Arrestohen 4 punonjës të OSHEE-s në Gjirokastër për shpërdorim detyre dhe vjedhje të energjisë elektrike

42
Sigal

Pas një hetimi të gjatë dhe të detajuar, është finalizuar operacioni policor “Kilovati”, që ka zbuluar një aktivitet të paligjshëm të shpërdorimit të detyrës dhe vjedhjes së energjisë elektrike në Gjirokastër.

Në kuadër të operacionit, janë arrestuar 4 shtetas dhe janë marrë masa ndaj 12 të tjerëve, përfshirë punonjës dhe ish-punonjës të OShEE-së, të cilët abuzonin me sistemin e matësve të energjisë elektrike për të siguruar lidhje të paligjshme dhe përfitime të kundërligjshme. Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të veprimtarisë kriminale.

Si rezultat i një hetimi disamujor, me metoda proaktive, të kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Gjirokastrës, mbi kallëzimin e bërë nga Drejtoria e Përgjithshme Antikorrupsion e Ministrisë së Drejtësisë, finalizohet operacioni policor i koduar “Kilovati”.

Ekzekutohen masa sigurie, të caktuara nga Gjykata e Gjirokastrës, për 16 shtetas:

✅“Arrest në burg”, për 4 shtetas dhe “Arrest në shtëpi”, për 6 shtetas, punonjës dhe ish-punonjës të OShEE, Gjirokastër, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërdoronin bazën materiale të drejtorisë, si dhe siguronin dhe instalonin matës të energjisë elektrike, pa i regjistruar;

✅“Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi për të dalë jashtë shtetit”, për 6 qytetarë, të cilët vidhnin energji elektrike, nëpërmjet këtyre matësve.

Shpallet në kërkim 1 ish-punonjës, me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për të njëjtën veprimtari kriminale.

Sekuestrohen në banesën e njërit prej të arrestuarve: 22 matës të energjisë elektrike, si dhe 13 kuti plastike dhe 9 vula për vendosjen dhe vulosjen e tyre. Gjithashtu, janë sekuestruar sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale dhe dokumente të ndryshme në funksion të hetimit.

Gjatë operacionit “Kilovati”, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Seksionin Operacional dhe me Seksionin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, ekzekutoi masën e sigurisë:

Masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit: 

– Sotir Kaci
– Reiz Gjoleka
– Rasho Bizhga
– Ignadjo Basha

Masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetasit:

– Roland Skëndo
– Seit Rondo
– Taulant Beqiri
– Xhemal Bistri
– Sazan Braja
– Ermal Xhavara

•Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi për të dalë jashtë shtetit”, për 6 qytetarë të akuzuar për vjedhje të energjisë elektrike.

Nga hetimet dyshohet se punonjësit dhe ish-punonjësit e OShEE, Gjirokastër, kanë shpërdoruar bazën materiale në magazinën e drejtorisë, për të siguruar dhe instaluar matës të energjisë elektrike, pa kontratë me OShEE-në, me qëllim marrjen e përfitimeve të kundërligjshme, nga abonentë familjarë dhe subjekte, të cilët nëpërmjet këtyre matësve, vidhnin energji elektrike.

Në banesën e 32-vjeçarit të arrestuar, u gjetën sendet e sekuestruara me cilësinë e provës materiale dhe u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose e impulseve telefonike”.