“Çunat e Shijakut” mund të jenë në Tiranë

557
Altin dhe Emiljano Hajri, të cilësuar si bosët e “Enigmës”, mendohet se fshihen në Tiranë. Mes angazhimit maksimal të Policisë së Shtetit, për të gjetur spiunët mes vetes dhe ndonjë gjurmë të “çunave të Shijakut”, përmendet seleksionimi i një liste me persona që kanë njohje me vëllezërit Hajri. Vila trekatëshe në Pjezës të Shijakut, makinat luksoze dhe ambientet e kompleksit turistik “Golden” kanë furnizuar hetuesit me prova të reja, ku disa emra dhe adresa email-esh janë më kryesoret. Nga ana tjetër, Kontrolli i Brendshëm në polici ka disa të dhëna për dekonspirues në postën policore të Shijakut, që mund t’i kenë lajmëruar bosët për aksionin, por verifikimi vijon edhe tek oficerët e lartë në qendër, pasi ka dyshime se shefat e kanë marrë “lejen e biznesit” para shumë vitesh. Kërkimet për “të pestët” vijojnë mes aksit Tiranë-Durrës, pasi ka të dhëna që Altin dhe Emiljano Hajri, bashkë me tre të besuarit e tyre, kanë lëvizur në këtë segment, por nuk përjashtohet mundësia që ata të strehohen në zona të thella të Shqipërisë. Në operacionin “Enigma”, që u zhvillua pak ditë më parë, u sekuestrua gjysmë toni drogë dhe u arrestuan 16 persona, por krerët e bandës mundën të arratiseshin pa u hyrë gjemb në këmbë.
Bosët në Tiranë
Altin Hajri, Emiljano Hajri, Fortuz Hajri, Shahin Cara dhe Astrit Muça mendohet se strehohen të pestë në Shqipëri. Kjo ishte kupola e të pestëve që lëvizte fijet e heroinës nga Afganistani në Itali. Nga burime të policisë mësohet se orët e fundit ka pasur disa kontrolle në restorante të njohura të Tiranës, ku ka pasur të dhëna për vendndodhjen e të paktën dy elementëve të kësaj kupole, por nuk u gjet askush. Megjithatë, fakti që policia po kryen kontrolle në Tiranë, i ka bërë hetuesit të dyshojnë se ata mund të strehohen në kryeqytet. Fillimisht qarkulloi një informacion, sipas të cilit Emiljano Hajri rezultonte në sistemin TIMS sikur ishte larguar për në Itali më 28 shtator, por këtu ka shumë dyshime. Mendohet për një kthim të shpejtë të tij, të paregjistruar në sistem ose për një largim të stimuluar, pra të pandodhur realisht. Ishte koha kur banda boshatisi llogaritë bankare dhe përmes njerëzve në polici, po organizonte planin e arratisjes dhe strehimit derisa “të qetësoheshin ujërat”. Tashmë Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar bllokimin e pasurisë 10 milionë euroshe të përbërë nga vila trekatëshe, kompleksi turistik “Golden”, karburant, servis etj. Ndërkaq, italianët kërkojnë të sekuestrohen edhe pesë makina luksoze, 70 mijë euro dhe 17 mijë franga zvicerane.
Provat në prona
Kontrolli në ambientet e zotëruara nga familja Hajri në Shijak ka nxjerrë prova të shumta që po analizohen nga ekspertët. Burime pranë Policisë së Shtetit i thanë gazetës “Shqip” se janë gjetur shenja gishtërinjsh në vilën trekatëshe, te pesë makinat luksoze dhe në ambientet e kompleksit “Golden”, të cilat janë dërguar për ekzaminim në Policinë Shkencore. Më tej, të tjera burime ende të pakonfirmuara të policisë shtuan se në vilë është gjetur një lap-top, prej të cilit janë marrë adresa email-i, vende, orare, emra etj. Ndonëse kjo e dhënë nuk është konfirmuar, mësohet se grupi hetimor ka në dorë një listë me emra që janë gjetur në disa dokumente brenda vilës, si edhe adresa të caktuara, të cilat mendohet se janë vendkalimet e drogës. Hetimet që po kryhen për llogari të drejtësisë italiane kanë kulmuar me kërkimin e sekuestrimit të kësaj pasurie përrallore 10 milionë euroshe, e cila dyshohet se është vënë me paratë e heroinës. Të dhënat që do të përfitohen pas analizave në laboratorin shkencor, si krahasimet e gjurmëve të gishtërinjve, numrat e telefonit, adresat elektronike etj., do t’i bashkëngjiten dosjes hetimore të italianëve.
Dekonspiruesit
Policia është fajtore për largimin e bosëve të drogës, pasi vetë italianët kanë shprehur dyshime dhe pakënaqësi në lidhje me punën finalizuese të palës shqiptare. Teksa përtej Adriatikut u arrestuan 14 persona, në Tiranë u kapën vetëm dy “ushtarë”, kurse bosët si përherë ikën në drejtim të paditur. Një moment disi dyshues është orientimi i të gjitha shigjetave drejt një poste policore në Shijak, ku momentalisht po kryhen verifikime nga SHKB-ja, kur historikisht dihet fakti se baronët e drogës i kanë pasur rrënjët mes komisarëve. Për këtë shkak, Kontrolli i Brendshëm po verifikon disa lidhje të mundshme të trafikantëve me shefa në qendër, por ky element thuajse nuk shqiptohet fare nga askush në polici.

Droga e “Enigmës”
Si operonte banda me katër celula
Altin Hajri dhe i vëllai, Emiljani, përmes kodit alfanumerik që përdornin dikur nazistët ngritën katër celula në Itali. Ndërkaq, heroina blihej me pesë mijë euro kg në Afganistan dhe e fshehur në makina kalonte fillimisht Iranin e Turqinë, për të mbërritur në Bullgari, Maqedoni, Shqipëri, teksa u shitej afrikanoveriorëve në Itali me 40 mijë euro kg. Në pesë vite hetim, ekspertët italianë përcaktuan se laboratori i përpunimit të drogës ishte në Roverchiara të Veronës, ku u kapën 130 kg heroinë. Në Trento vepronin dy celula që merreshin me shpërndarjen dhe dorëzimin e mallit, ndërsa të tjera me dërgesat cash të parave në Shqipëri, përmes avionëve ose duke i fshehur në makina. Aty shefi ishte Balla Hajri, kushëri i dy vëllezërve. Ndërkaq, celula e Padovës përbëhej nga kushëriri i Altinit, Fortuzi dhe nga Astrit Muça. Në total grupit iu kapën 500 kg drogë. Ata fusnin të paktën 1 ton heroinë në vit në Itali, ku kishin edhe laboratorë përpunimi.
Aksioni në Tepelenë
Në thasë plastikë, policia sekuestron 140 kg kanabis
Policia gjeti dje një sasi prej 140 kilogramë lëndësh narkotike kanabis në 24 thasë plastikë në banesat e dy vëllezërve në fshatin Luftinjë të Tepelenës. Njëri prej vëllezërve është arrestuar në flagrancë nga policia, ndërsa vëllai tjetër bashkë me dy djemtë e tij është shpallur në kërkim. Policia arrestoi 58-vjeçarin Agim Sela, ku në banesën e tij u gjet një sasi e vogël kanabisi prej rreth 25 kilogramësh. Vëllai i tij dy vjet më i vogël bashkë me djemtë ka mundur t’u shpëtojë prangave, pasi gjatë aksionit të policisë nuk janë gjetur në banesë. Në shtëpinë e 56-vjeçarit Myslym Sela u gjetën 22 thasë plastike me rreth 115 kilogramë kanabis. Po ashtu, policia gjeti edhe një armë zjarri kallashnikov me 30 fishekë. Sela, së bashku me dy djemtë e tij, Gentian Sela, 26 vjeç dhe Xhevit Sela, 24 vjeç, janë shpallur në kërkim.
Sigal