3 të plagosur nga një aksident në Urën Vajgurore, njëri në gjendje të rëndë

524
Sigal

Tre pjesëtarë të një familjeje janë plagosur rëndë mesditën e sotme në Berat si pasojë e një aksidenti ku është përfshirë dhe drejtori i Doganës.

Aksidenti ndodhi në aksin nacional Berat-Lushnje, në dalje të Urës Vajgurore, ku një “Benz” me targa “AA 843 PE”, i drejtuar nga drejtori i Doganës së Beratit, Mirjan Prifti është përplasur me një “Opel” me targë “AA 29 DI”, që drejtohej nga një vajzë 19-vjeçare.

Kjo e fundit, e identifikuar me inicialet A.T, mësohet se udhëtonte në drejtim të qytetit të Durrësit, ku jeton prej disa kohësh së bashku me familjarët e saj.

Përplasja e dy mjeteve, që udhëtonin në krah të kundërt me njëra-tjetrën ka qënë e fuqijshme dhe mjeti i drejtuar nga 19-vjeçarja, në bordin e të cilit ndodheshin edhe familjarët, ka dalë nga rruga duke u përplasur me bordurën mbrojtëse.

Si pasojë, janë plagosur të tre personat, të cilët janë dërguar në spitalin rajonal të Beratit. Burime nga reparti i kirurgjisë bëjnë me dije se një grua 64-vjeçare ndodhet në gjendje të rëndë për jetën dhe është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa dy të tjerët ndodhen ende nën kujdesin e mjekëve të Beratit.

Ndërkohë, ekspertët e qarkullimit rrugor që mbërritën në vendin e ngjarjes konfirmuan se drejtuesi i “Benzit” është drejtori i Doganës, i cili sipas policisë ka marrë vetëm lëndime të lehta.

Burimet shtojnë se po punohet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, por nuk japin të dhëna nëse Mirjan Prifti është shoqëruar në komisariat.