Atentati në Shkodër, hetohen konfliktet e vjetra

562
Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me atentatin e mbrëmjes së të mërkurës në Shkodër, ku mbeti i plagosur rëndë Ilmi Hajdari, i njohur edhe me emrin Mir Vetlla, pranë sheshit Isa Boletini.
Për shkak të plagëve të rënda, ai është dërguar në spitalin e Traumës në Tiranë. Ndërkaq gjatë natës, policia ka kryer një sërë kontrollesh në Shkodër. Burimet e policisë thonë se janë shoqëruar mbi 10 persona, mes të cilëve edhe dëshmitar në vendngjarje. Ata kanë pohuar se i plagosuri po qëndronte në një nga tavolinat jashtë lokalit. Në momentin kur pranë tij nuk kishte njerëz të tjerë, një person i maskuar u afrua në këmbë dhe qëlloi drejt tij 8 herë.
Hajdari mori tri plagë në gjoks dhe 5 plumba tjerë në pjesë të ndryshme të trupit. Në lidhje me shkaqet, policia po heton mbi pistën e konflikteve të vjetra të të plagosurit si dhe të ndonjë sherri të momentit. Ilmir Hajdari i njohur edhe si Mir Vetlla u arrestua në vitin 2009, i dyshuar si bashkëpunëtor i një vrasje të kryer në vitin 2001 në Shkodër. Por më pas ai është liruar nga Gjykata, për mungesë provash.
I plagosuri ishte klient i zakonshëm në lokalin ku ndodhi atentati, çka sipas policisë ai dyshohet se është ndjekur nga atentatorët. Pas atentatit, autori është larguar me vrap, në errësirë përmes rrugicave të zonës. Sipas policisë ka qenë i vetëm në momentin atentatit.
Sigal