Endrit Braimllari, ish-deputet: Kryeministri Rama instalon regjim monist, përderisa ka paralizuar institucionet kushtetuese

371
Sigal

Prokuroria është nën urdhrat e Edi Ramës, që donte të gllabëronte hapur tek “Unaza e Re” 40 milionë euro në kurriz të 1300 familjeve. Është sakrifica e banorëve të “Unazës së Re” që po qëndrojnë 6 muaj në protestë që zbuloi dhe nxori fytyrën e vërtetë të Edi Ramës, atë të një kryeministri kaq të korruptuar

Endrit Braimllari, ish-deputet në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se kryeministri Rama instalon një rrëgjim monist, derisa ka paralizuar të gjithë institucionet kushtetuese. Zoti Braimllari pyet edhe ambasadorët e akredituar në Tiranë, çfarë do të bënin në vendin e tyre, nëse një kryeministër korrupton kaq hapur, siç ndodhi me qeverinë e Ramës tek “Unaza e Re”? A do të protestonin këta ambasadorë, nëse në vendin e tyre zgjedhjet bëhen pa opozitë?

– Zoti Braimllari, kur Opozita deklaroi se nuk do lejojë me çdo formë zhvillimin e zgjedhjeve vendore në 30 qershor, a nuk rrezikohet destabilizimi i Shqipërisë dhe një skenar analog me 1997-n?

– Shqipërinë e ka destabilizuar, stabiliteti i krimit të organizuar që ka përfshirë qeverinë “Rama” dhe pjesën më të madhe të parlamentin. Stabiliteti i krimit që është përkrahur dhe frymëzuar nga Edi Rama po cenon të ardhmen evropiane të vendit. Opozita i ka të gjitha mundësitë për të mos lejuar zgjedhje farse në këtë vend që Rama të instalojë një regjim monist. Ne jemi të vendosur në rrugën tonë dhe kemi përkrahjen e jashtëzakonshme popullore. Zgjedhje pa opozitën nuk do ketë.

– A nuk është paradoksale që ambasadorët e akredituar në Tiranë të bëjnë thirrje për zgjedhje vendore pa Opozitën? 

– Ne nuk do lejojmë që në vend të cenohet demokracia dhe parlamentarizmi. I pyes këta ambasadorë: A do kishin të njëjtën qëndrim politik, nëse do të kishte analogji në vendin e tyre, që kryeministri të jetë i lidhur me krimin e organizuar, siç dalin në Shqipëri përgjime të gjithë zyrtarët e lartë të Partisë Socialiste duke blerë vota dhe deformuar vullnetin e shqiptarëve me krimin e organizuar? A do të pohonin këta ambasadorë, që vendi i tyre do të destabilizohej nëse opozita e vendit të tyre do të protestonte fuqishëm kundër qeverisë së inkriminuar dhe të korruptuar? A do të pranonin këta ambasadorë, që në vendin e tyre të bëhen zgjedhje pa opozitë? A imagjinojnë dot këta ambasadorë, që në vendin e tyre të ketë parlament pa opozitë? Le të dalin këta ambasadorë dhe t’u thonë shqiptarëve si do të përgjigjeshin edhe këtyre pyetjeve, e pastaj, le të dalin e të bëjnë thirrje shqiptarëve që të marrin pjesë në zgjedhjet vendore, pa opozitën. Të jeni të bindur që sata dhe populli i tyre do ta e kishin rrëzuar kryeministrin, sepse demokracia, parlamentarizmi, stabiliteti dhe lufta kundër krimit janë të shenjta dhe te pa negocueshme për një vend që aspiron në BE. Një vend e destabilizon qeveria e inkriminuar dhe e korruptuar, jo protesta e opozitës. Para pak ditësh u publikua raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, ku e cilëson Shqipërinë si burim të krimit te organizuar dhe si një vend ku vota u ble masivisht falë këtij kryeministri. Ku pandëshkueshmëria është në nivele shumë të larta dhe për këtë përgjegjësi kryesor është Edi Rama dhe qeveria e tij. DASH është qëndrimi zyrtar i Administratës së Presidentit Trump dhe kryeministri Rama nuk guxon do ta quajnë “Kazan”, siç tha për “Zëri i Amerikës”, kur publikoi dosjen “339” të përgjimeve të vjedhjes dhe shitjes së votave në zgjedhjet e 2017-s.

– Ju si e shpjegoni që, njëkohësisht, qeveritë e këtyre ambasadorëve shprehin zyrtarisht ndaj Shqipërisë qëndrime krejtësisht të kundërta me Ambasadorët e tyre në Tiranë? 

– Qëndrimi ynë opozitar është shumë i qartë: Qeveri tranzitore për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ne kemi një Raport të Departamentin Amerikan të Shtetit që duhet vlerësuar dhe parë me kujdes, me qëllim që të reflektojmë për të përmirësuar situatën dhe për ta çuar Shqipërinë drejt BE. Kemi një vendim të parlamentin holandez për rikthimin e regjimit të vizave që është një lajm shumë i keq për Shqipërinë, por që qeveria këtu dhe Edi Rama duhet të reflektonin me përgjegjshmëri të madhe dhe jo ta zhvendosin fajin tek Holanda që është një shtet simbol i BE. Kemi një qeveri të papërgjegjshme që ka humbur komunikimin me realitetin, duke e zhytur Shqipërinë në varfëri dhe krim të organizuar. Sot e vetmja rrugë për të nxjerrë Shqipërinë nga kjo krizë e thellë është një qeveri tranzitore, e cili krijon kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme për të kthyer demokracinë dhe parlamentarizmin në vend.

– Zoti Braimllari, një Shqipëri pa Gjykatë Kushtetuese, pa KLSH, pa Opozitë në Parlament si mundet të pranohet nga Bashkimi Evropian si partnere për anëtare? 

– Shqipëria po shkon në humnerë për shkak të Edi Rames. Kryeministri është përgjegjës kryesor për këtë gjendjen në të cilin po kalon vendi. Sot në Shqipëri ka rënë demokracia dhe parlamentarizmi. Edi Rama shkatërroi gjykatat me qëllim që të legjitimojë paligjshmërinë e tij. Ka kaluar ligje në parlament në kundërshtim me Kushtetutën e vendit për të cilat Edi Rama dhe gjithë njerëzit e tij do mbajnë përgjegjësi ligjore të drejtpërdrejtë.

– A do të pranojë opozita një reformë zgjedhore të miratuar nga ky parlament?

– Sot më e rëndësishme është kthimi i kushtetutshmërisë dhe parlamentarizmit në vend. Kjo është jetike për shqiptarët sepse kjo ka cenuar demokracinë. Çdo hap tjetër do jetë pjesë e një agjende të thelluar, por nuk mund te ketë agjendë pa zgjedhje të lira dhe të ndershme.
– A hetohet nga prokuroria skandali i koncesioneve tek “Unaza e Re”?

– “Unaza e Re” tregon qartë babëzinë e Edi Ramës. Prokuroria është nën urdhrat e Edi Ramës. Edi Rama do gllabëronte hapur tek “Unaza e Re” 40 milionë euro në kurriz të 1300 familjeve. Është sakrifica e banorëve të Unazës së Re që po qëndrojnë 6 muaj në protestë që zbuloi dhe nxori fytyrën e vërtetë të Edi Ramës, atë të një kryeministri kaq të korruptuar. “Unaza e Re” do jetë shkatërrimi përfundimtar i Edi Ramës dhe me “Unazën e Re” do përfundojë një epokë korruptive, kriminale e Edi Ramës. Revolta popullore do ta largojë këtë kryeministër antikombëtar që shkatërroi vendin, mbolli varfëri dhe krim, që largoi Shqipërinë nga BE dhe shkatërroi të gjithë jetën sociale në vend.

– Faleminderit!

Gazeta “Telegraf”