Prof. Lush Susaj: Jemi njëlloj si në komunizëm, ku për çdo gjë vendoste partia dhe ku zyrtari dhe administrata duhet t’i shërbenin partisë, e jo Shqipërisë

66
Sigal

Flet Prof. Lush Susaj: Në pamjen e jashtme duket që ka disa komisione, konkurime dhe vendime, sa për sofizëm e për të mbushur dosjet fictive

 

– Në komunizëm ruhej sado pak kriteri profesional, që tani nuk e përfillin fare.

– Vëndin e profesionalizmit, duket që e ka zënë besnikëria dhe trimëria në firmosjën e verbër të dosjeve fiktive për punë të pa kryera.

– Për nga kualiteti dhe dëmbërja, administrata aktuale i tejkalon të gjitha administratat dhe qeverisjet që kemi patur përgjatë 113 viteve të fundit.

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

 

Në këto vite të ashtuquajtura demokraci, problem më madhor i shoqërisë shqiptare ka qenë administrata. Në formimin e qeverive të dy krahët e plitikës shqiptare kanë vuajtur nga keqqeverisja dhe administrata e korruptuar. Nëpunësit e korruptuar, të paaftët, të njëanshmit, të politizuarit duhet të jenë larg administratës. Në administratën publike në vendin tonë vlerësimet më të sinqerta kanë qenë ato të qytetarëve, që në vijimësi kanë shprehur pakënaqësira të vazhdueshme ndaj administratës që përveç, që marrin rroga të majme, por edhe e kalojnë kompetencën e detyrës duku marrë rryshfete të pamerituara.

Olsi Komici është jurist me një eksperiencë të gjatë në administratën shtetërore dhe tashmë drejtori i ri i (AKU). Por… Komici është paditur në SPAK nga Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion për falsifikim dokumentesh. Sipas Shoqatës së Avokatëve, Olsi Komici është marrë para disa kohësh i pandehur nga prokuroria dhe ka qenë i proceduar për falsifkim dokumentesh. Si e spjegoni këtë emërim në një institucion ku profesioni i juristit nuk ka vend? A mos vallë është një shpërblim për besnikërinë ndaj partisë në pushtet?

Të tilla ngjarje e fenomene janë bërë masive. Në pamjen e jashtme duket që ka disa komisione, konkurime dhe vendime, sa për sofizëm e për të mbushur dosjet fiktive. Ndërsa jemi njëlloj si në komunizëm, ku për çdo gjë vëndoste partia. E ku zyrtari dhe administrata duhet t’i shërbenin partisë, e jo Shqipërisë. Me një ndryshim që në komunizëm ruhej sado pak kriteri profesional, që tani nuk e përfillin fare. Vëndin e profesionalizmit, duket që e ka zënë besnikëria dhe trimëria në firmosjen e verbër të dosjeve fiktive për punë të pa kryera.

Populli thotë se “koha kohës nuk i ngjan”. Në këtë këndvështrim, kjo administratë mjerane në meritokraci dhe moral shtetërorë që kemi patur dhe që kemi sot e 12 vite të shkuara, nuk mund të përmbushë asnjë lloj pritshmërie, sfide e as detyrimi kombëtarë e ndërkombëtarë të Shqipërisë dhe populli shqiptarë. Për nga kualiteti dhe dëmbërja, administrata aktuale i tejkalon të gjitha administratat dhe qeverisjet që kemi patur përgjatë 113 viteve të fundit (1912-2025). Qofsha i gabuar, por nga sa po shoh dhe po kuptoj çdo ditë të punës time në terren dhe në hallkat e administratës, duket që kemi të bëjmë me një administratë që është fiks sikurse mund ta kenë imagjinuar armiqtë më të pamëshirshëm e më të egër të Shqipërisë. Në këtë mal me shkelje e dhunime të rendit moral e ligjor, rasti i Olsi Kamicit për të cilin po më pyesni, fatkeqësisht nuk përbën më shqetësim, lajm dhe as ndonjë përshtypje të madhe. Sepse parregullsia dhe shkelja e vazhdueshme e kritereve dhe ligjeve të meritokracisë, duken si ngjarje normale, të përditshme, të zakonshme e të kudondodhura. Në Shqipëri, në këto 12 vitet e fundit, është krijuar nga hiçi një sistem në shërbim të kontrollit total të partisë dhe të shantazhimit dhe frikësimit të çdonjërit me vëndin e punës, e deri edhe me kafshatën e gojës. Kështu është krijuar e po funksionon në shërbim të partisë, e jo të shtetit ai që quhet “sistemi i drejtorëve” apo “niveli i lartë i drejtimit”, nga ku partia kontrollon, frikëson, shantazhon dhe sundon mbi çdo specialistë, profesionistë, e deri mbi puntorin e fundit. Kjo strukturë mbledh të dhënat për partinë. Këta drejtora që bëjnë karrierë sa herë që zbatojnë porositë e partisë për votat dhe punësimet në prag të fushatave elektorale. Janë këta drejtora që gjatë 4 viteve i kanë lënë njerëzit pa punë, e si me magji në prag të fushatave elektorale, plotësojnë shkresat për të marrë në punë ata që shesin votën.

Madje po dëgjojmë se po ofrojnë vënde pune edhe për ata që do të votojnë jashtë, kush shet votën hyn në punë, tjetrit i rroftë ajo diploma dhe profesioni që nuk ja njef askush.

Mjerë populli që pranon të nënshtrohet, mashtrohet e të shitet, apo blihet në këtë mënyrë.

-A ka pasoja ky lloj shpërblimi partiak në qeverisjen e vendit?

Ky sistem konspirativ, antishkencorë dhe antimeritokraci është me pasoja serioze, sepse është ndërtuar kudo me njerëz me defiçienca të thella në formimin e tyre shoqërorë e profesionalë.

Sikurse dikutohet kudo, e që nuk po protestohet askund e për asgjë, ky system frikësimi, kontrolli dhe persekutimi partiakë, është ndërtuar me pesanjosët dhe kakistokratët që nuk u poqën kurrë, deri kur i nxorri dhe i poqi partia, e si gjithmonë për të zezën e Shqipërisë.

Këta njerëz të katapultuar në krye të administratës dhe institucioneve, tashmë janë kthyer në belanë më të madhe të specialistëve, të ekspertizës dhe të elitës më të mirë të Shqipërisë.

Kemi të bëjmë me një system dhe model të kopjuar nga diktatura, e që fatkeqësishtë sot është sistemi më i kamufluar e më i arrirë i idjotëve që prej më shumë se 10 vitesh po qarkullojnë pa rregull e pa asnjë meritë nga njëri institucion tek tjetri, duke dhunuar, persekutuar e dëbuar çdo specialistë dhe ekspertë, që kundërshton dhe reagon kundër injorancës së tyre.

Për të tilla situata, At Gjergj Fisha, ka shkruar: “Ani pra kush po i prin kombit/? Ju do pyka dalë prej llomi (llumit)./ Jo pse ju Shqipninë e doni./ Jo pse ju ndoj sënd kuptoni.

Në këtë këndvështrim, unë mendoj që të tillë drejtora të këtij sistemi, nuk janë të jashtëzakonshëm për nga dija, as të kuptuarit e as talenti. E veçanta e tyre është bindja dhe shërbimet pa kufi ndaj interesave të partisë, e jo ndaj interesit të shqiptarëve dhe Shqipërisë.

Emërime të tilla ka dhe në AFM si një juriste merr post drejtues jashtë fushës së saj kur duhej të ishte ekonomiste? Si bëhen këto emërime mbi baza profesionale, apo si qokë partie? 

Në administratën e sotme, ky fenomen është aq masiv, saqë shumë pak njerëz punojnë në profesionin, apo në fushën e kompetencave të tyre. Është krijuar një situatë edhe më kaotike, nga sa mund ta imagjinojmë kaotizmin. E gjithë kjo parregullsi është krijuar dhe po mbahet në shërbim të korrupsionit me projektet, me fondet dhe me projektet, të cilat nuk shkuan kurrë në destinacionin e duhur.

Kemi parë dhe po shohim përditë se si ekonomisti shkon në punën e veterinerit, sikurse edhe mjeku me diplomën e blerë shkon dhe zë vëndin e inxhinierit të pyjeve. Apo agronomi shkon e bën punën e mësuesit, kurse tek prodhimi bujqësorë, apo blegtoral shkon dhe merr rrogën një tjetër që nuk ka bërë asnjë orë mësimi për fushën. Apo flautisti që punësohet.

Jo më kot, BE dy ditë më parë, në mos gabohem me 3 shkurt 2025, doli me një deklaratë, ku thuhen ato për të cilat neve kemi folur dhe kemi shkruar çdo ditë.

Deklarata e komisionit të BE për integrimin, theksonte nivelin mizerabël dhe nevojën urgjente të reformimit dhe ndërtimit të një administrate meritokratike, funksionale e gjithpërfshirëse.

Sepse, unë mendoj se fenomeni Olsi, është shumë masiv, është bërë ndotës dhe degradues.

Situata në të cilën ndodhemi më sjell ndërmënd shprehjet e pavdekshme tek Fan Noli (1924), që kur ka folur për 5 anarkitë, e që janë më aktuale se kurrë, shkruan se: “E treta është anarkia morale: këtu qeni s’njeh të zotin; këtu karakteret lopësohen, qullosen dhe ndërrojnë forma dita-ditës si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha”.

Ekzaktësishtë, të përkëdhelurit dhe të katapultuarit e partisë dhe klaneve kriminale e nepotike në krye të institucioneve, mendojnë se i di të gjitha, edhe pse nuk di asgjë.

Mendojnë se meritojnë të nderohen e të shpërblehen, edhe pse në fakt nuk meritojnë asgjë më shumë se sa përbuzjen e popullit për dëmin që kanë shkaktuar e që po i shkaktojnë.

Me kujtohet edhe reagimi i Akademik Artan Fugës, që e ka cilësuar administratën aq të verbër, aq nepotike dhe aq djallëzore, saqë e krahason me një thes me kadavra e qelbësira.

– Shqipëria ka një administratë nepotike, të korruptuar dhe të krimbur në injorancë.

– Në Shqipëri, në këto 12 vitet e fundit, është krijuar nga hiçi një sistem në shërbim të kontrollit total të partisë dhe të shantazhimit dhe frikësimit të çdonjërit me vëndin e punës, e deri edhe me kafshatën e gojës.

– Mjerë populli që pranon të nënshtrohet, mashtrohet e të shitet, apo blihet në këtë mënyrë!

Në këtë reagim, Fuga ka shkruar se: “Unë jam në gjendje t’u provoj se me perjashtim të një pakice nëpunësish administrate, jo më shumë se 11% e tyre, që janë me meritë. Katër vjet na thanë se kishim bërë shtet. Dy javet e fundit papritmas po na bindin se në vend të një administrate publike ose në pushtetin lokal, paskeshim një tufë kunetrish, baxhanakësh, çunash daje, krushqish që familjarisht ndajnë poste, punësojnë njeri tjetrin, dhe e kanë bërë administratën shtetërore ose bashkiake si oborr shtëpie ku për natë bëhet dasëm mes krushqish me aheng”.

Kjo lojë kaq hajdute e djallëzore, duket që e ka vendosur shtetin dhe administratën në shërbim të partisë, e jo të Shqipërisë sikurse duhet të ishte. Kjo është puna e të ligut, ndërsa me shqetëson heshtja dhe paturpësia e atyre që merrën me mua, duke më goditur tinëzishtë e vetëm për shkakun se flas e që reagoj kundër padrejtësive. Heshtja lind përbindësha, ndërsa reagimi krijon qytetarë të përgjegjshëm. Unë dua të jem qytetarë e jo përbindësh.

Filozofia na mëson se gjithkush, jashtë profesionit të tij, është injorant-është i paditur.

Në këtë aspekt, vëtëm të përkëdhelurit e partisë dhe të klaneve korruptive dhe kriminale mendojnë se i dinë të gjitha, apo që mund t’i bëjnë të gjitha, sepse injorancën e kanë për stoli.

Ata mendojnë njëlloj si në komunizëm, ku të gjitha ti jep dhe ti merr partia. Për këtë arsye, në çdo gjë, në çdo vendim e në çdo punë që bëjnë, janë antiligj, antishtet, varfërues dhe konfliktualë.

Heshtja ndaj kësaj situate e pabesia, më duket se është padrejtësia dhe dëmi më të madh për shtetin dhe fatet e kombit shqiptarë. Në këtë situatë të krijuar, intelektuali, nëpunësi dhe specialisti i ndershëm e me meritë, nuk ka pse konkuron, sepse nuk pranohet askund. Kjo për shkak se kudo të shfaqën fytyrat e zeza të korrupsionit dhe nepotizmit të partisë, që ka në dorë punësimin, që lehtësishtë mund të zevendësojë me patronazhistin, apo më mërhumin më të madh.

– Kemi parë dhe po shohim përditë se si ekonomisti shkon në punën e veterinerit, sikurse edhe mjeku me diplomën e blerë shkon dhe zë vëndin e inxhinierit të pyjeve!

– Apo agronomi shkon e bën punën e mësuesit, kurse tek prodhimi bujqësor, apo blegtoral shkon dhe merr rrogën një tjetër që nuk ka bërë asnjë orë mësimi për fushën.

Kështu janë shkatërruar të gjitha institucionet e bujqësisë, të arsimit, të kulturës, të shkëncës, të shëndetësisë, etj. Kështu janë bërë ligjet për blegtorinë nga njerëz, që nuk e njohin fare këtë fushë, e kjo vetëm për të shpërblyer importuesit. Janë bërë ligje për bujqësinë nga të tjerë mërhuma që nuk kanë asnjë lidhje me këtë profesion, e kjo vetëm për ta vdekur punësimin dhe prodhimin vëndas. Kështu po ndodh edhe në arsim, e kudo tjetër.

Në këtë rrafsh, për mua Olsi është një fenomen masiv, e nuk është ai qytetari me këtë emër.

Unë nuk e njoh dhe nuk e kam takuar kurrë Olsin, ndërsa e njoh shumë mirë këtë fenomen.

Unë jam i shqetësuar, pikërisht nga njohja e madhe që kam patur dhe kam me këtë fenomen dhe këtë administratë kunetërish, dajash, baxhanakësh, krushqish, bashkëfshatarësh dhe cubash, që tashmë është bërë një barrë dhe bela e madhe për çdo shqiptarë.

Natyrisht që zgjidhja vjen përmes reagimit mbarë kombëtarë, e jo kurrë përmes heshtjes as revolucioneve e as kacafytjeve primitive.