Intervistë me shkrimtarin shumplanësh Shpendi Topollaj: Që “të shkruash në liri” duhet “liria e të shkruarit”

296
Sigal

Pse e shkruajta librin “Kur qan dhe qesh Kadareja”

Intervistoi, LUAN JAUPI

LUANI: Librat e tu të shkruar e botuar gjatë periudhës së pandemisë, janë të shumtë. Mirë kohën dhe mundësitë financiare, po ku e gjen gjendjen shpirtërore për gjithë këtë prodhimtari, se sa për talentin e kulturën, i ke dhënë me kohë provat. Ja tani dhe libri me kritika letrare që del me rastin e ditëlindjes tënde të shtatëdhjetëekatërt, i…

SHPENDI: Gjashtëdhjetëenjëti.

LUANI: E kisha fjalën për ata me kritika.

SHPENDI: I njëzetegjashti. Le të kthehemi te pyetja jote. Kur virusi i padukshëm dhe i pabesë na izoloi, fillimisht, besoj si kushdo, mendova se do të ishte punë ditësh mbyllja. Kur e pashë se kjo ishte më e rrezikshme se murtaja që Apoloni i zemëruar nga rrëmbimi i Kriseidës prej Agamemnonit, ja dërgoi ushtrisë greke, pra kur u binda se kësaj nuk i dihej fundi, më shkrepi që pas librit “Esse rreth shprehjeve mitologjike” të shkruaja rreth jetës dhe veprës të shkrimtarëve të mëdhenj botërorë të të gjitha kohrave, ndikimit që ata patën në edukimin dhe formimin tonë, si dhe të jap përjetimet që kam pasur vetë nga leximi i veprës së tyre. Për mendimin tim, ata tashmë nuk i përkasin një populli e një vendi të caktuar, por ashtu si artistët gjenialë të pikturës, skulpturës, arkitekturës, urbanistikës a muzikës, janë pronë e të gjithë racës njerëzore. Pavarësisht se në çfarë shekulli ka jetuar gjeniu, e pavarësisht se bir i cilit komb ka qenë, me veprën e tij mund të mburren pa drojë të gjithë brezat e cilitdo sistem ku u takoi të jetojnë. Se në fund të fundit, kufijtë s`janë tjetër, veçse konvencione. Psikika njerëzore, ndërtimi i marrëdhënieve mes tyre, emocionet, gëzimet, hidhërimet, dashuritë, urrejtjet, te çdo popull, janë po ato. Ndaj nuk është për t`u çuditur, kur francezët, fjala vjen, ta quajnë të tyren veprën e Kadaresë, ashtu sikurse edhe ne shqiptarët e konsiderojmë tonën atë të Balzakut apo Hygoit. Vitet dhe sidomos shekujt i rrafshojnë ndarjet, inatet, përbuzjet, mëritë. Kur pasionet shuhen, dhe vjen paqja, vlerat dalin mbi sherret dhe luftrat, trimfon miqësia dhe popujt japin e marrin pa kursim nga kultura e njëri – tjetrit. Thënia e Ciceronit “Civis romanum sum”, sikur e ka humbur disi rëndësinë. Shihni sot; a nuk po përdoret gjithnjë e më shumë termi Qytetar i Botës? Pa thënë se katoliçizmi me kohë e ka pasur moton “Urbi et Orbi”. Kështu që pa mundur të frekuentoj bibliotekën e qytetit dhe pa ditur të shfrytëzoj avantazhet e teknologjisë, gjë për të cilën nuk ndihem i lumtur, pra duke u mbështetur thjesht në kujtesën time, pra në gjurmët e pashlyeshme që kisha për ata që me krijimtarinë e tyre letrare u bënë të pavdekshëm, nisa të shkruaj, jo thjesht me këmbëngulje, por edhe me dashuri të madhe. Më dukej se po i ngjallja ata dhe duke kuvenduar me ata burra e gra të shquara, jo vetëm shlyeja një detyrim, por edhe sikur lehtësohesha nga mërzitja e pashmangshme që na kishte pushtuar dhe që nuk po na ndahet ende. Si e përfundova, librin e titullova “Dante… e të tjerë” dhe kështu vazhdova me “Shenjtorët e letrave”, dy libra voluminozë, ku përfshiva autorë qysh nga Virgjili deri tek ata të kohës tonë. Zgjodha të pakontestueshmit, si nga Lindja ashtu edhe nga Perëndimi. U botuan në një farë ilegaliteti nga “2MPrinting”, pasi edhe shtypshkronjat qenë mbyllur, kurse pushteti vendor mbyllur mbante vetëm njërin sy. Si e kreva jo keq këtë detyrë, ime shoqe më sugjeroi se duke qenë se nuk kisha lënë zhanër të letërsisë pa lëvruar, do qe mirë të ktheja në dramë novelën e gjatë “Kurva”, gjë që me një parathënie të artistit të madh Reshat Arbana e botova me titullin “E Përdala”. Kjo më shtyu që edhe romanin “Pushkatimi” ta shndërroj në dramë, duke e quajtur “Ata ishin njerëz”. Ndërkohë, midis intervaleve, lexoja shumë nga librat që miqtë shkrimtarë më kishin dhuruar ose që rastësisht më kishin rënë në dorë, dhe shkruaja rreth tyre analiza kritike të cilat i botoja nëpër gazeta dhe te libri “Pesha e dinjitetit”. Gjithashtu, pasi i shtova disa artikuj të tjerë kritikë, ribotova te SH.B. “Jozef” librin “Kur qan dhe qesh Kadareja”. Në vazhdën e kësaj është gati libri tjetër me kritika letrare, që ti e përmende, dhe të cilit vetëm emrin nuk ja kam gjetur ende.

LUANI: Ndërkohë është botuar edhe volumi i tretë kushtuar si ty ashtu edhe veprës tënde në poezi, prozë, kritikë, publicistikë dhe dramaturgji, me titullin interesant dhe plotësisht të merituar “Kur mendja bashkohet me zemrën”. Ai vjen pas dy botimeve voluminoze…

SHPENDI: …Që quhen “Të shkruash në liri” dhe “Liria e të shkruarit”. Ty t`i kam dhënë mesa mbaj mend.

LUANI: Jo vetëm që m`i ke dhënë, por edhe i kam lexuar me shumë dëshirë dhe mburrje që kam një mik të tillë, të thjeshtë, të ditur, prodhimtar si pakkush dhe që i do aq shumë të tjerët. I kam të gjithë librat e tu të vendosur këtu në raftin e studios time dhe kënaqem kur shoh se ato kanë zënë vendin më të madh. Ashtu sikurse ruaj të freskët në mendje gjithësa ke shkruar; temat që trajton, mesazhet që jep, forcën e pandryshuar artistike që i dallon, kulturën superiore, humanizmin që të karakterizon, animin nga ata që kanë vuajtur, demaskimin e diktaturës, përkrahjen e proçeseve demokratike dhe domosdoshmërinë së lirisë, që janë cilësi të qenësishme jo vetëm të poezive, tregimeve, novelave, romaneve dhe dramave që ke shkruar, por edhe të tuat si njeri. Ndofta kjo ka qenë dhe arsyeja që Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Rusisë të ka akorduar çmimin prestigjioz “Pushkin”.

SHPENDI: U jam mirënjohës atyre për vlerësimin që më kanë bërë. Por edhe duhet shtuar se nuk është se atë nuk e meritojnë edhe shkrimtarë të tjerë, por kam pasur fatin që të përkthehen dhe botohen atje pesë nga librat e mi, si romanet “Lotët e Zambakut”, “Pushkatimi”, tregimet “Mobiliet e vjetra” etj.

LUANI: Ah! Ç`më kujtojnë ato dy të parat. Se ti e di; edhe unë e kam pasur babanë, Ademin, student ushtarak në Akademinë e Marinës në ish Bashkimin Sovjetik. Ti ke shkruar edhe për të dhe të jam mirënjohës. Ai, kur i lexonte romanet e tua përlotej. I kujtohej rinia e tij dhe kushedi ndonjë histori e ngjashme me atë të Luftarit apo Thoma Rafaelit.

SHPENDI: Lot derdhin edhe ata që nuk kanë qenë me studime në ish Bashkimin Sovjetik. E si të mos prekesh kur sheh se politika tekanjoze e atëhershme i ndau ata djem nga të dashurat, gratë dhe fëmijët e tyre. Edhe unë vetë si autor i atyre librave jam ngashëryer kur i kam shkruar dhe vazhdoj të emocionohem kur i rilexoj. Njeriu është qenie me ndjenja. Te ne pas viteve gjashtëdhjetë u shkrua një faqe turpi me gratë e huaja. Pati drama të mëdha familjare, ndarje, burgosje, internime e deri pushkatime. Përse duhej e gjitha kjo? Për pushtetin e Neronit tonë. Imagjinoni ato vajza të reja dhe të bukura që duke ju bindur ndjenjave të pastra lanë atdheun e tyre, prindërit, vëllezërit e motrat, shokët e miqtë, shtëpitë, rrugicat ku u rritën dhe duke marrë vetëm kujtimet, erdhën dhe lidhën jetën me ata që deshën. Dhe pastaj, është e trishtueshme të mendosh se si vajti fati i tyre…

LUANI: Le ta çdramatizojmë pak bisedën. Edhe ti ke një flirt kur ishe në Greqi me një bukuroshe, se jo më kot e shkrove atë poezinë që mua më pëlqen aq shumë, “Në Athinë, në autobusin urban”.

SHPENDI: Ishte një gjendje, një çast. Edhe pse i paharruar. Në nëntor të vitit 1992 isha pjesë e delegacionit tonë ushtarak dhe natën e fundit do të shkoja te një miku im, mjek ushtarak, me urban. Aty e pashë atë vajzë, studente konservatori që sa të magjepste aq edhe të hutonte me hiret e saj. Gjithë jetën, nja pesë të tilla mund të takojë njeriu. E pyeta për stacionin ku do zbrisja; “Fodina Piza” dhe besova se kisha takuar nimfën vetë. Atje më rrinte mendja gjersa shkrova atë poezinë: “Ku veje greke atë natë / Kur unë kërkoja mikun tim / Asflat` i rrugës shumë i gjatë / Do desha të mos kish mbarim.” Vazhdimin e di vetë ti.