Intervista / Av. Kujtim Cakrani: E drejta për një proces të rregullt ligjor, e drejtë themelore dhe pamohueshme në një vend demokratik

358
Sigal

Për “Projektudhëzimin e qeverisë mbi  pushimet nga puna dhe vjetërsinë në punë”, ku u kërkohet  institucioneve publike të mos bëjnë rekurse në Gjykatën e Lartë, gazeta “Telegraf” zhvilloi një intervistë me avokatin Kujtim Cakrani.

Av. Kujtim Cakrani

Si e shkoni ju vendimin e qeverisë për ndalimin e rekurseve në Gjykatën e Lartë për rastet e pushimit nga puna?

Vendimi qeverisë për ndalimin e rekurseve pranë gjykatës së lartë përsa i përket çështjeve të largimit nga puna, është një marrëzi juridike, sistemi shqiptar i drejtësisë është i përbërë nga tre shkallë gjykimi, përkatësisht: Gjykata e shkallës së parë, Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë, por për të kontrolluar çdo pretendim për shkelje të procedurave dhe lirie gjatë të tre shkallëve të gjykimit, qytetarëve ju është dhënë mundësia që t’i drejtohen edhe Gjykatës Kushtetuese. Pra ky veprim i qeverisë nuk është gjë veçse një çmenduri që me VKM kërkon të diktojë apo shantazhojë sistemin e drejtësisë. Nuk ka një shembull në asnjë vend të botës demokratike që një qeveri të privojë qytetarët e saj nga e drejta për të zgjidhur dhe kërkuar të drejtat e saj në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Ndërhyrja me VKM për të zgjidhur apo privuar të drejtën qytetarit për të kërkuar drejtësi, bie ndesh edhe me parimet bazë demokratike,pasi në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut ashtu edhe në Kushtetutën e Shqipërisë, e drejta e çdo qytetari për të kërkuar të drejtat e tij të ligjshme është themelore dhe e patjetërsueshme dhe, nuk mund t’i privohet nga askush, qoftë ky edhe shteti. E drejta për një proces të rregullt ligjor është gjithashtu e drejtë themelore dhe pamohueshme në një vend demokratik. Ndërhyrja me VKM nga qeveria vërteton edhe njëherë atë që çdo shqiptar mendon se, sistemi i drejtësisë jo vetëm që është kapur nga mazhoranca socialiste por ajo kontrollon edhe agjendën e veprimeve të saj. Është tashmë e vërtetuar se, gjyqësori kontrollohet plotësisht prej saj, gjyqtarët janë të shantazhueshëm për shkak të vetingut por edhe për shkak të integritetit të tyre të dobët. Ndërhyrja me VKM nga qeveria  në jetën e gjyqësorit do jetë akti i fundit i shkatërrimit të saj.

Po vendimin tjetër, për ndalimin për ata që kërkojnë të rregullojnë vjetërsinë në punë?

Në gjykatat shqiptare, proceset gjyqësore me objekt vjetërsinë në punë janë të shumta, shkaku që qytetarët i drejtohen gjykatave për të zgjidhur këto çështje janë sepse atyre ju mungojnë vitet e punës që ata kanë patur në kohën e diktaturës. Kjo problematikë është krijuar sepse kanë një mungesë të theksuar të mosgjetjes së viteve të punës, pasi regjistrat e institucioneve apo ndërmarrjeve ku ata kanë ushtruar punën e tyre janë grisur, djegur apo humbur për arsye objektive. Qytetarët ndeshen me këtë fenomen sapo ata nisin procedurat e pensionit dhe kur shkojnë pranë Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore lind problematika. Në fakt, shteti duhet t’i japë zgjidhje duke mos lënë qytetarët të sorollaten sa në një institucion në tjetrin  dhe sa nga një gjykatë në tjetrën. Por në asnjë mënyrë qeveria nuk mund të marrë  vendim me VKM të ndalojë të drejtën e qytetarit ti drejtohet gjykatave, sepse kjo do të cënonte rëndë liritë dhe të drejtat e njeriut. Nëse do të merrej ky vendim nga qeveria atëherë lind pyetja? Si qytetarët do ta zgjidhin apo ku do ta gjejnë të drejtën e tyre për të përfituar pensionin e plotë? E drejta e çdo qytetari për t’iu drejtuar gjykatës kur ai mendon se është shkelur një e drejtë është e përcaktuar jo vetëm Kodin e Procedurës Civile, por edhe në Kushtetutën e Shqipërisë. Në këtë kuptim është antikushtetuese ndërhyrja e qeverisëpër të vendosur privimin e qytetarëve nga një e drejtë. Rregullimi i vjetërsisë në punë për çdo qytetar që ka humbur vitet e punës për arsye që nuk varen prej tij duke mos  gjetur ato  pranë institucioneve përkatëse është një e drejtë legjitime, dhe nëse vet shteti nuk është në gjendje ta rregullojë atëherë është gjykata ajo që duhet ti japë një zgjidhje në bazë të provave dhe fakteve që paraqiten.

A përbën kjo shkelje flagrante të të drejtave të njëriut, a mundet me një VKM t’u hiqet e drejta qytetarëve?

Natyrisht që me VKM e saj qeveria nuk bënë gjë veçse shkel në mënyrë flagrante liritë dhe të drejtat e njeriut, sepse ju heq apo mohon të drejtën qytetarëve për të kërkuar të drejtat e tyre të shkelura dhe të mohuara. Mohimi nga ana e qeverisë,  qytetarëve për të tu drejtuar gjykatës për të kërkuar një të drejtë janë qasje të vendeve autoritare, pra me regjime. Kështu që edhe qeveria shqiptare në rastin konkret është duke ndjekur rrugën e shkeljes së parimeve bazë të demokracisë. Diktaturat nga demokracitë dallojnë si ato respektojnë liritë dhe të drejtat e njeriut. Vetëm në diktatura qeveria vendos dhe dikton mbi veprimet e qytetarëve. Qeveria shqiptare dhe ky kryeministër në të gjithë qeverisjen e tij afro 9 -vjeçare ka ngushtuar në mënyrë të dukshme liritë dhe të drejtat e njeriut. Në këtë kuptim qytetarët në Shqipëri janë të kërcënuar për liritë e tyre. Jo pak herë kemi qenë prezentë kur qeveria ka ndërmarë veprime në shkelje të interesave të qytetarëve, kemi parë gjithashtu, edhe ndërhyrjen e saj tek gjykata duke i shantazhuar ato. Shkelja e këtyre të drejtave ka bërë që shumë çështje kanë përfunduar dhe kanë marë zgjidhje vetëm në Gykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Mos kjo ka të bëjë me Gjykatën e Strasburgut, ku dihet që numri dosjeve nga Shqipëria ka ardhur në rritje, që do të thotë gjoba ndaj shtetit shqiptar që duhet të paguaj dhe me këtë VKM, kjo mundësi për qytetarët zerohet?

Të gjithë shqiptarët tashmë e dinë që drejtësia shqiptare është në një kolaps të paprecedentë. Vetëm në Gjykatën e Lartë janë afërsisht 45 mijë dosje të akumuluara prej vitit 2014, në gjykatën e Apelit Administrativ janë plot 20 mijë dosje dhe është duke gjykuar çështje të vitit 2015. Gjykatat e Apeleve civile janë të mbingarkuara me çështje me dosje të akumuluara prej vitit 2016. Në këtë kuptim shumë qytatarë janë drejtuar edhe Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut ku, përveç shqyrtimit të çështjeve në themel, gjykon edhe çështje- vonesën e gjykimit nga gjykatat shqiptare. Kjo nënkupton faktin që aksesi për të marrë drejtësi në një kohë sa më të shpejtë është një e drejtë e çdo qytetari për të marrë drejtësi brenda një afati të arsyeshëm.

“Drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar”, thotë një shprehje, ky është tashmë një realitet në Shqipëri, edhe pse jemi plotë 5 vjet nga Reforma në Drejtësi qytetarët shqiptarë janë të zhgënjyer si nga vonesa e gjykimit të çështjeve, ashtu edhe nga performanca shumë e dobët e gjyqtarëve të hyrë në sistemin e drejtësisë. Jo pak herë Gjykata Europiane ka marë vendime kundër shtetit shqiptar. Kjo gjykatë ka dënuar disa herë shtetin shqiptar si për vonesat e gjykimit të çështjeve, ashtu edhe për dhënien e një drejtësi sipas parimeve bazë të një gjykimit bazuar mbi prova dhe fakte, të cilat gjykata shqiptare nuk ju kanë dhënë të drejtë, për shkaqe korrupsioni dhe profesionalizmi.