Aksidentet. Në rrugë lëvizin makina të vjetra, shoferë të pirë e pa patentë, dorëzohen rrugorët

562
Sigal

Në rrugë lëvizin 55% mjete “skrap”, 35% me kolaudim fiktiv, të dehur e pa patentë. Për pasojë, aksidentet kanë ardhur në rritje

Krimin që ndodh në rrugët shqiptare, të quajtur në letra “aksidente rrugore”, realisht e pasqyron një raport i përpiluar 5 muaj më parë, nga Ministria e Brendshme dhe Ministria e Transportit Rrugor, referuar investigimeve të bëra prej dy institucioneve të tyre vartëse, konkretisht Drejtorisë së Qarkullimit të Policisë Rrugore dhe Drejtorisë së Kontrollit të Shfrytëzimit të Mjeteve të Transportit Rrugor. Ky raport informues “për përdorim të brendshëm” në lidhje me gjendjen e qarkullimit rrugor në Shqipëri, për shkak të treguesve skandaloz që vazhdojnë të lejohen në qarkullimin rrugor, vazhdon të mbahet “sekret” në kasafortat e dy ministrave përkatëse, edhe pse ligjërisht nuk duhet klasifikuar si “informacion sekret”. Në institucionet përkatëse monitoruese e vlerësuese të BE, prej dy ministrive respektive janë dërguar dhe vazhdojnë të dërgohen informacione “lustër”, krejt i kundërt me realitetin e “zi” që vazhdon të jetë dominues dhe i toleruar në akset rrugore shqiptare. Në rrugët shqiptare, vazhdon të ndodh masivisht masakra e aksidenteve rrugore. Ky investigim, tashmë i “ngurosur” si “sekret shtetëror” në “drynat” e ministrave Haxhinasto e Tahiri, flet për gjendjen reale që po përjetohet prej shqiptarëve në akset rrugore, lidhur me qarkullimin e mjeteve, njerëzve, mallrave dhe me detyrimet e pa zbatuar ligjore e administrative të shërbimeve të kontroll-menaxhimit të qarkullimit rrugor.

Në rrugë qarkullojnë 55% automjete “skrap”, me “moshë” deri 30- vjeçare

Rrugët shqiptare, nacionale, internacionale, urbane, rurale janë të mbushura me makina. Sipas inventarit të automjeteve të regjistruara në institucionet e transportit rrugor të shfrytëzimit, rezulton se, janë 572 mijë mjete të çdo lloji shërbimi. Të gjitha këto janë në qarkullim. Po cila është cilësia, gjendja teknike dhe mosha e mjeteve që qarkullojnë në rrugët e Shqipërisë? A njihet gjendja teknike e tyre dhe çfarë qëndrimi mbahet? Sa për qind e aksidenteve, shkaktohen prej automjeteve në gjendje fizike e teknike “skrap”? A veprohet, për të “pastruar” transportin rrugor nga këto automjete “plehra” që “vrasin” përditë jetë njerëzish? Cila është cilësia, gjendja teknike dhe mosha e mjeteve, që qarkullojnë në rrugët e Shqipërisë? Duke deklaruar, se nuk ka asnjë ndërhyrje nga institucionet ligj-zbatuese në transportin dhe kontrollin rrugor, për nxjerrje jashtë qarkullimi mjetet që kanë kthyer rrugët në Shqipëri, në vende masakrash njerëzore dhe shkatërrim pasurish, pa bërë komente po japim një statistikë konkrete.

– Në rrugët e Shqipërisë afro 45% e mjeteve totale të transportit të njerëzve si autobusë, minibusë, furgona, vetura, taksi që qarkullojnë aktivisht, janë mjete vit prodhimi, që duhet të kishin dalë nga qarkullimi përpara 20 e 30 vitesh.

– Aktualisht, në rrugët e Shqipërisë, 55% e mjeteve të transportit të mallrave që janë në qarkullim, janë si vit prodhimi dhe kohë përdorimi, që sipas kushtit teknik ligjor të prodhuesit dhe standardit ligjor teknik shqiptar, duhet të kishin dalë jashtë përdorimi që 15-20 vjet më parë.

– Aktualisht, 35% e autobusëve urban e interurban të licencuar, që qarkullojnë përditë dhe shërbejnë me kohë të plotë në transportin e njerëzve brenda qarqeve e në të gjithë vendin, sipas kushtit teknik të prodhuesit dhe gjendjes faktike teknike, duhet të kishin dalë jashtë përdorimit që 20-25 vite më parë.

– Aktualisht, 40% e furgonëve të licencuar si shërbim taksi nga pushteti vendor për transport udhëtarësh zonal ndërqytetës e rrjet kombëtar, rezultojnë të kenë kaluar me 15-20 vjet kohën e përdorimit për përdorim transporti udhëtarësh dhe 10-15 vjet kohën teknike për transport mallrash.

– Në 100% të rrugëve nacionale në Shqipëri, vazhdojnë të lejohen të qarkullojnë mjete transporti shërbimesh rurale e vetjake jo motorike dhe mjete motorike mallrash e madje karroca me kuaj, që kanë standarde e “kod” qarkullimi vetëm lëvizje në rrugë jo nacionale, rurale, ose për anekse dytësore e tretësore brenda dhe midis qendrave të banuara, përgjatë autostradave e rrugëve nacionale.

– Në Shqipëri, 80% e shoqërive të transportit të udhëtarëve me autobusë, furgonë taksi, nuk kanë as parqe shërbimi teknik dhe as sektor të drejtimit teknik të mjeteve.

Kolaudimet fiktive/ 35% në kafene, shkak i 48% të aksidenteve

Sipas raportit, një nga shkaqet e aksidenteve që ndodhin në rrugë është falsiteti në kolaudimin e mjeteve. Fakti që kolaudimi i mjeteve është monopol, pra në dorën enjë firme të vetme koncensionare, krijon mundësi abuzimi. Ky abuzim është real, konkret i konstatueshëm prej organeve të shfrytëzimit të mjeteve. Por edhe ky shërbim kontrolli i shfrytëzimit të mjeteve, duket sikur ka rënë në “ujdi” me shërbimin e kolaudimit dhe falsitetit vazhdon e për shkak të tij, vazhdojnë aksidentet e shumta. Në të 14 qendrat monopol që funksionojnë në 12 qarqet e vendit, shërbimi kolaudimit të mjeteve, rezulton me probleme serioze. Punonjësit e këtij shërbimi, vazhdojnë të vendosin vula e firma pa kontrolluar praktikisht shumicën e mjeteve, madje bëjnë “kolaudime” qysh tek portat hyrëse të pikave të shërbimit e nëpër kafene, në shkëmbim të pagesave të paligjshme. Policia e shtetit, ka bërë shpesh herë publik këtë fakt, duke u nisur prej llojit të aksidenteve rrugore, të cilat në shumicën e rasteve janë shkaktuar prej gjendjes jo të mirë teknike të mjeteve. Edhe pse mjetet e përfshira në aksidente rrugore, kanë pasur leje sigurie teknike qarkullimi prej qendrës së kolaudimit, ato në fakt pas ekspertizave teknike, kanë rezultuar si mjete që nuk duhet të ishin në qarkullim. Sipas raportit të policisë së shtetit, afro 48% e aksidenteve kanë ndodhur për shkak të gjendjes së keqe teknike të mjeteve, por që në letra kanë vulat dhe firmat e kolaudimit. Këtë gjë, policia e shtetit ia ka deklaruar në një takim edhe zotit Alex Michael, drejtor i kompanisë koncensionare zvicerane të kolaudimit “Societe Generale de Surveillance” (SGS), që realizon kontrollin e automjeteve në Shqipëri. Por kjo histori vazhdon ende. Në rrugë, sipas policisë rrugore, vazhdojnë të qarkullojnë mjete që nuk duhet as të pranohen për kolaudim e regjistrim e jo më certifikohen prej kolaudimit për të qarkulluar, mbasi janë jashtë standardeve si gjendje fizike, si vit prodhimi, si gjendje teknike e si nivel ndotjeje. Shqetësimi i kolaudimeve formale, sa për të mbushur arkën e firmës monopol të kolaudimit dhe privatisht xhepat e punonjësve të saj që firmosin kafeneve, u bë prezent dhe në analizën vjetore të Policisë së Shtetit, kur firma nuk denjoi të merrte pjesë si palë përcaktuese kryesore në sigurinë teknike të mjeteve në qarkullimin rrugor. Vetëm një fakt: gjatë vitit 2013, policia e qarkullimit rrugor dhe ajo e shërbimit të transportit rrugor, kanë konstatuar afro 18% të mjeteve me letra kolaudimi false dhe afro 35% të mjeteve me kolaudim fizik e teknik fiktiv, pra me firmosje “sigurie” në kafene.

Fakti/ 45% të mjeteve drejtohen nga të dehur, droguar, pa patentë…

Ligji lejon çdo shtetas, të blejë dhe përdorë mjet transporti, për të qarkulluar e punuar në çdo aks rrugor. Mirëpo kur futesh në rrugë për qarkullim, nuk lejon të mos zbatosh rregullat dhe kërkesat teknike të mjetit që përdor. Pikërisht kjo lejohet në Shqipëri. Agjencitë e shërbimeve të qarkullimit rrugor, dalin për kontrolle nëpër rrugë, por nuk veprojnë sipas për të detyruar zbatimin e kritereve të qarkullimit sipas ligjit. Sa e zbatojnë shqiptarët, detyrimin ligjor që parashikon përdorimi i këtyre mjeteve, për të patur siguri në qarkullim për veten dhe të tjerët? Sa respektohet ligji mbi licencimet e mjeteve të transportit të udhëtarëve? Sa ushtrohet kontrolli ligjor, administrativ dhe madje mjekësor, moshor, fizik e psikik mbi drejtuesit e mjeteve? Sipas specialistëve, faktet dhe në këtë aspekt janë tepër shqetësuese.

– Prej 20 vitesh, licencat e autobusëve e furgonëve vazhdojnë të jepen pa respektuar kushtin e vitit të prodhimit të mjetit dhe lejet e drejtimit.

– Prej 20 vitesh, lejet për drejtim autobusi e furgon pasagjerësh, jepen pa respektuar moshën ligjore sigurisë, të përgjegjshmërisë dhe aftësisë fizike të drejtuesve që është 30-50 vjeç.

– Në 35% të rasteve, transportin e udhëtarëve e bëjnë drejtues mjetesh të pa kualifikuar e të paaftë fizikisht, madje në shumë raste dhe të paaftë mendërisht për këtë lloj shërbimi.

– Afro 32% e drejtuesve të mjeteve, janë persona deri të moshës 50-60% të alkoolizuar kronik, ndërkohë që 30% e drejtuesve të mjeteve të moshës 20-30 vjeç i drejtojnë mjetet në gjendje të dehur dhe 25% në gjendje të droguar.

– Afro 20% e drejtuesve të mjeteve, janë persona të pa pajisur me leje drejtimi dhe të pa kualifikuar si drejtues mjetesh, ndërkohë që afro 25% e drejtuesve të mjeteve qarkullojnë edhe pse janë të pezulluar me afate kohore të ndryshme, për shkelje e aksidente rrugore.

– Afro 30 % e drejtuesve të mjeteve të transportit të njerëzve dhe 25%  e drejtuesve të mjeteve të transportit të mallrave, rezultojnë “pacientë” me sëmundje kardiake, tensioni e psikike, ndërkohë që afro 20% e tyre rezultojnë të moshuar mbi 60-65 vjeç.

Ja 6 shqetësime nga qarkullimi rrugor 

1. 40% e drejtuesve kryesorë të sektorit të shërbimit të qarkullimit rrugor janë emëruar në funksionet e larta me klientelizëm politik e nepotik, në kundërshtim me standardet kualitative, profesionale e menaxhuese të detyrave që kryejnë.

2. Afro 40% e inspektorëve të policisë rrugore, dhe 70% e kontrollorëve të shërbimit të shfrytëzimit rrugor në terren, janë pa kualifikimet përkatëse që kërkon pozicioni i punës, ndërkohë që 15% janë jashtë standardit të moshës që parashikon veprimtaria aktive në këtë lloj shërbimi (50-55 vjeç).

3. Vetëm në 7 % të rasteve të aksidenteve, shkon në kohën e duhur ndihma e shpejtë dhe e specializuar teknike e mjekësore në vendin e aksidentit, ndërsa në 93% të rasteve, kjo ndihmë shkon pasi aksidenti e ka “bërë punën e vet”.

4. Vetëm për shkak të vonesës së ndihmës së specializuar e operuese teknike, rezulton që në 36 % të rasteve të aksidenteve, të shkaktohen vdekje që mund të evitohen nga dhënia e ndihmës së kualifikuar në kohën e duhur.

5. Komiteti Ndërministror për Sigurinë Rrugore nuk mblidhet çdo 6 muaj siç e parashikon ligji mbi transportin rrugor.

6. Prej 15 vitesh, nuk realizohet kualifikimi dhe testimi i detyrueshëm 6 mujor i drejtuesve të mjeteve të transportit masiv të njerëzve si autobusë, minibusë e furgona.

Përparim HALILI