Një tentativë për futjen e sendeve të ndaluara, konkretisht aparate celularë dhe lëndë narkotike, të cilat kishin si destinacion qelitë e të dënuarve dhe të paraburgosurve, është parandaluar në burgun e Fushë Krujës.
Sipas informacioneve policore, gardiani i burgut Hidër Çali ka hedhur një qese të zezë me peshë rreth 6 kg në një nga tarracat e regjimit të jashtëm, me synimin për t’i futur më pas në regjimin e brendshëm.
Pas konstatimit të ngjarjes, policia ka rrethuar zonën dhe ka kryer kontrolle dhe veprimet e para hetimore. Në qesen e zezë janë gjetur 22 celularë, 3 doza kokainë dhe 30 koka përshtatëse karikuesi nga Android në iPhone. Çali është vënë në pranga nga policia.
NJOFTIMI I POLICISË:
Në IEVP Fushë-Krujë, inteligjenca operative në sistemin e burgjeve ka parandaluar një tentativë për futjen e sendeve të ndaluara, konkretisht aparate celularë dhe lëndë narkotike, të cilat kishin si destinacion qelitë e të dënuarve dhe të paraburgosurve.
Punonjësi i rolit bazë, H.Ç., gjatë ndërrimit të shërbimeve, me veprime aktive ka hedhur një qese të zezë me peshë rreth 6 kg në një nga tarracat e regjimit të jashtëm, me synimin për t’i futur më pas në regjimin e brendshëm.
Menjëherë pas konstatimit të ngjarjes, zona është rrethuar dhe është siguruar vendi i ngjarjes për kryerjen e veprimeve të para hetimore. Janë njoftuar menjëherë Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve (SHKBB) dhe Policia e Fushë-Krujës. Pas mbërritjes së autoriteteve përkatëse, pakot janë hapur dhe brenda tyre janë gjetur:
– 22 celularë me aksesorët përkatës (karikues, kufje)
– 3 doza kokainë
– 30 koka përshtatëse karikuesi nga Android në iPhone
Pakot janë gjetur të hedhura në tarracën sipër depos së armatimit, pranë depozitës së gazit dhe nën Vendrojën Nr.1.