Akademik Artan Fuga: Komuniteti shkencor e përbuz Akademinë e sotme të Shkencave

1094
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Akademik Artan Fuga në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se komuniteti akademik e përbuz Akademinë e sotme të Shkencave, ndërsa ligji i plagjiaturës, është jo vetëm skandal, por edhe kamxhik mbi shkencëtarët e profesorët.  Sipas Akademik Artan Fugës “Është platforma e keqe e paraqitur nga Skënder Gjinushi, është edhe platforma rrebele që e zgjeron Akademinë e Shkencave me qindra antarë, pra ja u kthen shkencëtarëve, që e angazhon komunitetin e shkencëtarëve në qeverrisjen e dijes dhe shkencës dhe që e mban të lidhur me komunitetin”

– Në këtë kaos të Arsimit të Lartë, sa dëm shkakton inekzistenca e Akademisë së Shkencave?

– Dëmi më i madh që i vjen shkencës sot, është vetë Akademia e Shkencës e marrë peng nga disa individë që kanë qenë dhe janë të uritur për pushtet dhe disa servilë të tyre në kuadrin e një keqmenaxhimi fondesh dhe të parasë publike! Akademinë e Shkencave e reformon tani vetëm Prokuroria!

– Përse qeveria kërkon që Akademinë e Shkencave ta ketë mashë të saj politike?

– Akoma nuk e di këtë. Do ta them kur të shoh se çfarë do të bëjë me platformat për reformim. Eshtë platforma e keqe e paraqitur nga Skënder Gjinushi, është edhe platforma rrebele që e zgjeron Akademinë e Shkencave me qindra antarë, pra ja u kthen shkencëtarëve, që e angazhon komunitetin e shkencëtarëve në qeverrisjen e dijes dhe shkencës dhe që e mban të lidhur me komunitetin.

– Përse komuniteti akademik në Shqipëri nuk reagon njëzëri kundër manipulimeve politike që bëhen në Akademinë e Shkencave?

– Sepse komuniteti e përbuz Akademinë e sotme të Shkencave! Keni dëgjuar ndokënd t’i dalë në mbrojtje?

– Prof. Fuga, janë publikuar dokumenta ku ministra, deputetë kanë marrë doktoraturat e tyre me plagjiaturë, ndërkohë që nuk ka asnjë reagim, as moral të atyre, por edhe as zyrtar. Atëhere: Sa besueshmëri dhe vlerë do të ketë ligji, që përgatitet kundër plagjiaturës?

– Nuk ka lidhje. Ligji kundër plagjiaturës përgatitur nga Akademia e Shkencave është një skandal më vete, është antieuropian, dhe krijon mekanizma që politika dhe mahmurët e Akademisë të Shkencave të mbajnë kamzhikun ngrehur mbi shkencëtarët dhe profesorët.