A po mbron policia dhëndrin e Qazim Sejdinit, i cili vrau shokun?!

399
Sigal

Adriano Hajdari dhe Sokol Sanxhaktari pritet të dalin në gjykatën e Elbasanit për t’u njohur me masën e sigurisë ndaj tyre.

Prokuroria kërkon “arrest me burg” për dy personat, që dyshohen për kryerjen e veprës penale “Vrasja me dashje” e kryer në bashkëpunim, ndaj viktimës Florian Lamçja, i njohur ndryshe si Flor Qorri.

Hajdari dhe Sanxhaktari u përfshinë në një grindje me sende të forta me Florian Lamçen duke bërë që ky i fundit të humbasë jetën për shkak të goditjeve të marra.

Sokol Sanxhaktari, dhëndri i ish-kryebashkiakut Qazim Sejdini, është një personazh i njohur për drejtësinë. Ai është akuzuar se ka kryer një sërë veprash penale, por me sa duket, gjithmonë i ka shpëtuar drejtësisë.

Sanxhaktari njihet si miku i afërt i  Sokol Çelës, ky i fundit i akuzuar si i përfshirë në ngjarjen që ndodhi mesnatën e 18 shtatorit kur një automjet i blinduar tip “Audi A8”, goditi makinën e patrullës së Policisë, brenda të cilit ishte ish-zv.drejtori i Policisë, Gjergji Oshafi.

Policia e Elbasanit, ndërkaq ka hartuar raportin për ngjarjen e rëndë të ndodhur në qendër të këtij qyteti. Por mediet paralajmërojnë se po bëhet gjithçka që është e mundur për të shpëtuar dhëndrin e ish-kryebashkiakut Sejdini. Kështu, sipas, “Pamfletit”,  janë bërë hetimet e para nga prokuroria, rezulton se në 3 telefonat e të prangosurit Sokol Sanxhaktari, ka 118 komunikime “konfidenciale”, bërë reciprokisht me 2 drejtuesit e lartë policorë të Qarkut Elbasan, Arjan Muça e Albert Nushi.

Nga këto biseda, 5 janë bërë pak minuta pas vrasjes, por ende nuk dihet përmbajta e tyre; ndërkohë që pas arrestimit të dhëndrit Sanxhaktari, me dy drejtuesit e policisë, ka biseduar ish-kryebashkiaku Qazim Sejdini.

Në këtë artikull përflitet se në raportin e policisë gjendja e Sanxhaktarit do të paraqitet ngjarje e shkaktuar në efektin e alkoolit dhe në mënyrë të pavetëdijshme, madje duke e shoqëruar me ndonjë raport mjekësor nga Spitali Psikiatrik i Elbasanit për dhëndrin e Sejdinit.