Atentati i sajuar, Gjykata e Lartë lë në burg Durim Bamin

429
TIRANË – Nën masa të rrepta sigurie, Durim Bami mbërriti në Gjykatën e Lartë rreth orës 09:50 të këtij mëngjesi për t’iu bashkuar seancës që do të vendosë nëse 36-vjeçari nga Fushë-Kruja do të qëndrojë në burg, apo do të fitojë lirinë duke u përballur me një tjetër masë sigurie.
Durim Bami është i vetmi në çështjen “Doshi” që ndodhet ende në paraburgim. Bami është personi që deputeti i përjashtuar nga PS Tom Doshi pretendon se është paguar nga kryeparlamentari Ilir Meta për të vrarë Doshin dhe deputetin demokrat Mhill Fufi gjashtë muaj më parë. Bami do të dalë para pesëshes së gjyqtarëve Guxim Zenelaj, Majlinda Andrea, Aleksandër Muskaj (relator), Artan Zeneli, Admir Thanza të cilët do të rivlerësojnë masën e arrestit. Kjo, pas ndryshimit të akuzës që iu bë Bamit, nga tentative vrasje të funksionarëve publikë në kallëzim të rremë. Avokati i Bamit, Ilir Murati ka deklaruar më herët se në këtë seancë do të kërkojë lirinë e menjëhershme të klientit të tij. 
Në të gjitha dëshmitë që ka dhënë para hetuesve 36-vjecari nga Fushë-Kruja ka rrëzuar versionin e deputetit Doshi duke thënë se është porositur prej tij për të sajuar historinë e atentatit. 
Ora 12:13 Gjykata vendos: Arrest me burg për Bamin
Ora 11:10 Gjykata e Lartë do të vendosë nëse ka kompetencë për të marrë vendim për Bamin
Trupa gjykuese është tërhequr për të marrë vendim të ndërmjetëm. Kjo do të thotë se ajo që pritet nuk është vendimi final për masën e sigurisë ndaj Bamit, por do të përcaktohet nëse gjykimi për Durim Bamin është ose jo në kompetencën e saj. 
Ora 10:30 Durim Bami në Gjykatën e Lartë, Seanca me dyer te mbyllura
Në ambientet e Gjykatës së Lartë ka nisur seanca për rivlerësimin e masës pas ndryshimit të akuzës për Durim Bamin. Seanca gjyqësore e cila është me dyer të mbyllura, zhvillohet në Gjykatën e Lartë pasi është në të njëjtën Dosje me atë të deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku.
Por pavarësisht se gjyqi zhvillohet në Gjykatën e Lartë ajo vlerësohet si shkalla e parë e gjykimit.
Kanë qenë dy prokurorët, Altin Binaj dhe Adnan Xholi që për shkak të sekretit hetimor kanë kërkuar seancën me dyer të mbyllura.
Ora 09:50 Bami mbërrin në Gjykatën e Lartë
Durim Bami mbërriti në Gjykatën e Lartë me furgon policie ndërsa ishte transportuar nga Fushë-Kruja, ku ndodhej në paraburgim. Nën masa të rrepta sigurie, i prangosur dhe i shoqëruar nga dy efektivë drejt ambienteve të Gjykatës së Lartë, Bami do të marrë pjesë në seancën ku do të rivlerësohet masa e sigurisë ndaj tij.
Sigal