjeçare për vrasjen e gruas se tij të parë dhe autoritetet janë në dijeni të sjelljeve të tij agresive.

Paralelisht, Prokuroria e Tiranës po shqyrton mundësinë e kryerjes së një ekspertizë për të vlerësuar shëndetin e tij mendor.