3 të vdekur, 4 të plagosur, bilanci i 3 aksidenteve nga veriu në jug

409
Sigal

Tre të vdekur dhe katër të plagosur është bilanci i tre aksidenteve rrugore të regjistruara mëngjesin e sotëm në rrugët e vendit.

Në Kurbin një automjet doli nga rruga si pasojë e shpejtësisë dhe gjeti vdekjen drejtuesi i mjetit si dhe u plagos një pasagjer. Në Gjirokastër një grua u aksidentua për vdekje teksa i preu rrugën një makine. Në mesditë një makinë me katër shtetas kosovarë është aksidentuar pranë tunelit të Kalimashit në aksin Kalimash-Rrëshen, ku një prej tyre ka humbur jetën ndërsa tre të tjerë janë plagosur.

Fushë-Krujë, vdes në aksident 19-vjeçari, plagoset pasagjeri
Një i vdekur dhe një i plagosur është bilanci i një aksidenti të ndodhur në orët e para të mëngjesit në aksin rrugor të superstradës Laç-Fushë Krujë, në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Patokut. 19-vjeçari Anton Lleshi, banues në Laç të rrethit Kurbin, humbi jetën si rezultat i daljes se makinës nga rruga. Në momentin e aksidentit, 19-vjeçari ka qenë duke drejtuar një autoveturë tip “Peugeot”, me targë LA 2781A, ku pasi ka dalë nga rruga është përplasur me një shtyllë. Përplasja ka qenë fatale për te riun, i cili ka gjetur vdekjen, ndërkohë që i dëmtuar pa rrezik për jetën është pasagjeri Petrit Lleshi.  Në vendngjarje gjenden forcat e policisë së komisaritatit të Kurbinit, ndërkohë që grupi hetimor po kryen veprimet procedurale.
 
U aksidentua në Gjirokastër, ndërron jetë sapo mbërriti në Tiranë me helikopter
Një 40-vjeçare e aksidentuar në Gjirokastër ka ndërruar jetë sapo ka mbërritur me helikopter në Spitalin e Traumës në Tiranë. Në aksin Kakavijë- Gjirokastër në vendin e quajtur Sofratik mjeti tip “OPEL” me targa greke YNP 4993  ka përplasur këmbësoren me iniciale M.B, 40 vjeçe nga Libohova. Sipas policisë 40-vjeçarja ka tentuar të kalojë rrugën nga njëri krah në tjetrin duke i ndërprerë rrugën automjetit të drejtuar nga Grigor Magllara, 51 vjeç nga Vrisera Gjirokastër. Mësohet se 40-vjeçarja me inicialet M.B, është transportuar fillimisht në spitalin e Gjirokastrës dhe më pas është nisur me helikopter drejt Tiranës për mjekim më të specializuar, por nuk ka mundur të mbijetojë. Drejtuesi i automjetit ka qëndruar në vendngjarje dhe më pas është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Gjirokastër për veprime të mëtejshme.
 
Aksidentohet automjeti me kosovarë, një i vdekur dhe tre të plagosur
Rreth mesditës së sotme një tjetër aksident ka ndodhur në aksin Rrëshen – Kalimash në afërsi të tunelit të Kalimashit. Nga të dhënat paraprake të policisë mësohet se një makinë me targa të Kosovës ka dalë nga rruga si pasojë e shpejtësisë në afërsi të tunelit të Kalimashit. Si pasojë e aksidentit një person ka humbur jetën, ndërkohë që dy të tjerë kanë mbetur të plagosur. Burime nga policia bëjnë të ditur se personat e përfshirë në aksident janë shtetas kosovarë. Viktima është Iridon Fejzo,  21 vjeç, ndërsa ka mbetur i plagosur i vëllai 26-vjeçar Ardian Fejzo. Të plagosurit e tjerë janë Blerim Fejzo dhe Fidan Ismaili, 30 vjeç, të katërt nga Mitrovica. Mësohet se dy të plagosurit nga aksidenti janë dërguar në spitalin e Kukësit për të marrë mjekimin e nevojshëm.