INTERVISTA/ Mirela Karabina: Protesa e studentëve për shkak të dështimit të reformës

956
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Studentët duhet të kërkojnë zgjidhjen e problemit të tyre: arsimim cilësor, anulim të ligjit të Arsimit të Lartë, rritje të buxhetit të shtetit për Arsimin e Lartë dhe përfitimi të lehtësirave të shërbimeve me statusin e studentit

Mirela Karabina, ish-ministre e Arsimit në intervistën për gazetën “Telegraf” thotë se protesta e studentëve është dëshmia më e qartë e dështimit të reformës së Arsimin e Lartë. Zonja Karabina, ish-ministrja e Arsimit apelon: Arsimi është në emergjencë kombëtare. Dhe, për këtë ka mendje të ndritura dhe të përparuara, akademikë e profesionistë të fushës, didaktë e pedagogë të nderuar, të cilët duhet të shpëtojnë Arsimin e Lartë nga kjo çoroditje e madhe, nga ky lëngim i gjatë: duke anuluar ligjin e Arsimit të Lartë, reformim të universiteteve tona në shërbim sa më të mirë për studentët tanë, rritje të buxhetit të shtetit për arsimin, me qëllim rritjen e cilësisë dhe dhënien vlerë të diplomave të universiteteve tona përtej kufijve të Shqipërisë.

-Zonja Karabina, ju si i vlerësoni kërkesat e Studentëve? 

– Në fakt, fillimisht dua të ndaj me ju atë që ndjeva kur pashë atë valë studentësh që derdhej rrugëve të Shqipërisë. Forca më vitale e shoqërisë në protestë, në revoltë, në pakënaqësi. Dhe ky është tregues i gjendjes së vështirë në të cilën ato janë. Sa u emocionova, po aq u lumturova që më në fund, zëri i studentëve të jetë lajtmotivi i ditëve të dhjetorit. Dhe, kam bindjen që do të vazhdojë të jetë, pasi e keqja ka zënë rrënjë. Fillimisht, kërkesat e studentëve ishin kërkesa ekonomike: Anulimi i një VKM-je për shtimin e tarifës së provimeve të mbartura dhe përgjysmim i tarifës së shkollimit. Këto,në fakt, janë një pjesë e problemit, pasi arsimimi cilësor i munguar përbën themelin. Megjithatë kërkesat e tyre janë në rritje tashmë, dhe, të bashkuar ata duhet të kërkojnë zgjidhjen e problemit të tyre: arsimim cilësor, anulim të ligjit të arsimit të lartë, rritje të buxhetit të shtetit për arsimin e lartë dhe përfitimi të lehtësirave të shërbimeve me statusin e studentit. Ata janë në të drejtën e tyre legjitime, i është mohuar e drejta për një arsimim cilësor, janë të shpërfillur nga vendimmarrja, bëhet gjithçka në emër të tyre, por, që në fakt i ka dëmtuar shumë ata. Ata sot ndihen inferiorë ndaj bashkëmoshatarëve të tyre evropianë për nga cilësia e arsimimit, cilësia e të jetuarit dhe të drejtave të tyre, pasi janë studentët më të varfër në Evropë. Prandaj, ata sot kanë forcën dhe guximin që të ndalin këtë të keqe që ka mbërthyer arsimin, dhe ata duhet dhe do ta bëjnë këtë. Por, kjo ministri dhe kjo qeveri ka humbur besueshmërinë e zgjidhjes së problemit të tyre, pasi janë përgjegjësit e kësaj katrahure në Arsimin e Lartë, janë përgjegjësit e orientimit të gabuar të tyre në profesione jo të dëshiruara, janë përgjegjësit e mbajtjes peng të zhvillimit të Arsimit të Lartë.

– Sa i vërtetë është pohimi i ministres së Arsimit që universitetet kanë pavarësinë nga Ministria e Arsimit, dhe ato vendosin për tarifat financiare për çfarë duhet të paguajnë Studentët?

– Në fakt, ministrja luan me fjalë dhe nuk është e qartë dhe e hapur, duke konfuzuar gjithmonë publikun, edhe pse ka detyrimin institucional ta bëjë këtë bazuar dhe në parimin e transparencës së institucioneve shtetërore. Por, ka zgjedhur këtë mënyrë. Kur erdhi në pushtet, më 2014 kjo ministri rriti tarifat rreth 30-40-50 % për çdo program studimi. Dhe, nga 2015 tarifat nuk janë rritur më. Dhe rritja e tarifës së provimeve të mbartura me këtë VKM dalë në Maj 2018, është bërë nga Këshilli i Ministrave dhe jo nga Universiteti, duke e shpërfillur këtë. Dhe kjo, një fomë për të futur të ardhura në universititete jo nga buxheti i shtetit, por nga xhepat e familjeve shqiptare. Por, para se të bëj këto deklarata, ministrja, duhet t’i shpjegojë studentëve dhe publikut që: Pse është futur në fuqi një ligj (Ligji i Arsimit të lartë hyrë në fuqi në Tetor 2015), me akte nënligjore të munguara, duke u bërë bërë pengesë e përmbushjes së detyrimit institucional të universiteteve? Pse procesi i aplikimit dhe pranimit në universitete bëhet nga ministria, duke ia mohuar të drejtën që ia jep ligji universiteteve, duke e kthyer këtë në një proces jo transparent, dyshues korruptiv, ku ministria përcakton fatin e studentëve dhe të universiteteve, në një formë të pa precedentë 4 mujore, raund pas raundi, dhe shpërndan ajo studentët në universitete publikë dhe jo publikë, por jo sipas meritë preferencës? Pse ministria ka bllokuar prej disa vitesh procesin e doktoraturës dhe dhënies së titujve shkencorë duke penguar kualifikimin dhe rritjen profesionale të stafeve akademike dhe përfitimit të të ardhurave financiare të fakulteteve? Gjithashtu ministria duhet të jetë e qartë dhe e drejtpërdrejtë, dhe të pohojë që nuk është rritur buxheti i shtetit siç është premtuar 5% e PBB, por përkundrazi, ai është në rënie dhe tani është 2.49% e PBB. Dhe, pse është kjo gjendje?. Kështu që, ajo duhet të sqarojë që me këtë buxhet të shtetit të ulët universitetet do të jenë të detyruar të rrisin tarifat dhe kuotat e pranimit, edhe jashtë kapacitetit të tyre, për mbijetesë, për të siguruar pagesat për punonjësit dhe jo në dobi të cilësisë së munguar. Dhe tani, është edhe radha e rektorateve, senateve, dekanateve, pedagogëve të reagojnë. të kenë kurajën t’i bashkohen studentëve në synimin e madh: të shpëtojnë Universitetin.

– Si menaxhohen fondet e universiteteve publike që mblidhen nga pagesat e studentëve? Ka kritere? Kush i auditon këto fonde në universitetet publike? 

– Në fakt, ky proces kërkon vëmendje dhe transparencë. Deri më tani, ministria nëpërmjet bordeve të administrimit, ku ka dhe shumicën, ka kontrolluar këto fonde dhe ka qenë pjesë e menaxhimit të tyre. Kështu që, ministria është jo vetëm pjesë, por dhe palë. Auditimi i fondeve të universiteteve bëhet nga ministria e Arsimit, pasi është e drejtë dhe në varësi të ministrit të ngrejë grup auditimi për të kontrolluar menaxhimin e të ardhurave. Por,fakti që ministria kontrollon bordet e administrimit të universiteteve, ky auditim bëhet jo i besueshëm. Gjithashtu, Kontrolli i Lartë i Shtetit auditon Universitetet, njëkohësisht dhe Kryeministri mund të ngrejë Task Forcë në raste që duhen audituar. Në fakt, nuk kemi një tablo të qartë të menaxhimit të fondeve të universiteteve.

– A duhet të bëhet vetting edhe në Arsim? 

– Mendoj që po. Ka ardhur momenti që t’i kushtohet rëndësi përzgjedhjes së stafit akademik, përzgjedhjes së njerëzve me integritet dhe profesionistë të fushës. Pastërtia e figurës së pedagogut duhet të jetë primare.

– Sipas jush, përse ministrja e Arsimit nuk pranon të plotësojë kërkesat e studentëve?

– Ministria, nëse do të kishte vullnetin e mirë në këto vite duhet të kishte qenë në krah me universitetet për përmirësimin e mësimdhënies dhe rritjes së cilësisë, vendosjes së një ligji të zbatueshëm dhe marrjes parasysh të kundërshtive të pedagogëve për këtë ligj dhe jo zhytjes në paligjshmëri të tyre, rishikimit të kuotave dhe jo rritjes së tyre, përmirësimit të infrastrukturës dhe shërbimeve të tjera të munguara për studentët, që nga karta e studentit dhe shërbimeve të tjera. Kështu që, tashmë, ajo e ka të vështirë dhe të pamundur t’i plotësojë ato.

 – A është e madhe kostoja financiare për taksapaguesit shqiptarë, nëse plotëson kërkesat e Studentëve?

– Kjo ministri nuk e bën dot më këtë llogari. Kjo kërkon mendje të hapura, mendje profesionistësh që të bëjnë një platformë në të mirë të studentëve dhe familjeve shqiptare. Investimi për arsimin është shërbimi më i rëndësishëm që mund të bëhet në një shoqëri. Kështu që, zërat e buxhetit duhet te rishikohen dhe të rriten ato në shërbim të arsimit. Dhe, me grupe profesionistësh, plotësimi i kushteve të studentëve merr rrugë reale të zgjidhjes, pse jo me kosto të përballueshme për familjet shqiptare, dhe në të mirë të taksapaguesve, të cilët kërkojnë cilësi në arsim. Buxheti i shtetit në shërbim të arsimit është investim për familjet shqiptare dhe qytetarët.

– Cili është produkti i Reformës në Arsimin e Lartë?

– Produkti i kësaj reforme është rrënimi i Arsimit të Lartë, sjellja në kuotat më të ulëta të tij. Është pikërisht reagimi i studentëve, gjendja e mjeruar e dijes në auditoret tona larg së qenit në standardet e kërkuara si një vend evropian, ku përveç auditorëve të ftohta dhe një pjesë pedagogësh të përkushtuar, asgjë tjetër nuk i ofrohet. Dhe, ky është mjerim për këtë vend. Arsimi është në emergjencë kombëtare.

Ministria e Arsimit duhet të shpjegojë pse:

  • Ministrja Nikolla i ka rritur tarifat e studimit në Universitetet publike që nga 2014, ndërsa rritja e tarifës së provimeve të mbartura me këtë VKM, dalë në Maj 2018, është bërë nga Këshilli i Ministrave dhe jo nga Universiteti,
  • Procesi i aplikimit dhe pranimit në universitete bëhet nga ministria, duke ia mohuar të drejtën që ia jep ligji universiteteve,
  • Ministria Nikolla ka bllokuar prej disa vitesh procesin e doktoraturës dhe dhënies së titujve shkencorë duke penguar kualifikimin dhe rritjen profesionale të stafeve akademike dhe përfitimit të të ardhurave financiare të fakulteteve,
  • Ministria Nikolla të shpjegojë pse është rritur buxheti i shtetit siç është premtuar 5% e PBB, por përkundrazi, ai është në rënie dhe tani është 2.49% e PBB.