Akuzohet për atentatin ndaj Inez Hajrullës, Gjykata lë në burg Igli Memaj

744
Sigal

Gjykata ka vendosur sot masën e sigurisë “arrest në burg” për Igli Memaj, i cili akuzohet si një ndër personat që kanë bërë atentatin kundër Inez Hajrulllës.

Memaj, që njihej dhe me nofkën “Sulioti” është ekstraduar pas ditë më parë nga Italia dhe sot ka dalë para gjykatës.

Ai prej kohësh ishte në kërkim, për atentatin ndaj Inez Hajrullës, 10 maj 2019, në qendër të qytetit të Vlorës, në afërsi të bar “OSLO” por është kapur nga autoritetet italiane. Memaj nuk është personi i vetëm i shpallur në kërkim, pasi dhe disa persona të tjerë janë në kërkim dhe disa prej tyre janë kapur dhe pritet të ekstradohen.

NGJARJA DHE DETAJET E GRUPIT

Grupi ka vepruar me role paraprakisht të ndara, ku tre kanë qenë në grupin e zjarrit, dhe pesë në rolin e vëzhguesit të objektivit dhe ndihmësit për largimin e autorëve nga vendngjarja. Shtatë persona nga kjo skuadër momentalisht janë arrestuar, ndërsa një person i tetë, i quajtur Fatmir Hyseni (Elidon) Musaj ose “Doqia” i Vlorës dhe pjesë e grupit të zjarrit është shpallur në kërkim.

Në mëngjesin e 10 Majit 2019, Inez Hajrulla, person me precedent penalë, ka qenë në shoqërinë e disa shokëve të tij në lokal, që ndodhet në kompleksin “Oslo” në Vlorë, kur nga dy armë automatike janë lëshuar breshëri plumbash drejt tavolinës së tyre.

Hajrulla nuk ka marrë asnjë dëmtim, kjo falë edhe reagimit të tij me një pistoletë që atë ditë e kishte me vete. I vetmi person që ka marrë një plumb në këmbë, ka qenë një punonjës i bashkisë Vlorë, Dajko Cenodemaj, që ishte rastësisht në një lokal tjetër
Pkuroria dhe policia e Vlorës kanë identifikuar 8 persona si pjesëmarrës në këtë atentat, ku momentalisht 7 janë arrestuar dhe ndodhen në burg, ndërsa personi i 8 dhe kryesori i kësaj skuadre, është shpallur në kërkim.

Katër prej këtyre personave si të implikuar në këtë atentat, janë arrestuar në datën 15 nëntor 2019, të cilët quhen Albano Goxhaj nga Fieri, Ardjan Ahmeti Tirana, Dejvison Serjani menaxher i një klubi nate të njohur në Tiranë si dhe Daut Elmazi, ky i fundi nipi i Armando Sulejmanijt ose “Çipurit” që momentalisht ndodhet në burg.

Ndërsa në Vlorë është prangosur Xheladin Merko, person që dyshohet se ka ndihmuar grupin e zjarrit, të largohet dhe përkrahur autorët, pas krimit dhe djegies së makinave. Operacioni policor “Gjurmimi” është shtrirë deri në Itali, ku pikërisht në këtë shtet, janë arrestuar Gentian Dauti vs Zoto dhe Igli Sulioti vs Memaj.

Ndërkohë në kërkim vijon të jetë Fatmir Hyseni (Elidon) Musaj ose siç njihet ndryshe në Vlorë me nofkën “Doqja”, ose kunati i “Didit” të Vlorës. Ky person momentalisht nuk është mundur të arrestohet nga policia e Vlorës, ndërkohë që emri i Fatmir Hysenit, rezulton në kërkim edhe për ngjarjen e vrasjes nga klani “Duka”, të ish-policit Santiago Malko në Tiranë.

Zbulimi në këto dy ngjarje kriminale në Vlorë dhe Tiranë, ka bërë që për Fatmir Hysenin tashmë të jenë lëshuar dy vendime arrestimi, nga gjykata e Vlorës dhe ajo e Krimeve të Rënda në Tiranë.

Por për Hysenin dhe skuadrën e tij bien dyshime të forta se kanë qëlluar edhe mbi Edison Harizaj dhe shokut të tij Genci Caci në Durrës, por ende nuk ka një urdhër-arresti për këtë ngjarje.