Intervista/ Prof.Dr. Lush Susaj: Zot shpëtoje popullin tonë nga barkderrat e “Rilindjes” !

374

Bujqësia është lopa e klikës së korrupsionit politik e shtetëror

Sigal

Këta nuk janë rilindas: në fakt janë rivjedhës dhe rivrasës të shtetit dhe të demokracisë shqiptare. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pafajësinë e Presidentit të Republikës, a ishte vendimi i Parlamentit një “grusht shteti” dhe si po shpërblehen me miliona familja e ngushtë dhe ajo politike me milionat e taksapaguesve. Gjergj Kastrioti dhe projekti Europian i tij nuk vdesin kurrë, ndërsa Open Ballkan po e falimenton fermerin, ndërsa Myzeqeja po shkatërrohet pasi politikat e shtetit janë të tilla që favorizojnë importet. Legalizimi i kanabisit, shkatërrimi i arsimit, zaptimi i pronave publike, inceneratorët dhe kapja e drejtësisë. Pikërisht për këto konstatime dhe zhvillimet në të ardhmen Gazeta Telegraf , mori një intervistë ekskluzive Prof.Dr.Lush Susaj.


Intervistoi: Engjëll Musai
Drejtor i Telegraf

Pyetje: Gjykata Kushtetuese dha vendimin zyrtar, për Kreun e Shtetit: Kuvendi gaboi. Presidenti nuk shkarkohet. Si e vlerësoni falsifikimin nga Kuvendi të dokumentave që i ka dërguar Kushtetueses?

Përgjigje: Këta nuk janë rilindas. Në fakt janë rivjedhës dhe rivrasës të shtetit dhe të demokracisë shqiptare. Është e vërtetë që sot “grushti i shtetit” nuk bëhet vetëm me tanke, por edhe me falsifikime dokumentash si “hajdutë rrugësh”. Konstatimi është i drejtë dhe se  përtej grushtit të shtetit, me VKM dhe ligje të njëanshme rrezikohet edhe falimenti i shtetit. Njerëzit duhet të reagojnë për të sotmen dhe të ardhmen e familjeve të tyre. Heshtja do i kushtojë shumë shoqërisë shqiptare, pasi situata do të bëhet akoma me zi. Kushtetuta është e shenjtë dhe Shqipëria po trajtohet si plaçkë e 2-3 politikanëve qëndrorë, lokalë dhe opozitarëve të kapur. Bashkëpunimi i fshehtë i këtyre politikanëve të verbër, frikacakë e të manipulueshëm, peng i mafies ndërkombëtare, po falimenton shtetin që mezi e fituam pas 12 shekujsh luftë me perandorinë Bizantine dhe Perandorinë Osmane. Lut Zotin që populli ta kuptojë e të reagojë para se të biem edhe njëherë në vargonjtë e skllavërisë shekullore.

Institucionet me status të veçantë, sikurse është edhe FSHZH, ka paguar miliona për menutë ushqimore, dhe konsulenca në bujqësi tek familjet e tyre nepotike, edhe pse nuk kanë lidhje me këtë sektor.

Ky institucion që ju pëmendni është vetëm maja e ajzbergut, pothuajse kështu kanë përfunduar të gjitha investimet dhe projektet, nga ku nuk ka mbetur asgjë. Konsulencat apo shpërblimet partiake e nepotike, që janë dhënë e jepen çdo ditë nga agjensitë qeveritare dhe institucionet nepotike të bujqësisë, që të gjitha për militantët që nuk kanë asnjë lloj njohurie e përvojë për bujqësinë dhe ekonominë tonë kombëtare. Këta doktorë me  gjilpërat e ekspertizave i kanë mpirë dhe verbuar institucionet, e kanë kthyer bujqësinë në vitet e mesjetës: fiks tek parmenda e tërhequr me gomar.


Pak kohë më parë ish-Drejtori i VOA-s për Euro-Azinë dhe analisti i Telegraf  z.Frank Shkreli, ngrinte shqetësimin se po shkatërrohet monumenti i Heroit Kombëtar në Lezhë, dhe muret e kalasë, por edhe të kishës në Malsinë e Madhe .

Gjergj Kastrioti dhe projekti Europian e tij nuk vdesin kurrë. Duket që edhe për rastin konkret, sikurse është  Monumenti i Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, aleancat e njohura ballkanike kanë bashkëpunuar ngushtë e për një kohë shumë të gjatë dhe kërkojnë qëllimisht lënien në harresë të një vendi të shenjtë që është edhe historia më e lavdishme e Kombit Shqiptar. Me ndihmën e Zotit, projekti politik i Kastriotit do të bëhet realitet, Shqiperia nuk mund të bëhet kurban i egoizmit te sundimtarëve të rastit që flasin për Europën dhe punojnë për Azine.

Po për vizitën e Presidentit Erdogan, ditën e vdekjes së Heroit Kombëtar çka bëri që qeveria ta anashkalonte këtë ditë të veçantë për Shqipërinë?

E ndoqa edhe vizitën e z.Erdogan në 17 janar në zonën e Laçit për rindërtimet dhe mund t’ju them me shumë sinqeritet që shpreh mirënjohje e falënderime për ndihmën e qeverisë turke. Presim Erdoganin, por jo duke harruar Gjergjin tonë, nderin dhe lavdinë e përjetshme. Për këtë ditë një falënderim i veçantë shkon për Presidentin e Republikës së Shqipërisë Ilir Meta, që tregoi se është një atdhetar i vërtetë i Kombit shqiptar.


A është kërkesa e kryeministrit për legalizimin e kanabisit, koncesioni mafioz i radhës ?

Mendoj se është pjesë e kurorëzimit të lojës Open dhe fillimit të një loje, që mund të quhet Shqyerje e Ekonomisë 100 vjeçare të popullit dhe shtetit shqiptare. Unë isha pak ditë më parë në Lushnje dhe pashë se si nga Open Ballkani ka filluar shqyerja dhe fukarallëku i thellë i fermerëve dhe bujqësisë të Shqipërisë. Dhe jam i shqetësuar, sepse nuk ka asnjë ndërhyrje shtetërore për të ndihmuar viktimat e “Open-it” dhe shqyerjes, që të gjithë fermerë e përpunues shqiptarë. Shpresoj në ndihmën e Zotit dhe shteteve që e krijuan dhe mbrojtën Shqipërinë. Shpresoj që do ta mbrojnë edhe këtë herë, se sa për doktor gjilpërat tona, mos e thashtë zoti që të bëhet edhe më keq.


Open Ballkan, e ka favorizuar, apo po e falimenton fermerin, blektorinë dhe bujqësinë si një nga kolonat kryesore të ekonomisë dhe furnizuesja e turizmit me këto produkte?

– Pikë së pari “Open” dhe shqyerja ka goditur Myzeqenë, kolonën kryesore të bujqësisë dhe ekonomisë , të nderit, të ekzistencës dhe të sovranitetit shtetëror e kombëtar. E reja që mësova është se çmimi i lopës ka zbritur nga 1,8 miljon të vjetra në rreth 1,2 milion, ndërsa i viçave nga 800 000 lekë të vjetra në rreth 500-600 000 mijë lekë  të vjetra. Tani lopët dhe viçat vijnë nga fqinji verior, por çimi i mishit dhe bulmetit nuk është ulur: përkundrazi është ngritur, që do të thotë që populli nuk fiton asgjë. Në të dyja rastet fermerët janë të dëmtuar në të ardhurat e tyre me mbi 25-30%, më pak.

 – Së dyti, tek prodhuesit e fidanave pashë që këtë vit nuk po mbillet as gjysma (50%) e sipërfaqes së serave. Janë miliona euro të hedhura e mijëra refugjatë, pjesa më profesionale e popullsisë që po bën gati valixhet që nisen drejt Europës.

 – Së treti, prodhuesit dhe tregtarët e pesticideve më thonë se kanë dhënë veresie, ndërsa prodhimi nuk është shitur. Kështu që ka plasur edhe një sherr i madh social. Në këtë katrahurë 100% subjektive dhe administrative, askush nuk ndërhyn të njohë e financojë dëmin e shkaktuar nga mosveprimi i institucioneve shtetërore.

A mund të na i bëni më konkrete këto fakte tronditëse që ju i keni vëzhguar direkt në terren dhe në kontakt me fermerët dhe prodhuesit e bujqësisë?

Po u jap disa shembuj të cilat prekin jo vetëm fermerët dhe prodhuesit, por edhe konsumatorin shqiptar, i cili është edhe më i interesuar si përdoruesi fundor:

-Domatja që shitej me 500 lek/kg, ka mbetur stok, sepse aktualisht po vjen domatja e subvencionuar nga Turqia me 350 lek/kg, e cila po e konkuron padrejtësisht, pasi nuk po ndërhyn askush në këtë situatë e lojë të pisët e pa asnjë mbrojtje për prodhimin vendas.

-Nga rritja e çmimit të plehut të ullirit dhe stoku i këtij viti të vajit që nuk po shitet as me 4000 lek/litri. Po fillon edhe rrënimi i ullishteve dhe dalja jashtë loje e fabrikave të prodhimit të vajit, ku janë hedhur miljona euro e vende pune.

Thithlopat e qeverisë fryhen e nuk kanë asnjë kokëçarje. Ndërsa për ata që e njohin mirë këtë profesion dhe zinxhirin e ngjarjeve, që pasojnë nga braktisja shtetërore e shkencore e bujqësisë, është dhimbje e madhe. Ndjen dhimbje e dëshpërim kur shikon dhe e kupton se si një godinë kombëtare e ndërtuar hap pas hapi për mbi 100 vite, po shkatërrohet para syve të shqiptarëve. Kuptohet me kontributin dhe heshtjen katastrofike të kakistokratëve, të doktor gjilpërave dhe të gojëkyçurve të korruptuar, që janë instaluar në krye të punëve e që po veprojnë pa pikë ndjenje njerëzore e kombëtare.

Emërimet! Kohë më parë një tregtar deklaroi se kishte sponsorizuar me 10 mijë euro një ish-deputet të Rilindjes, i cili pas fitores së partisë së tij, për ta emëruar drejtor i kërkoi këtij “militanti” 50 mijë euro. A mendoni se kjo është fytyra e administratës së sotme, kryesisht në institucionet me vetadministrim, SHA apo atyre në vartësi të bashkive?

Ky fakt që ju më parashkruat është modeli tipik i një qeverie trafikantësh, parazitësh e injorantësh: gjë tjetër aty nuk ka. Zot shpëtoje popullin tonë nga barkderrat e Rilindjes

hajdutët, injorantët, antishqiptarët deri ku nuk është parë as dëgjuar ndonjëherë. Këta lëvizin në fushën e politikës. Këta sojsëz e shkatërruan jetën, moralin, shoqërinë dhe ekonominë në këtë vend.

Një studim i fundit për Ballkanin, theksonte se në vendet ku Soros mbështet drejtësinë po rritet krimi, trafiku i drogës dhe kriminelët po bredhin lirshëm.

Soros mbështet dhe injekton modelin dhe sistemin e rrenës, mashtrimit, egoizmit, injorancës e ligësisë. Ky ushqim rritet dhe funksionalizon krimin, korrupsionin, hajdutërinë, përçarjen dhe konfliktualitetin. Shqipëria nuk ka qenë kurrë në një situatë të tillë të dëshpëruar e pothuajse të pashpresë. Shqiptarët duhet të kuptojnë modelin e ngopjes me lugën bosh. Është një lugë me mbulesë të florinjtë, shumë më e hidhur dhe më bosh edhe se nga luga që provuam gjatë komunizmit. Reforma në drejtësi po menaxhohet dhe financohet nga  shoqatat e Soros, të cilat kanë kapur këto organe. Një pjesë e titullarëve i kanë kthyer këto organe nën ndikimin politik, partiak dhe sipas dëshmive të bëra publike aludohet edhe për orgji. Prej disa vitesh Shteti u paralizua, pasi u shkatërruan qëllimisht institucionet e drejtësisë. Ishim pa Gjykatë të Lartë që krimi të favorizohej e të mos ndëshkohej. Ishim pa Gjykatë Kushtetuese që Parlamenti të miratonte ligje antikushtetuese, që Qeveria të nxirrte Akte Normative të jashtëligjshme. Zot na ruaj nga mashtrimi, fiktiviteti dhe kriminaliteti, që kultivon kjo ideologji dehumanizuese.


A ndieni trishtim kur me qindra banorëve po u prishen banesat, ku shumica janë të legalizuara? Një pjesë kanë punuar edhe në emigracion dhe kanë derdhur gjak, kurse pjesa tjetër kanë marrë kredi.
Këto veprime mund t’i shkonin për shtatë vetëm pushtuesve. Këta  shtetarë janë pisa. Pasi i varfëruan dhe i morën votat u çojnë fadromat për t’u prishur shtëpitë. Fatkeqësisht është  një popull i ngordhur, që duron i përçarë e debilosur në parti e sekte idjote. Shoqëri e ngordhur ku askush nuk reagon për mungesën e ligjit e rregullit minimal. Keqardhje për mizoritë që po bëhen mbi familjet e shqiptarëve. Prishja e shtëpive, dhe lotët e fëmijëve që qanin janë një gjurmë që do të mbetet përjetësisht në shpirt këtyre fëmijve, për gjithë jetën. Nxjerrja jashtë në mesin e pandemisë dhe të dimrit më të ftohtë të këtyre viteve nuk mund të quhet ligj as veprimtari shtetërore. Jo! Ky nuk është shteti që duam.

Në janar u ndërpre për 3 ditë mësimi, pasi klasat ishin pa ngrohje dhe fëmijët shkonin me batanije në klasa, çka u çorri maskën falsifitetit me investimet në arsim.

Shkollat dhe universitetet janë kthyer në strehë të militantëve dhe lidhjeve nepotike të partisë shtet. Vidhen paratË e ngrohjes e çdo investim e projekt tjetër. Mësuesit, pedagogët, nxënësit dhe studentët, janë më të vjedhur e më të dhunuar se kurre më parë në historinë tonë 110 vjeçare. Drejtora, nepotizmi, familjarë, oligarkë, hajdutë votash, pastruese e sulltanesha partiake, paguhen sa 4-5 mësues a pedagogë të marrë së bashku.


Emigracioni i lartë, ka bërë që bashkë me prindërit po ikin edhe fëmijët, duke boshatisur klasat, pasi mungesa e investimeve e bën të pavlefshme diplomën shqiptare

Akoma më shumë. Shqipëria dhe shoqëria jonë  po korrupsionin dekurajues me investimet dhe projektet në arsim, që të gjitha të vjedhura nga një grusht shokësh të partisë shtet. Po korr, vendosjen reale të shkollës dhe universiteteve nën sundimin e partisë shtet, ku për pasojë nuk bëhet as mësim profesional e as debat shkencor, shoqëror e politik, por fiktivitet dhe punësime nepotike të tarafit partiak e familjarë të strukturave të byrosë së partisë. Merita dhe qytetaria nuk vlejne më për asgjë.

Opozita konsiderohet si avokate e qytetarëve dhe interesave kombëtare. Larg politikës, si e komentoni projektin e bërë publik në bllokun e godinave ku ndodhet edhe PD-ja?
Iku për strall ndërtimi, njëlloj sikur ikën edhe 12 ha vreshtë dhe pemëtore didaktike, pjesa thelbësore e kampusit të Universitetit Bujqësor. Njëlloj sikur trualli i Teatrit Kombëtar, sikur lulishtet në qendër të Tiranës, tek këndi i lodrave tek Rr.Elbasanit, pranë korpusit të Universitetit Politeknik dhe fushat e sportit tek Qyteti Studenti etj. Po mbytin çdo hapësirë të gjelbërt. Filluan gërmimet intensive tek Bulevardi i Ri, nuk ka të ndalur betonizimi dhe shkatërrimi i territorit. Me një fjalë të pangopurit janë trimëruar deri në marri.

Meqënëse jemi tek politika, në fakt ju mbeteni i paangazhuar dhe kjo është parë jo vetëm në mungesën e aktivizimeve, por edhe në qëndrimet tuaja. Çmendim keni për situatën e krijuar në selinë e PD-së, me dyer të blinduara, gazin lotsjellës dhe ndërhyrjen e policisë ?

Sali Berisha po lufton për Shqipërinë, për unitetin e kombit shqiptar, lufton për një ekuilibër pa të cilin nuk mund të këtë kurrë shtet as demokraci funksionale. Komunistët e kanë sunduar Shqipërinë në mënyrë të njëanshme e të neveritëshme që prej korrikut 1944 e deri më sot. Shqipëria duhet të ketë shtetin e saj kombëtar e kurrë më ndasi krahinore, as moniste e as diktatoriale. Sali Berisha ka plot gafa e karabushe të rritur në këta 30 vite, por këtë herë është në një betejë, që i shërben zgjimit dhe reagimit ndaj se keqes që po shkatërron çdo gjë. Zoti e ndriçoftë mendjen dhe guximin e shqiptarëve. Poshtë apartejdi otomano-komunist.

Besoj se jeni i informuar nga mediat për skandalin e Inceneratorëve dhe babëzinë me 470 milion euro, për djegien e plehrave.
Inceneratorët nuk janë asgjë nga sa janë fondet e BE për bujqësinë, që të gjitha të vjedhura e të abuzuara deri në maksimum. Me një fjalë të vetme mund të them: Katastrofë


Ta mbyllim Prof.Susaj me atë që ju dhëmb më shumë, bujqësinë. Vjedhjen e fondeve, mungesën e laboratorëve dhe ushqimet e pakontrolluara.

Bujqësia është lopa e klikës së korrupsionit politik e shtetëror. E vodhën çdo qindarkë të dhënë nga BE, SHBA, Japonia etj. Nuk ka më keq se kaq !