Prof. Dr. Kristaq Kume: Votimi i diasporës në zgjedhjet e 2025. Mundësitë dhe sfidat e procesit zgjedhor

102
Sigal

Prof. Dr. Kristaq Kume, ish-kreu i KQZ-së, analizon debatet mbi besueshmërinë, sfidat teknike dhe rolin e postës në procesin zgjedhor

Votimi i diasporës shqiptare në zgjedhjet e ardhshme mund të ketë ndikim të rëndësishëm në ndarjen e mandateve dhe procesin e formimit të qeverisë. Kristaq Kume thekson se kjo është një mundësi e madhe për të përfshirë shqiptarët jashtë vendit, por gjithashtu kërkon vëmendje të veçantë për të ruajtur integritetin dhe transparencën e procesit zgjedhor.

Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, diaspora shqiptare ka mundësinë për herë të parë të votojë në zgjedhjet parlamentare, një mundësi që shoqërohet me sfida dhe kërkesa të reja ligjore. Për të mundësuar këtë proces, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka krijuar një platformë të veçantë, “PER”, që lehtëson regjistrimin e diasporës, por një nga pengesat më të mëdha mbetet kërkesa për dokumente, që vërtetojnë adresën e banimit. Në një intervistë për gazetën “Telegraf”, ish-kreu i KQZ-së, Kristaq Kume, thekson se kjo kërkesë është një pasqyrë e reformës zgjedhore dhe masave për të siguruar integritetin e procesit zgjedhor. Kume flet për sfidat që mund të lindin nga fluksi i madh i aplikimeve dhe nevojën për të garantuar transparencën e procesit të votimit, duke siguruar një shërbim postar ndërkombëtar të besueshëm. Në këtë analizë të thellë, ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kristaq Kume, reflekton mbi ndikimin e mundshëm të diasporës në zgjedhjet e ardhshme dhe si ky votim mund të ndikojë në ndarjen e mandateve dhe formimin e qeverisë. Ai thekson se diaspora shqiptare përbën një mundësi të madhe, por edhe një sfidë për procesin zgjedhor, pasi mund të sjellë ndryshime të konsiderueshme në rezultatet e zgjedhjeve. Megjithatë, ai paralajmëron se ky ndikim ka nevojë për vëmendje të veçantë, për të siguruar që procesi të mbetet i besueshëm dhe i paanshëm. Ndiqni intervistën e plotë:

Kume flet dhe për sfidat që përballen shqiptarët jashtë vendit gjatë regjistrimit për votim, duke përmendur kërkesën për dokumente që vërtetojnë adresën e banimit dhe përdorimin e platformës “PER”.

 

Cilat janë arsyet e kërkesës për dokumente banimi në platformën “PER”? Pse është kaq e rëndësishme për procesin e regjistrimit të votuesve jashtë vendit?

Këtë vit, për herë të parë, diaspora shqiptare do të ketë mundësinë të votojë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Procesi i regjistrimit është relativisht i thjeshtë, por shumë qytetarë jashtë vendit po hasin vështirësi, veçanërisht për shkak të kërkesës për një dokument që vërteton adresën e tyre të banimit. Bashkëshoqërimi i kërkesës për të votuar nga jashtë territorit të vendit me një dokument, që shërben për të vërtetuar adresën që deklaron zgjedhësi, adresën se ku KQZ do t’ia dërgojë materialet dhe fletën e votimit, parashikohet si kërkesë në Kodin zgjedhor. Për zbatimin e kësaj kërkese, Komisioni Rregullator, me vendim, ka listuar 11 dokumente të ndryshme që mund të përdorë zgjedhësi për këtë qëllim. Lista e dokumenteve e parashikuar në këtë vendim e lehtëson këtë proces dhe e bën të mundshëm plotësimin e saj nga zgjedhësit që do të kërkojnë të votojnë nga jashtë territorit të vendit. Plotësimi i kësaj kërkese nuk ka lidhje me statusin e shtetasit shqiptar në shtetin ku ai ndodhet dhe prej nga ai do të votojë. Arsyeja pse trupa legjislative vendosi që kërkesa për të votuar nga jashtë territorit të vendit të shoqërohet edhe me një dokument të tillë, që shërben vetëm si vërtetues i adresës së deklaruar nga zgjedhësi, është refleks i sjelljes së vazhdueshme të forcave politike në proceset e reformës zgjedhore, efekt i të cilës është mbingarkimi me procedura dhe me kërkesa të detajuara të Kodit zgjedhor, si pasojë e nivelit të lartë të mosbesimit midis palëve dhe synimi i përhershëm i tyre për të pasur nën kontroll çdo gjë.

Sa e ndihmon platforma aplikimin e diasporës, që të kalojë me sukses këtë proces, dhe si do të mund të përballohet fluksi i madh i aplikimeve?

“PER” është një produkt informatik, i cili e trajton dhe i jep zgjidhje procedurave që duhet të ndiqen prej zgjedhësve, që duan të votojnë nga jashtë vendit, në mënyrë të thjeshtë, të kuptueshme dhe lehtësisht të zbatueshme. Regjistrimi nëpërmjet kësaj platforme i kërkesës për të votuar nga jashtë vendit nuk kërkon që zgjedhësi të ketë përvoja të formuara dhe të jetë domosdoshmërisht i familjarizuar me përdorimin e mjeteve dhe instrumenteve, që ofron teknologjia e informacionit. Në procesin e regjistrimit të kërkesës, zgjedhësi mund të asistohet nga të tjerë pa krijuar asnjë kundërvënie me kërkesat e kësaj procedure. Përveç kësaj, në platformën “PER” parashikohet që zgjedhësi të aplikojë në mënyrë të përsëritur deri sa të arrijë të bëjë regjistrimin dhe kërkesa e tij të pranohet. Gjatë këtij procesi të riaplikimit, komunikimi me zgjedhësin është i personalizuar. Për çdo parregullsi në dokumentet dhe në zbatimin e procedurës prej tij, që kanë bërë që kërkesa të mos pranohet, zgjedhësi njoftohet dhe i tregohet se çfarë duhet të rregullojë. Natyrisht, duke ju referuar numrit dhe fluksit të madh të aplikimeve për votim nga jashtë vendit, procedurat për riaplikim mund të kërkojnë disa ditë. Për ta zvogëluar sa më shumë kohën për plotësimin e këtyre procedurave, KQZ po i kushton vëmendje të veçantë rritjes së numrit të nëpunësve që trajtojnë kërkesat për votim nga jashtë territorit të vendit. Po kështu, për të rritur nivelin e transparencës në këtë proces, në zbatim të kërkesave të ligjit zgjedhor, KQZ, me propozim të partive kryesore politike, ka miratuar auditorët teknikë, që kanë të drejta të plota për të monitoruar dhe kontrolluar të gjithë procesin e regjistrimit për votim nga jashtë territorit të vendit.

Ish-kreu i KQZ-së thekson rëndësinë e sigurisë dhe transparencës për të garantuar një proces të besueshëm dhe të drejtë, që do të ndikojë në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.

A do të ndikojë heqja e kërkesës për fshehtësinë e votës në besueshmërinë e procesit zgjedhor dhe si mund të menaxhohen pasojat e këtij vendimi?

Duke pranuar të drejtën për të votuar nga jashtë territorit të vendit, bashkë me të është pranuar që edhe të çudohet nga disa prej kërkesave dhe rregullave që Kodi zgjedhor parashikon për votimin brenda vendit, votimin në qendrën e votimit. Ndër këto rregulla bën pjesë edhe votimi i fshehtë. Ndërsa kur votohet në qendër votimi për plotësimin e këtij standardi, Kodi zgjedhor dhe kuadri rregullativ nënligjor parashikon dhe detyron plotësimin e disa kërkesave, kur votohet nga jashtë territorit të vendit, plotësimi i këtij standardi është në vullnetin e vetë zgjedhësit. Theksoj se kjo nuk është një situatë e rrjedhur nga veprimi i vullnetit politik të palëve shqiptare pjesëmarrëse në hartimin e legjislacionit. Është një situatë e pranuar dhe e mirëkuptuar nga të gjithë vendet që zbatojnë votimin nga jashtë territorit, kur për këtë qëllim përdoret votimi nëpërmjet një shërbimi postar. E rëndësishme është që mbi zgjedhësin të mos ndikohet presion për të devijuar vullnetin e tij për zgjedhje midis alternativave dhe kandidatëve të ndryshëm. Vota duhet të jetë e lirë. Kjo duhet të kërkohet edhe për rastin kur votohet nga jashtë vendit dhe niveli i plotësimit të këtij standardi duhet të monitorohet dhe të vlerësohet. Për këtë duhet të punohet për ta parandaluar, për ta identifikuar dhe për ta dënuar.

Si mund të ndikojë pranimi i pasaportave të huaja në procesin zgjedhor dhe pse Partia Demokratike po kërkon këtë ndryshim në ligj?

Palët politike kryesore, PS dhe PD, në korrik të vitit të kaluar ranë dakord dhe fiksuan në Kodin zgjedhor që kërkesa për të votuar nga jashtë territorit të vendit të shoqërohet me një dokument identifikimi të lëshuar nga shteti shqiptar, Kartë Identiteti ose Pasaportë për jashtë vendit. Në bazën e kësaj dakordësie politike, të materializuar në legjislacionin zgjedhor, është punuar deri sot dhe është ndërtuar e gjithë ngrehina procedurale, siç është, p.sh., “PER”, për të mundësuar votimin nga jashtë vendit. Për rrjedhojë, të kërkosh në këtë moment ndryshim në legjislacion, nëpërmjet të cilit t’u krijohet mundësia shtetasve shqiptarë të votojnë nga jashtë edhe në rastin kur nuk kanë asnjë dokument shqiptar identifikimi, por kanë një dokument të tillë të lëshuar nga vendi ku ata jetojnë, ndryshim që do të kërkojë me patjetër reflektim dhe ndryshim në platformën “PER”, në rastin më të mirë duhet të thuhet se nuk është koha për një kërkesë të tillë. Kushtëzimi me plotësimin ose jo të kësaj kërkese dhe i dakordësisë për ndryshimet, që duhet të bëhen në Kod, në lidhje me shpërndarjen e kostos për shërbimin postar, është një vendim që nuk favorizon realizimin e votimit nga jashtë vendit në 11 maj 2025.

A mendoni se Kosova është një shembull i suksesshëm për mënyrën se si mund të organizohet votimi i diasporës dhe cilat janë mësimet që mund të marrim nga ata?

Nga bashkëkombësit tanë në Kosovë mund dhe duhet të mësojmë shumë. Rregullat dhe kërkesat që parashikohen në legjislacionin e Republikës së Kosovës për votimin nga jashtë territorit të vendit, për mendimin tim, ishte dashur të merreshin në konsideratë nga ligjvënësit tanë. Legjislacioni i Kosovës parashikon votimin nga jashtë përmes postes ose në qendra votimi, që ngrihen në mjedise të shërbimeve, ambasadat e R. Kosovës. Zgjedhësi mund të regjistrohet duke paraqitur Kartën e identitetit, pasaportën ose lejen e drejtimit të automjetit, të lëshuar këto nga Republika e Kosovës. Në rast se asnjë nga këto dokumente nuk është i vlefshëm, zgjedhësi mund të regjistrohet dhe të votojë nga jashtë Kosovës duke bërë pjesë të aplikimit të tij edhe një dokument të vlefshëm identifikimi të lëshuar nga shteti në të cilin ai jeton. Legjislacioni i Kosovës ka ofruar një shembull të suksesshëm për organizimin e votimit të diasporës. Edhe duke ju referuar vetëm këtyre ndryshimeve midis legjislacionit zgjedhor për votim nga jashtë vendit në Kosovë me legjislacionin tonë, mund të kuptohen lehtë ndryshimet në qëndrimin politik ndaj kësaj çështjeje në dy vendet tona.

Si e shihni rolin e partive në këtë proces dhe mendoni se është duke shfrytëzuar mundësinë për të përfituar nga diaspora?

Pa vullnetin dhe dakordësinë e dy partive kryesore politike, PS dhe PD, votimi nga jashtë territorit të vendit nuk do të mund dhe as nuk mund të realizohet. Ndryshimet e bëra në Kodin zgjedhor në korrik 2020 e bënë të mundshëm këtë votim, por PS dhe PD realisht nuk e donin, ndaj dhe votimi nga jashtë vendit në zgjedhjet e vitit 2021 nuk u bë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje ishte, për mendimin tim, vetëm një shtytje dhe nxitje për këto dy parti që të krijonin mundësi reale për këtë mënyrë votimi. PS u vu në veprim dhe kërkoi edhe dakordësinë PD vetëm kur vlerësoi se për garën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare, 2025, vota e diasporës duhej të konsiderohej si një mundësi e madhe për sukses. Ndaj u angazhua dhe u dakordësua edhe me kërkesat e PD për ndryshimet që u bënë në Kodin zgjedhor. Përpara se të fillonte procesi i regjistrimit të kërkesave, partitë kryesore politike vlerësonin se numri i kërkesave nuk do të ishte i madh dhe mundësitë për të orientuar këtë proces në funksion të synimeve të tyre elektorale do të ishin të mundshme. Koha po tregon se këto vlerësime nuk paskan qenë shumë reale. Kjo situatë kërkon edhe qëndrime dhe sjellje të ndryshme nga ato që partitë kishin planifikuar të zhvillonin. Kjo situatë, duke qenë se e vështirëson mbajtjen “nën kontroll” të saj, potencialisht mbart me vete edhe rrezikun për shfaqen e qëndrimeve dhe marrjen e vendimeve refraktare, kundërshtuese ndaj këtij procesi. Situatë që nuk do ta dëshironte asnjë qytetar të ndodhte.

A janë efektive strategjitë e të dyja partive politike për të fituar mbështetje nga diaspora dhe a është kjo një fushatë e balancuar?

Partitë politike, PS dhe PD, por edhe parti të reja politike tashmë janë në një proces intensiv angazhimi për votën e diasporës. Secila prej tyre, njëra më shumë se sa tjetra, kanë ndërtuar strukturat përkatëse dhe kanë organizuar dhe janë duke zhvilluar aktivitete intensive me diasporën. Ky është një veprim i natyrshëm si pjesë e një procesi zgjedhor. Intensiteti dhe shpërndarja e kësaj veprimtarie elektorale është e pranueshme dhe e paqortueshme. E palejueshme dhe e nevojshme domosdoshmërisht për t’u identifikuar, denoncuar dhe dënuar është përdorimi, në kundërshtim me kushtetimet ligjore, të burimeve njerëzore dhe publike, si dhe të financimeve të paidentifikuara dhe jo transparente. Për këtë nevojë, shumë pak po flitet dhe pothuajse asgjë nuk po bëhet.

Kume flet për angazhimin e partive politike në përpjekjet për të fituar mbështetje nga diaspora dhe thekson nevojën për të siguruar transparencë dhe mbrojtje nga manipulimet gjatë fushatës zgjedhore.

Si mund të garantohet siguria dhe transparenca e procesit të dërgimit dhe përpunimit të votave nga diaspora përmes postës ndërkombëtare?

Për të siguruar sigurinë dhe transparencën e procesit të dërgimit dhe përpunimit të votave nga diaspora, do të zgjidhet një shërbim postar ndërkombëtar përmes një tenderi, i cili do të sigurojë kushtet e nevojshme për një shërbim të besueshëm. Një nga kërkesat kryesore është që dokumenti i votimit t’i dorëzohet drejtpërdrejt votuesit dhe jo një personi tjetër, për të parandaluar mundësinë e manipulimeve. Në rast se nuk është e mundur të dorëzohet dokumentacioni për votim dhe i fletës së votimit tek personi përkatës, shërbimi postar ka detyrë ta kërkojë personin përkatës në adresën e tij deri në tre herë. Pas dorëzimit të zarfit me votën në postën përkatëse, shërbimi postar e dorëzon zarfin në doganë, ku do të jenë të pranishëm përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), përfaqësues të partive politike dhe vëzhgues ndërkombëtarë për të siguruar transparencën e procesit. Votat do të mbërrijnë gradualisht, jo të gjitha në një ditë, në KQZ. Për administrimin e tyre, KQZ ka dërguar për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Shqipërisë ndryshimet përkatëse që duhet të bëhen në Kodin zgjedhor.

Nëse diaspora ka një ndikim të madh, si do të reflektohet ky ndryshim në ndarjen e mandateve dhe procesin e formimit të qeverisë?

Votimi i diasporës mund të ketë ndikim të rëndësishëm, por ky ndikim do të varet kryesisht nga numri i votuesve dhe shpërndarja e votave të tyre në njësitë vendore. Nëse diaspora ka një pjesëmarrje të madhe dhe një mbështetje të gjerë për një parti të caktuar, kjo mund të ndikojë në ndarjen e mandateve, veçanërisht në njësitë zgjedhore që kanë pak mandate. Në këto zona, ku diferencat mes kandidatëve janë të ngushta, votat nga diaspora mund të bëjnë ndryshimin dhe të ndikojnë në rezultatet përfundimtare. Ndikimi mund të jetë më i madh në zona ku diferenca mes partive është e vogël dhe ku një numër i vogël votash mund të ndryshojë rezultatin. Ky mund të ketë pasoja edhe për procesin e formimit të qeverisë, duke ndikuar në numrin e mandateve të partive dhe mundësinë për të krijuar koalicione. Nëse një parti fiton shumë mbështetje nga diaspora, kjo mund t’i japë një avantazh në ndarjen e mandateve dhe të ndikojë në mënyrën se si formohet qeveria pas zgjedhjeve.

A mendoni se është e drejtë që diaspora të ketë ndikim të tillë të konsiderueshëm në formimin e qeverisë shqiptare?

Për shumë njerëz, mund të duket e padrejtë që diaspora të ketë një ndikim të konsiderueshëm në formimin e qeverisë shqiptare, duke pasur parasysh se ata nuk jetojnë në Shqipëri dhe nuk përballen me të njëjtat sfida dhe probleme që hasin ata që janë brenda vendit. Megjithatë, duhet të theksohet se, në këtë moment, nuk është koha për të diskutohet për këtë problem. Unë e vlerësojë këtë si një çështje shumë të rëndësishme që duhet të diskutohet dhe të bëhet pjesë e një debati politik të rëndësishëm menjëherë pas zgjedhjeve të 11 majit 2025.