Agjencia Kombëtare e Krimit: Bandat shqiptare po kontrabandojnë miliona sterlina nga Britania drejt Shqipërisë

92
Sigal

Agjencia Kombëtare e Krimit në Britaninë e Madhe bëri të ditur se bandat shqiptare po kontrabandojnë miliona sterlina nga Britania drejt Shqipërisë çdo vit.

Në një deklaratë për mediat, AKK, e cila njihet edhe si versioni britanik i FBI, tha se kanë nisur më shumë se 70 hetime aktive për krimin e organizuar të emigrantëve. Shumica e tyre kanë lidhje me shqiptarët.

Shqiptarët tani përbëjnë numrin më të madh të atyre që mbërrijnë në Britaninë e Madhe me varka të vogla duke kaluar Kanalin Anglez.

Drejtuesi i lartë i AKK, Gec McCann tha se bandat shqiptare po sjellin forcë pune për trafikantët e drogës.

Ndërkohë AKK bëri me dije se: “Grupet e krimit të organizuar shqiptar në Britaninë e Madhe kanë objektiv kryesor që kur fitojnë para, t’i nxjerrin sa më shpejt nga vendi”.

“Pra ata i kontrabandojnë paratë nga Britania e Madhe në Shqipëri në çfarëdo forme që të vijë. Përllogaritjet janë se qindra milionë sterlina britanike po largohen nga Britania e Madhe dhe po përfundojnë në Shqipëri,” thanë zyrtarët e lartë të AKK.

Sasia e parave kriminale që po largohet nga Britania e Madhe është rritur në mënyrë eksponenciale gjatë katër ose pesë viteve të fundit, me një rritje prej 20 përqind.

“Paratë cash janë ‘mbreti’ në shtetin ballkanik, ku shumë njerëz nuk kanë një llogari bankare dhe ku përdoren shumë pak kartat e kreditit,” tha një zyrtar i AKK.