2 të vdekur dhe 1 i plagosur bilanci i atentatit në Milot

425
Sigal

MILOT- Dy persona u ekzekutuan dhe një i tretë mbeti i plagosur rëndë në një prit të ngritur poshtë një ure në Milot, mbrëmjen e djeshme (19 shkurt) në afërsi të Milotit.

Nga të dhënat e para të policisë mësohet se viktimat kanë qenë duke udhëtuar me makinë kur rreth orës 21:00  2 persona ende të paidentifikuar i kanë zënë pritë dhe kanë qëlluar me automatik në drejtim të tyre. Vrasja ndodhi pranë një pike inertesh, poshtë urës së Milotit.Tre viktimat po udhëtonın me një automjet tip “Golf 5”, nga Lezha në drejtim të Laçit. Sipas policisë kanë gjetur vdekjen e menjëhershme Klodian Ndreca, 28 vjeç dhe Taulant Prendi, ndërsa ka mbetur i plagosur vëllai i Taulanit, Aurel Prendi.Ky i fundit është dërguar me urgjencë në spitalin e Lezhës ku ndodhet nën kujdesin intensive të bluzave të bardha.

ORA 22:30, DYSHOHET SE AUTORI KA NGATËRRUAR OBJEKTIV
Sipas policisë tre të rinjtë merreshin me punime dekorative dhe në momentin që ranë në pritë po ktheheshin në banesën e tyre në fshatin Pllanë, pak km larg vendit ngjarjes.Burime të pakonfirmuara pranë policisë së Lezhës bëjnë me dije se automjeti me të cilin udhëtonin të rijntë i përkiste kushëririt të dy vëllezërve Prendi, shtetasit me iniciale M.P, i cili dyshohet se ka precedente penalë në Itali. Të njëjtat burime pohojnë së dyshohet se vrasësit mund të kenë ngatërruar objektiv, duke menduar se në makinë ndodhej shtetasi me inicialet M.P.  Ende nuk ka asnjë informacion për autorët e pritës, ndërsa policia e Lezhës në vendin e ngjarjes kreu veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave. Momentalisht po hetohen në dy pista ajo e ndonjë konflikti pronësi apo konflikti të ditëve të fundit.

GURORJA?
Nga ana tjetër, policia tha se po heton edhe për një konflikt pronësie në këtë fshat, sidomos për shkak të një guroreje që ndodhet në Pllanë, por nga grupi hetimor nuk janë bërë me dije detaje të mëtejshme.Ndërkaq, në vendin e ngjarjes, policia sekuestroi të paktën 20 gëzhoja automatiku “Kallashnikov”, të cilat u dërguan në laboratorin e kriminalistikës. Pritet të merret në pyetje edhe Aurel Prendi, i cili ndodhet në Spitalin e Lezhës.Pas kësaj ngjarjeje, në Pllanë kanë mbërritur forca të shumta policie, si nga komisariatet e Qarkut të Lezhës, ashtu edhe nga FNSH-ja e Shkodrës. Gjithashtu u ngritën postblloqe të shumta policie në të gjitha rrugët nacionale, pasi dyshohet se autorët e krimit u larguan me automjet. Deri në orët e mesnatës, policia kishte shoqëruar 15 persona, por nuk ka pasur informacion zyrtar për ndonjë të arrestuar konkret.