5 të plagosur nga 3 aksidente, në aksin rrugor Kapshticë-Korçë

457
Vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar tre aksidente në aksin rrugor Kapshticë-Korçë. Nga këto aksidente kanë mbetur pesë persona të plagosur përfshi këtu edhe një familje nga Dibra, emigrantë në Greqi. Aksidenti i parë, bëjnë më dije burime të policisë rrugore pranë drejtorisë së policisë së Korçës, ndodhi në afërsi të fshatit Dishinicë në drejtim të Kapshticës kur një 33-vjeçar banues në qytetin juglindor duke drejtuar automjetin tip “Hundai” nga shpejtësia e madhe humbi kontrollin dhe u përplas me një kamion të parkuar në rrugë. Nga kjo përplasje mbeti i plagosur drejtuesi i mjetit si dhe bashkëshortja e tij 27-vjeçarja E.N., të cilët ndodhen në spital jashtë rreziku për jetën.
Rreth 30 minuta më vonë, në të njëjtin aks rrugor një mjet tip “Benz” u përplas me një motor të drejtuar nga një 45-vjeçar kur për pasojë u dëmtua drejtuesi i motorit ndërkohë që drejtuesi i mjetit është larguar nga vendi i ngjarjes. Aksidenti i tretë ndodhi në afërsi të fshatit Cangonj ku B.I., 46 vjeç nga Dibra rezident në Greqi ishte duke udhëtuar me bashkëshorten dhe djalin e tij kur nga shpejtësia tej normave te lejuara pasi humbi kontrollin doli nga rruga duke përfunduar në kanal. Nga aksidenti mbetën të plagosur tre pjesëtarët e familjes të cilët ndodhen në spitalin e Korçës. Gjatë kësaj periudhe nisur nga kthimi i emigrantëve për pushime në vendin e tyre, janë shtuar dhe aksidentet në rrugën nacionale Kapshticë-Qafë-Thanë edhe në kushte kur janë shtuar patrullat e policisë rrugore, të cilët ju kërkojnë në veçanti emigrantëve, të bëjnë kujdes në respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor.
Sigal