Atentat mafioz, ekzekutohet në qendër të ish-Bllokut biznesmeni Artan Santo

610
Sigal

Krimi i organizuar ndodhi afër Banka Credins. Policia: Atentati nga dy persona të maskuar. Reagojnë personalitete e politikanë të vendit dhe ndërkombëtarët

  Vritet në një atentat mafioz në moshën 58-vjeçare Artan Santo, bashkëpronar i medias “Focus Group”, i bankës ‘Credins’, ‘TV Scan’.

Biznesmeni u qëllua mizorisht për vdekje me armë zjarri dje nga dy persona të maskuar rreth orës 9:30 në zonën e ish-Bllokut, në zemër të kryeqytetit, pranë selisë qendrore të bankës “Credins”, teksa Artan Santo ishte duke hyrë në institucion. Vrasja ka tronditur thellë mbarë opinionin shoqëror, arenën politike, mediatike e biznesmenë në vend, duke qenë se Artan Santo njihej si një biznesmen dhe bankier tepër i suksesshëm në Shqipëri dhe jashtë kufijve. Autorët qëlluan në një zonë tepër popullore dhe të frekuentuar nga kryeqytetasit nën dritën e diellit dhe janë larguar pa mundur të ndalohen nga policia. Ndërkohë, qëndrimi për një kohë të gjatë i atentatorëve brenda perimetrit administrativ të qytetit të Tiranës e pamundësia e policisë (që u njoftua menjëherë) për të kapur autorët, është e pamotivuar… Ja shkurtimisht kronologjia orë pas ore e atentatit të djeshëm ndaj Santos…
Ora 09:20 –Dëgjohen 6 krisma pistolete. Artan Santo, drejtor i Bankës Credins, sapo ka tentuar të futet në godinën e institucionit në ish-Bllok, ka mbetur i vdekur në vend. Kanë qenë dy persona të maskuar, mbi një motor që janë larguar me shpejtësi pas vrasjes.

Ora 09:45 -Trupi i viktimës ndodhet ende në vendin e atentatit. Forca policie kanë rrethuar vendin e krimit. Policia me forca e mjete është vënë në ndjekje të atentatorëve.

Ora 09:49 – Policia e Tiranës konfirmon zyrtarisht se bëhet fjalë për vrasjen e biznesmenit Artan Santo.

Ora 10:00-Pas veprimeve të para, trupi i viktimës tërhiqet nga vendi i ngjarjes. Mësohet paraprakisht se 54 vjeçari është qëlluar me tre plumba, që i kanë sjellë dhe vdekjen.

Ora 10:10– Prokurorë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda ndodhen në vendin e ngjarjes. Po kështu edhe zyrtarët e lartë të policisë.

Ora 10:31- Mësohet se autorët e larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, kanë nisur ecjen drejt daljes së Tiranës, në drejtim të Fushë-Krujës.

Ora 10:45- Një shitëse dhe disa dëshmitarë rrëfejnë për mediet rrethanat e vrasjes.

Ora 10:57- Policia ndoqi autorët deri tek Ura e Gjoles. Po ashtu, policia ka ngritur postblloqe në dalje të Tiranës. Dyshohet se autorët janë larguar drejt Fushë -Krujës. Konfirmohet se një efektiv i policisë rrugore ka mundur të ndjekë autorët deri tek Ura e Gjoles, në hyrje të Fushë- Krujës, por më pas aty janë humbur gjurmët.

Ora 11:11- Forcat RENEA dhe  FNSH ndodhen në Fushë Krujë. Po ushtrojnë kontrolle në kërkim të autorëve.

Ora 12:00-  Përmes një njoftimi për shtyp policia thotë se, po kryhen hetimet për vrasjen e ndodhur në orën 09:30 minuta. “Ditën e sotme rreth orës 09:30 është vrarë me armë zjarri shtetasi Artan Santo, 58 vjeç, me detyrë Drejtori i Përgjithshëm i një banke të nivelit të dytë.  Aktualisht grupi hetimor po kryen veprimet e para hetimore dhe procedurale për të zbardhur tërësisht këtë ngjarje me synim identifikimin dhe kapjen e autorëve. Në vijimësi të hetimeve do t’ju informojmë në kohë”,-thuhet në komunikatën e saj.

Ora 12:56- Mësohet se Santos i ka ardhur vdekja e menjëhershme nga një plumb në kokë. Në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë gëzhojë nga plumbat që janë qëlluar. Është gjetur një predhë tejshpuese që ka goditur kokën e biznesmenit. Hetimet janë përqendruar në disa pista, por nuk jepen detaje. Vrasja ka qenë e mirë organizuar sa është kujdesur që edhe gëzhojat të mos ngelnin në vendin e ngjarjes.

Ora 13:06- Policia jep 10 mijë euro shpërblim për kë jep informacion. “Për çdo informacion të vlefshëm që do të çojnë në kapjen e autorëve Policia e Tiranës vendos këtë shpërblim, në çdo rast duke ruajtur anonimatin duke ju ftuar të telefononi në numrin 069  41  00003:- thuhet në njoftimin e saj.

Ora 13:13- Publikohet fotoja e dy autorëve që kanë qenë me motor dhe me skafandër në kokë.

Ora 13:37- Policia e çon çmimin e shpërblimit në 100 mijë euro

Vetëm 30 minuta pas njoftimit se do jepte shpërblim prej 10 mijë eurosh policia e Kryeqytetit jep njoftimin e dytë se shuma që vihet në dispozicion shkon në 100 mijë euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojnë në kapjen e autorëve, në çdo rast duke ruajtur anonimatin telefoni në 069 41 00003

Ora 14:00-Policia ka ndaluar 2 persona mbi vrasjen e biznesmenit Artan Santo. Ndalimi i dy personave është bërë në Fushë-Krujë. Mësohet se janë shoqëruar pronari i një pikë servisi dhe pronari i motorit që dy autorët përdorën gjatë ekzekutimit të Artan Santos.

Ora 17:00 Për Artan Santon njoftohet se sot (të premten) në 10:00  do ketë homazhe në hotel “Sheraton” në nderim të biznesmenit Santo.

Ora 21:00-Shoferi: Motori na ndiqte prej ditësh që nga shtëpia
Zbardhen detaje të reja nga vrasja e bankierit dhe botuesit të njohur Artan Santo. Mësohet se shoferi i tij, dëshmitari ndoshta edhe më i rëndësishëm në vendngjarje, ka treguar se motori me të cilin udhëtonin dy vrasësit me skafandra, kishte ditë që i ndiqte. Sipas shoferit, motori ndiqte lëvizjet e biznesmenit që nga dalja nga shtëpia e tij pranë Liceut Artistik, e deri tek zyrat qendrore të bankës “Credins” të cilën ai vetë e zotëronte dhe e drejtonte.

Dëshmia e shoferit vjen në një moment deçiziv të zbardhjes së plotë të ngjarjes si dhe hetimeve për kapjen e autorëve. Kjo dëshmi përforcohet edhe më tepër, nga fotot e kamerave të sigurisë në zonat nëpër të cilat lëvizi makina e Santos, e ndjekur hap pas hapi edhe nga vrasësit. Këto fakte dëshmojnë gjithnjë e më shumë se vrasja e biznesmenit nuk ka qenë e rastësishme por ka qenë e mirëpërgatitur nga vrasës profesionistë dhe çfarë është edhe më e rëndësishme nga atentatorë me pagesë.

Vrasja e Artan Santos, dhjetëra personalitete ngushëllime dhe reagim njëzëri: Të kapen autorët!

 Bujar Nishani

 Mësova me tronditje të madhe, lajmin e rëndë për vrasjen e biznesmenit të njohur, Artan Santo. Një humbje e pamasë për familjarët, miqtë, bashkëpunëtorët, por dhe gjithë shoqërinë tonë. Kjo ngjarje e rëndë e shkaktuar nga dora e zezë e krimit, nuk duhet lënë pa u ndëshkuar. Policia e Shtetit dhe Prokuroria duhet të marrin masat për zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë, dhe të dërgojnë para drejtësisë autorët e saj. Ngushëlloj nga zemra dhe u qëndroj pranë bashkëshortes dhe fëmijëve të Artanit. U prehsh në paqe, miku ynë.

Edi Rama

 Na vranë mizorisht një mik të mirë, çun Tirone nga ata të vërtetët, që donte jetën e donte njerëzit, ‪Tan Santo. 100 mijë EU kush ndihmon policinë. Të bësh politikë edhe me krimin e sotëm do të thotë të jesh një opozitë që ushqehesh jo nga aspiratat, as nga idetë, po nga krimet e pisllëku!

Ilir Meta

 Do doja t’i bashkohesha kolegut Blushi në dënimin e vrasjes së një personaliteti të shquar të sistemit tonë bankar, drejtorit të Bankës Credins, Artan Santo. Kërkoj ndëshkimin e autorëve të këtij krimi mizor dhe i shpreh ngushëllimet familjes dhe gjithë bashkëpunëtorëve të tij. Shprehim mbështetjen tonë me te potë për policinë e shtetit për gjetjen e autorëve të këtij akti makabër.

Lulzim Basha

 Dhimbje dhe tronditje përtej fjalëve për vrasjen mizore të Tan Santos. Ky krim i pashembullt mafioz është një alarm i madh qytetar për të gjithë. Ngushëllime dhe solidarizim me familjen dhe miqtë e tij të shumtë.

Sali Berisha

 Artanin e kisha njohur në moshën e tij 4-5 vjeçare, fëmijë i dy prindërve të mrekullueshëm. Artani shkëlqeu gjithë jetën e tij, tashmë të shkurtër. Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt të shëmtuar mizor, dëshmi e një rendi që nuk ekziston apo një rendi që është tërësisht i dominuar nga mafia dhe krimi i egër. Shpreh ngushëllimet e mia me të sinqerta familjes Santo, bashkëpunëtorëve, miqve të Artanit dhe lutem që shpirti i tij të gjejë paqen e merituar!

Ben Blushi

 Jam i tronditur nga vrasja e biznesmenit Artan Santo. Sistemi ynë financiar bankar është goditur. Qeveria të bëjë gjithçka për të kapur autorët. Ngushëlloj familjarët e zotit Santo, fëmijët, bashkëshorten, miqtë dhe kolegët. Ti shkohet deri në fund ngjarjes mafioze!

 

Shkëlqim Cani

 Ditën jemi mësuar ta fillojmë me lajme të mira. Por kjo e sotmja i kalon kufijtë e një keqardhje. Një lajm tronditës. Një akt kriminal i tipit mafioz. Artan Santo u largua nga ne në mënyrë të pamerituar. Miku dhe shoku kombinatas, shumë vite së bashku. Kujtimet e mira nuk mund t’i fshijë ky akt mafioz. Ndjehem keq. Humba një shok, një mik. Ngushëllime familjes!

Spartak Ngjela:

 Ç’është ky tmerr që e ka pushtuar këtë vend? Si mund të vritet drejtori i një banke dhe aksioner kryesor i një televizioni kombëtar? Përse e vranë; për Bankën apo për Televizionin. Vrasësit janë diktuar që jetojnë rreth Fushë- Krujës. Vetëm kaq. Krimi sot mund të godasë këdo, se ndihet i mbrojtur. Artan Santo ka tepër gjasë të jetë seriali i parë i vrasjeve. Kot e mendoni krimin në rrugë: ai është në qarqet e larta të sektorëve të ndryshëm të jetës shoqërore. Ç’punë ka krimi i rrugës me drejtorin e një banke?

Bamir Topi

Dhimbje e dëshpërim për humbjen e një miku. Santo personalitet i botës financiare. Vrasja e Santos, sinjal i fortë i krimit që nuk njeh stepje. U bëj apel autoriteteve që të bëjnë gjithçka për zbulimin e autorëve dhe shkaqeve të vrasjes mafioze të biznesmenit Artan Santo.

 

Elizana Xhameta

 Gjysh Saliu gënjen kur thotë që e ka njohur ‎Tan Santo që në fëmijëri 4-5 vjeç, gënjen, kur thotë që i njihte prindërit e të ndjerit, paturpësisht gënjen. Diferenca e moshës së tyre është vetëm 11 vjet. Kur Saliu erdhi në Tiranë ishte një student i rëndomtë me çorape të bardha dhe nuk e lidhte asgjë dhe askush me Tanin dhe familjen e tij. Por helbete kur dikush të vret natën, të qan ditën! Familja e të ndjerit ishte një nga familjet më me prestigj në lagjen ku unë u rrita dhe u linda. Prindërit e mi dhe të Tanit ishin shumë miq, njerëz intelektual, fisnik dhe “low profile”. I ati i Tanit, Vasil Santo, ishte nëndrejtor në Kombinatin e Tekstileve, ndërsa e ëma Kleri Santo, ishte mësuese në shkollën 8-vjeçare “8 Nëntori”, ishte dhe mësuesja ime… Me Tanin u rritëm bashkë, në të njëjtin ambient. Kur isha e vogël e admiroja, që ishte protagonisti i filmit “Guximtarët” dhe shpesh e ngacmoja për rolin e tij në film. Kur u rrit Tani studioi në Fakultetin Ekonomik, dhe lidhjet tona ishin paksa më të rralla se periudha e fëmijërisë, sepse Tani lexonte e studionte shumë dhe koha e tij ishte më e pakët për xhiro. I ishte përkushtuar 100% studimeve të tij. Donte të ishte i pari, donte të bënte krenar prindërit e tij, donte të ecte me këmbë në tokë. Dhe ja doli! Por nuk ja doli sot. Nuk ja doli përballë krimit. Nuk ja doli përballë vrasësve të tij. Nuk ja doli përballë krimit të organizuar.

U prehsh në paqe miku im i fëmijërisë Artan Santo!

 

Partia Demokratike

 Ekzekutimi mafioz dëshmon se krimi ka arritur në ato nivele të organizimit dhe kurajos, sa të marrë jetën e një personaliteti të fushës së tij, të një biznesmeni nga më të spikaturit, pa ju dridhur dora gjakatare. Partia Demokratike shpreh tronditjen e thellë dhe është në krah të familjarëve, miqve e bashkëpunëtorëve të tij. Të tronditur sot janë gjithë qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë. Vrasja e sotme mafioze, tregon se sa e lirë dhe e pambrojtur është jeta sot në Shqipëri.

Banka e Shqipërisë

 Me hidhërim të thellë morëm lajmin e ndarjes nga jeta të z. Artan Santo, Drejtor i Përgjithshëm i Bankës Credins. Duke dënuar këtë akt të shëmtuar kriminal, në këto momente të dhimbshme i shprehim ngushëllimet më të sinqerta dhe i jemi pranë familjes, të afërmve dhe miqve të z.Santo.

 

Biznes Albania

 Biznes Albania ka shprehur ngushëllimet për Artan Santon, biznesmeni që u nda nga jeta dje pas një ekzekutimi me armë në mes të Tiranës. Biznes Albania e konsideron një humbje të thellë për klasën e sipërmarrjes ndërsa shpreh solidaritet njerëzor për familjen Santo. Ndërsa një thirrje nga Biznes Albania i drejtohet Policisë së Shtetit ku i kërkohet që të zbardhë menjëherë ngjarjen dhe të mundësojë kapjen e autorëve.

 Ja kush ishte Artan Santo

 E nisi karrierën e tij si artist, duke u prezantuar shumë vite më parë para publikut shqiptar, me filmin “Guximtarët”, por pas përfundimit të studimeve fillimisht në Fakultetin Ekonomik, e me pas atë Juridik. Artan Santo, u bë shpejt një nga bankierët më të njohur në vend. Ai luajti një rol kyç në Bankën e Kursimeve, duke e transformuar atë në një periudhë të vështirë për të gjithë ekonominë, nga korriku i 97 deri ne shkurt të 2001, nga një institucion me humbje të mëdha, në një bilanc tejet pozitiv.

Menjëherë me pas mori drejtimin e Bankës “Credins”, duke u identifikuar si një nga menaxheret dhe drejtuesit më të suksesshëm te saj. Por, Artan Santo njihet gjithashtu edhe si një biznesmen i suksesshëm, bashkëpronar i medias “Focus group” dhe televizionit “Skan”. I lindur në 7 shtator 1956, i martuar dhe me dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë.

 Mediat e huaja

 Një ndër rrjetet më të mëdha kombëtare amerikane “ ABC NEWS”, teksa i referohet agjencisë “The Associated Press”, ka shkruar mbi vrasjen e Artan Santos, duke iu referuar policisë shqiptare. “Policia shqiptare është shprehur se kreu dhe bashkëthemeluesi i një prej bankave më të mëdha në Shqipëri, është qëlluar për vdekje në Tiranë. Drejtori ekzekutiv i Bankës Credins, Artan Santo, është goditur me armë zjarri teksa po hynte në zyrën e tij në qendër të qytetit”,- shkruan agjencia. Ndërkaq, edhe media e njohur italiane “Ansa” ka shkruar për vdekjen tragjike të Artan Santos. “Ansa” shkruan se vrasja e bankierit të njohur dhe autorit të disa librave ndodhi në qendër të Tiranës, në zemër të qendrës financiare dhe politike të kryeqytetit të Shqipërisë.